Arrestohen “kapot” e korrupsionit në universitet

758
Sigal

ELBASAN/Policia: Të arrestuar Kancelari e Drejtori Ekonomik, në ndjekje penale Rektori dhe Drejtorja Juridike

Ka ndodhur ajo që paralajmëroi vetëm 2 javë më parë gazeta “Telegraf”, lidhur me situatën e rënduar korruptive në Universitetin e Elbasanit. Mesnatën e kaluar policia e Elbasanit ka arrestuar nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe përvetësimit të parave”, Kancelarin e UE Eljan Hoxha, drejtorin e Drejtorisë Ekonomike Filip Qose, si dhe ka nisur procedimin penal nën të njëjtat akuza edhe ndaj Rektorit Liman Varoshi dhe Drejtores së Zyrës Juridike shtetases Fatmira Spahiu. Universiteti i Elbasanit, ka disa vite që përflitet dhe akuzohet  për korrupsion, për lidhje të drejtuesve të tij me afera korruptive. Kështu mjafton të përmendim abuzimet me emërimet pa asnjë kriter profesional, abuzimi me fondet, marrja e ryshfetit nga pedagogët dhe kupola drejtuese, abuzimet me investimeve të dhëna nga qeveria, apo edhe deri tek falsifikimi të dokumenteve dhe dhënia e diplomave personave që nuk kanë qenë asnjë ditë në leksione kundrejt parave. Kjo situatë, ka vite që ka alarmuar policinë, organin e akuzës, të cilët shpesh kanë dështuar në hetimet e tyre pasi janë dekonspiruar nga kolegët e tyre në Gjykatë. Ky dekonspirim dhe kjo rrjedhje informacioni “top-sekret” është konsideruar  skandali më i madh në organet e drejtësisë në Elbasan. Vetëm dy javë më parë gazeta “Telegraf”, shkruante dhe paralajmëronte për këtë situatë, për këto molepsje aferash korruptive që kishin mbërthyer Universitetin e Elbasanit, ndërkohë që titullarët e tij nxituan të dërgonin e-mail përgënjeshtrimi. Ky Universitet dhe ky qytet nuk i meriton këto akuzë, e sidomos nga një grusht njerëzish që ndoshta nuk kanë lidhje me këtë institucion të dijes siç është Universiteti. Kjo pasi misioni i tyre ka qenë mbushja e xhepave. Korrupsioni në Universitetin e Elbasanit ishte dhe mbetet pothuajse legal. Askush nuk mund të bënte ndryshe, kur në “lojë” paskëshin qenë edhe drejtuesit e lartë si Rektori, Kancelari, Drejtori Ekonomik, dhe ai Juridik. Ajo që këta drejtues mundoheshin ta bënin “nën rrogoz” , pedagogët e bënin dhe e bëjnë hapur edhe sot. Ata e kanë ligjëruar korrupsionin, dora dhe syri i tyre kërkon vetëm para, dhe asgjë tjetër në këmbim  të një  note kaluese. Kjo ndodh në të gjitha fakultetet e këtij universiteti.

POLICIA DHE PROKURORIA 

Hetimi ndaj kupolës drejtuese të Universitetit të Elbasanit dhe pedagogëve, ka vite që ka nisur. Dështimi pas dekonspirimit nga Gjykata, duket se nuk e ka stepur policinë dhe organin e akuzës. Ata sërish nisën nga e para survejimet dhe përgjimet dhe së fundi edhe duke u bazuar edhe tek një raport i fundit  i KLSH, ata vendosën të intensifikojnë veprimet e tyre. Burimet nga Prokuroria e Elbasanit deklaruan dje për “Telegraf” se, “nisur nga ankesat, denoncimet dhe fakte të tjera që implikonin drejtuesit e UE, ne nisëm para disa muajsh hetimet ndaj tyre duke marrë për bazë edhe fakte lidhur me denoncimet ndaj pedagogëve. Ndërkohë, për të arrestuarit e një nate më pare, Kancelarin, Drejtorin Ekonomik, Rektorin dhe  Drejtoreshën Juridike rëndojnë akuza “shpërdorim detyre, falsifikim dokumentacioni, përvetësim parash”. Hetimi i tyre ka një shtrirje të gjatë në kohë dhe është i kopsitur mirë nga Prokuroria. Ndaj tyre organi i akuzës do të flasë me fakte, me shkresa zyrtare incizime, dhe dëshmitarë okularë. Telefonat dhe gjithçka e nevojshme për hetimin ka qenë nën përgjimin e Prokurorisë. Ardhja e KLSH një muaj më pare, ka zbuluar skandale në Universitetin e Elbasanit.  Anëtarët e ekipit të KLSH kanë shqyer  sytë kur janë ndeshur me shkelje flagrante  të kupolës drejtuese të UE, duke nisur nga shkresat zyrtare të falsifikuara, emërimet e pabazuara në ligj, shpërdorimet e detyrës duke mbajtur njerëz në punë megjithëse i kishte kaluar afati i daljes në pension, e deri tek përvetësimi parave të këtij Universiteti. Drejtori e Policisë së Qarkut të Elbasanit deklaroi dje paradite se “nisur nga hetimet e organit të akuzës dhe të policisë ka nisur procedim penal ndaj Rektorit të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’, Liman Varoshi gjithashtu edhe ndaj Drejtoreshës Juridike të Universitetit, shtetases Fatmira Spahiu. Mesnatën e kaluar ne bëmë të mundur arrestimin e dy personave, konkretisht të Kancelarit të Universitetit shtetasit Eljan Hoxha, dhe Drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Filip Qose, të  katër këta shtetas akuzohen për veprat penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘vjedhje e kryer me anë të shpërdorimit të detyrës’ gjithashtu akuzohen edhe për ‘falsifikim të dokumenteve zyrtare”...

