“Arrestohet një 82-vjeçare për një kotec, por amnistohen katet pa leje”, Meta: Rama nuk kursen gazin helmues për nënat dhe ruspat për të dobëtit

108
Sigal

Para qytetarëve që kanë mbushur sheshin para Kryeministrisë, kreu i Partisë së Lirisë Ilri Meta, u shpreh se Rama nuk kursen gazin helmues për nënat dhe ruspat për të dobëtit.

“Jemi ndër të parë të botë për korrupsion. Shtëpia e tyre nuk është Shqipëria po Offshore ku kanë vjedhur paratë. Premtoi 300 mijë vende punë por dëboi mbi 7540 mijë shqiptarë. Sot vendi ka numrin më të madh të të burgosurve brenda e jashtë vendit. Tirana vendi i parë në botë për gjobat që u vihen qytetarëve. Mbi 67 përqind e popullit jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, por nuk vepron ndaj drejtorëve të saj që vjedhin miliarda duke e shitur shumë herë më lirë dhe duke e importuar shumë herë më shtrenjtë.

Drejtësia e Rilindjes arreston 82-vjeçaren në fshatin e Vlorës për një kotec pa leje, por garanton amnisti për katet dhe pallatet pa leje në mes të Tiranës.Legalizimin falas që premtoi para se të vinte në pushtet, e beri vetëm për më të pasurit dhe më të fortit.

Për më të dobtit zgjodhi ruspat për tu shembur shtëpitë dhe nuk ua kurseu as gazin helmues nënave me foshnjë për ti nxjerrë dhunshëm në rrugë të madhe”, tha ai.