Në pranga dhe 40-vjeçari që u dha para për operacionin e djalit
Një mjek kirurg dhe një mjek anestezist ranë në prangat e Policisë këtë të shtunë, së bashku me personin i cili iu kishte dhënë dy mjekëve, një shumë parash për të kryer operacionin e djalit.

Dy mjekët e ndaluar janë Serdi Memini dhe Ervin Sulaj, ndërsa babai i të plagosurit që u dha para mjekëve, i arrestuar gjithashtu
Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu Serdi Memini dhe anestezisti Ervin Sulaj i kanë bërë shtetasit Elmedin Dyli, i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi Fatbardh Dyli dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit. Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro”, thotë policia në njoftimin e saj.
MASAKRA NE VELIPOJE
Katër të vdekur dhe dy të plagosur, është bilanci tragjik i ngjarjes që tronditi Velipojën, ku u shënua një përplasje me armë mes pjesëtarëve të familjeve Ferracaku dhe Gocaj.
Shkak për sherrin u bë vendosja e shezlongëve në hapësirat e dy hoteleve që janë të vendosur 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.
Njëri prej viktimave është edhe 57-vjeçari Kujtim Ferracaku, si dhe dy pjesëtarë të familjes Gocaj, dhe punonjësi 20-vjeçar i shezlongëve. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, të cilit iu bë atentat në vitin 2018. Mësohet se Kujtim Ferracaku është pronar i hotel “Fantazia”.
Sjellim në vëmendje që djali i tij Arjan Ferracaku do të ekzekutohej më 1 shtator 2018, teksa po kalëronte i shoqëruar nga miqtë e tij. Babai i dy fëmijëve të mitur u qëllua nga një person, i cili i zuri pritë. Sipas hetuesve, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metra.
Arjan Ferracaku dhe personat e tjerë ishin mbi kuaj, duke bërë hipizëm dhe parapërgatitje për kampionatin me kuaj, që ishte parashikuar me 15 shtator në plazhin e Velipojës.
VIKTIMAT
Të vdekur kanë mbetur biznesmeni Kujtim Ferracaku, 59-vjeç, babai i Arjan Ferracakut të ekzekutuar në Shkodër tre vite më parë. Po ashtu kanë humbur jetën dy pjesëtarë të familjes Gocaj, Xhovani Gocaj, 25-vjeç dhe Edmond Gocaj 38-vjeç, si dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç.
Ndërkaq të plagosur kanë mbetur dy shtetas të tjerë, Hasan Ferracaku, 54-vjeç, vëllai i të ndjerit, si dhe 17-vjeçari Elmedin Dyli.
Dyshohet se konflikti mes palëve ka nisur pak ore para ngjarjes.
Pjesëtarët e familjes Ferracaku kishin shkuar pak pas mesnatës në hotelin e Gocajve për sqarim. Por aty ka nisur një sherr verbal që degjeneroi në konflikt me armë




