DETAJET E ARRESTIMIT DHE HETIMIT

Mesnatën e kaluar policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e  koduar “Premtimi”, Sektori Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, pas një hetimi intensiv, bëri të mundur arrestimin në flagrance të shtetasve Eljan Hoxha, 43 vjeç, banues në lagjen “Kala” Elbasan, me detyrë, kancelar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,  Filip Qosja, 49 vjeç, banues në lagjen “Viserion Xhuvani” Elbasan, me detyrë drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ka filluar ndjekjen penale për shtetasi  Liman Varoshi, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë rektor i Universitetit, “Aleksandër Xhuvani” dhe Fatma Spahiu, 37 vjeç, drejtoreshë e Zyrës JuridikePolicia  tha se, “flitet për një abuzime me një kontratë qiraje mes Universitetit dhe një biznesi që është nën administrimin e vjehrrës së Kancelarit  dhe zë një sipërfaqe të Universitetit prej 155 m2 ndërsa në kontratë është shënuar 60 m2. Kjo sipërfaqe është kthyer në bar-kafe dhe ka funksionuar si e tillë prej 7 vitesh. Policia ka sekuestruar kontratat e 5 viteve të fundit si dhe po hetohen kontratat e tjera të bëra nga ky universitet. “Nga hetimet e policisë ka rezultuar se Rektori i Universitetit, Liman Varoshi, në bashkëpunim me kancelarin e këtij universiteti, shtetasin Eljan Hoxha, kishin favorizuar vjehrrën e kancelarit duke i dhënë për të shfrytëzuar me qira një hapësirë brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti. Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, shtetases Luljeta Xhuvani, pasi në të ishin parashikuar për shfrytëzim vetëm 60 metra katrorë, nga 165 metra që ishte në të vërtetë kjo hapësirë. Nga verifikimet rezultoi se shtetasja Luljeta Xhuvani, kishte rreth 7 vjet që e ushtronte këtë aktivitet në mjediset e këtij fakulteti, për lokal Bar-Kafe”. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale kontratat e lidhura për 5 vitet e fundit, midis Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të firmosura nga rektori Liman Varoshi dhe subjektit përkatës. Po kështu u ushtrua kontroll në mjediset e lokalit, nga ku u konstatua se shtetasja Luljeta Xhuvani bënte tregti në kundërshtim me ligjin, duke fshehur të ardhurat, duke mos pajisur klientët me kuponin tatimor si dhe duke mos regjistruar punonjësit të cilët punonin si kamerier. Ndaj shtetasve Eljan Hoxha dhe Filip Qose, u mor masa e arrestit në flagrancë ndërsa dy personat e tjerë, Liman Varoshi dhe Fatma Spahiu, procedohen në gjendje të lirë. Të katër këta shtetas akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikim dokumentesh”, të parashikuara nga nenet 248, 135 e 186 të Kodit Penal.

KAOS NË UNIVERSITET

Arrestimet mesnatën e kaluar nga policia të dy drejtuesve të Universitetit, Kancelarit dhe Drejtorit Ekonomik, si dhe nisja e ndjekjes penale ndaj Rektorit dhe Drejtoreshës Juridike nën të njëjtat akuza për “shpërdorim detyre, falsifikim dokumentacioni, dhe përvetësim të parave”, kanë pasur ndikimet e veta në auditore. Zyrtarët  e Rektoratit dhe studentët e Universitetit, janë gjendur nën një situatë kaotike, ndërsa pedagogët e korruptuar nën ankthin e ardhjes së ndonjë fletë-arresti edhe ndaj tyre. Nga dje Zëvendës Rektori Jani Dode ka marrë atributet e Rektorit. Kjo  pasi Prokuroria dhe policia kanë vënë nën akuzë dhe po ndjekin penalisht  Rektorin Liman Varoshin. Në klasa leksionet pothuajse nuk janë zhvilluar, pasi temë e ditës ishte arrestimi zyrtarëve të Rektoratit.

ARRESTUAR DHE PROCEDUAR

 -Eljan Hoxha, 43 vjeç, me detyrë, Kancelar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Arrestuar.

-Filip Qosja, 49 vjeç, Drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Arrestuar.

-Liman Varoshi, 55 vjeç, banues në Elbasan, Rektor i Universitetit, “Aleksandër Xhuvani”. Procedim penal.

-Fatma Spahiu, 37 vjeç, Drejtoreshë e Zyrës Juridike në këtë Universitet. Procedim penal.