Bajram Ajazi: Si e shpëtoi babanë tim nga verbimi Kadri Hazbiu

1317
Sigal

Ushtaraku Ajazi: U takuan rastësisht në malet e Kolonjës, Kadriu i dhuroi një palë syze dhe ilaçe!

Nëse patrioti Hajrulla Ajazi nuk do të kishte takuar rastësisht Kadri Hazbiun në bjeshkët e Kolonjës në vitin 1978, ai do  të kishte mbetur përjetësisht i verbër e ndoshta do të kishte humbur shpejt jetën nga sëmundja e rëndë në sy. Ishte pranvera e vitit 1978, kohë në të cilën plaku i urtë, i mençur e patriot Hajrulla Ajazi apo Lakja siç e thërrisnin në fshatin e tij në Luaras të Kolonjës, dilte pothuajse çdo ditë me bagëtinë e kooperativës. I kulloste rrëzë malit përbri, dhe në mbrëmje kthehej me dy bashkëmoshatarët e tij. Ajo ditë prilli  për Laken do të mbetej e paharruar, kishte takuar njeriun e pushtetit, ministrin Kadri Hazbiu.

HAJRULLA AJAZI

Lakja dhe vëllai i tij  Ajazi, njiheshin në fshatin e tyre dhe gjithë krahinën e Kolonjës për patriotizëm dhe pjesëmarrje në gjitha ngjarjet e shënuara historike. Ata kishin ndarë bukën gjatë luftës Nacional-Çlirimtare me partizanët e batalionit “Hakmarrja” të komanduar nga Petrit Dume. Lakja kishte pesë djem dhe tre vajza, të cilët i ka rritur me mundime dhe halle, pasi asokohe kooperativa e Luarasit ishte malore dhe të ardhurat ishin të pakta. Bajram Ajazi, ish-ushtarak i lartë i Ministrisë Mbrojtjes, tregon një histori interesante të babait të tij  me ish-ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiun. Historia ka ndodhur ndoshta rastësisht, kur Lakja ishte me bagëtinë lart në mal, kurse ish-ministri  Hazbiu, bashkë me tre persona të tjerë, hipur mbi një mushkë, kryente inspektime përgjatë asaj zone të thellë kufitare. Bajrami tregon se “babai im ishte njeri shumë punëtor, nuk linte  ditë pa dalë, edhe kur nuk kishte radhën, me bagëtinë, pastaj vinte dhe merrej edhe me punë të tjera. Asokohe kemi jetuar bashkë me xhaxhain tim Ajaz Ajazin në shtëpi ngjitur, por jeta na ndau në punë dhe profesione të ndryshme”. Luarasi ka pasur  asokohe plot 350 shtëpi dhe 5 lagje, që banorët e tij i njihnin me emrat e tyre të vjetër.

TAKIMI ME KADRI HAZBIUN

Ish-ushtaraku Bajram Ajazi tregon se “takimi I babait tim me Kadri Hazbiun , asokohe Ministri Brendshëm  i Shqipërisë,  njeriu më i pushtetshëm i asaj qeverie, ka qenë mjaft  mbresëlënës, ai derisa jetoi, nuk harronte dhe e kujtonte vazhdimisht takimin me atë, që ai e quante “njeriu i mrekullueshëm”. Ishin ditët e para të muajit prill të vitit 1978, dhe Lakja ishte nisur si gjithmonë me bagëtinë e fshatit për në kullotat rrëzë malit të fshatit Luaras, të njohura si “kullotat e Alo Mukës”. Ishte ditë me diell dhe Lakja pasi rehatoi  bagëtinë, ulet dhe nxjerr nga xhepi një kuti të vjetër duhani, e nis të mbushë çibukun e tij, kur syri i shikon tre burra, njëri hipur mbi mushkë dhe dy të tjerë ecnin në këmbë duke e shoqëruar, veshur me xhaketa të gjata lëkure. Bajrami tregon se “fillimisht babait i kishte bërë përshtypje pamja e tyre, dhe për një çast la çibukun pa ndezur dhe u ngrit në këmbë për ti shquar më mirë tre burrat e panjohur, e për t’i përshëndetur. Njatjeta xhaxha,- foli burri i hipur mbi mushkë, dhe teksa afrohej zbriti nga mushka, drejtoi  kasketën dhe i jep dorën Lakes. “Njatjeta o djemtë e xhaxhait, ejani, urdhëroni, ndizeni nga një cigare, nuk po ju njoh, të më falni?- ja kthehu  plaku i urtë  Lake Ajazi. Njëri nga burrat që shoqëronin njeriun hipur mbi mushkë i afrohet tek veshi dhe i thotë: “Xhaxha ky është shoku Kadri Hazbiu, e njeh?”. Lakja i jep sërish dorën, dhe përqafohen bashkë, duke shkëmbyer fjalë zemre. Ish-Ministri Hazbiu e pyeti për familjen, fëmijët, hallet dhe fshatin, kooperativën, dhe u gëzua kur mësoi nga Lakja, se ai kishte një djalë oficer, një në polici, e të tjerët në punë të ndryshme. Por gjatë bisedës syrit të Kadri Hazbiut nuk i shpëtoi edhe një detaj tjetër, që për plakun e urtë Lake, u bë shpëtimtari për të mos patur telashe edhe për shumë vite të tjera jete.

DHURATA E KADRI HAZBIUT

Lakja vite më parë ishte dëmtuar nga syri në zonën e Ballabanovës, ku punonte nga një rrufe në mes të pyllit. Por asokohe të bëje syze, ishte me siklet gjetja e xhamave të duhur, po ashtu edhe gjetja e ndonjë medikamenti. “Çfarë ke nga sytë xhaxha pse nuk shikon  mirë”, – i thotë Kadri Hazbiu. “Jam  vizituar o shoku  Kadri, doktori më ka dhënë recetën dhe nuk po gjejmë xhamat në Ersekë e Korçë për të bërë  syzet, dhe një tubet për të lyer sytë por do ti gjejmë”-ja kthen Lakja. Ministri thërret një nga burrat që e shoqëronin, dhe i thotë: “Në çantën time ke disa tubeta sysh dhe disa palë syze, tregoja, provoja, dhe kush ti bëjë, jepja, i ka nga unë dhuratë”. Fati e donte që një nga 5 palët e syzeve që Ministri Hazbiu kishte me vete në çantën e tij prej lëkure, të përshtatej me numrin e Lakes. Po ashtu edhe tubetin që Ministri Hazbiu mbante me vete për sytë, ja bëri dhuratë Lakes. “Merri i ke dhuratë nga unë ti gëzosh, pleqëri të mbarë, dhe të fala nga shtëpia”-i thotë Kadri Hazbiu–duke shtuar “ne po ikim se kemi punë xhaxha”. Ministri i Brendshëm i shtrëngon fort dorën Lakes, i cili i prekur, e fton të rrinin nga shtëpia. Por ishte e pamundur. Ish-ministri kishte misionin e tij shtetëror, “punën fizike” bashkë me ata që e shoqëronin, që më vonë u mësua se ishin të Ministrisë Brendshme. Takimi me Kadri Hazbiun, mbeti i paharruar për  Lake Ajazin, plakun e urtë e të mirë, çobanin nga Luarasi. Kjo  pasi siç tregon edhe djali i tij, ish-ushtaraku Bajram Ajazi “ai takim aq miqësor sikur i dha dritën e syve babait tim, i cili e uronte çdo ditë Kadri Hazbiun për dhuratën e çmuar që i bëri në takimin e rastësishëm lart në mal, dhe e kujtonte derisa sa jetoi me mall e dashuri deri në detaje bisedën me atë që e quante ‘burrë e njeri i mrekullueshëm”