48-vjeçarja Bajraktari: Myftinia në Shkodër po më grabit pronën e ligjshme

581
Sigal

Burbuqe Bajraktari:Tokën ja kam blerë shtetit, kam fituar dhe gjyqin. Në vend të shtëpisë time, duan të ndërtojnë pallat

Familja Bajraktari në qytetin e Shkodrës denoncon Myftininë e këtij qyteti, që në bashkëpunim me segmente në bashkinë e Shkodrës, duan ti prishin shtëpinë dhe biznesin e ligjshëm, të ngritur në një tokë shtetërore të cilën pretendojnë me dokumente se e kanë blerë. Sipas 48-vjeçares Burbuqe Bajraktari, prapa këtij veprimi të kundërligjshëm, fshihen persona që kanë vetëm një qëllim, përfitimet personale. Për “Telegraf”, 47-vjeçarja rrëfen detaje të këtij denoncimi…

Zonja Bajraktari! Ju denonconi Myftininë e Shkodrës e disa funksionarë në bashkinë e këtij qyteti që duan t’u prishin banesën dhe biznesin e  ligjshëm për përfitime personale… Cili është objekt i këtij denoncimi?

-Po. Denoncoj Myftininë dhe drejtues të bashkisë, që në kundërshtim me vendimin gjykatës që më njeh pronësinë e tokës që ma ka dhënë shteti  unë e kam blerë dhe dokumentet për objektet (shtëpinë dhe biznesin bashkë) i kam të rregullta, duan të mi prishin. Aty, pranë Myftinisë e cila ka ngritur dhe objekt shumëkatësh për biznes (jo për rite fetare), duan të ndërtojnë një pallat disa kate… Përveç synimit për të prishur objektin tim, duke siguruar dhe dokumente false, dhe më kanë kërcënuar… Kjo, pasi më kanë ofruar dhe kompromis, që në fakt nuk pranojnë që ky të mbështetet në dokumente zyrtare..

Mund të na shpjegoni më konkretisht situatën?

-Bëhet fjalë për një ndërtesë 3 kate, biznes dhe shtëpi banimi që ne kemi në pronësi si familje. Bëhet fjalë për një sipërfaqe 187 m2. Objekti është ndërtuar në vitin 1992, në një tokë shtetërore, që na e dha shteti me dokumente dhe që ne e kemi paguar. Në vitin 1998 bëmë regjistrimin e ndërtesës në hipotekën e Shkodrës. Pronësinë na e ka njohur dhe gjykata e Shkodrës (pasi bashkia dha shkresë me firmë e me vulë që gjithçka ishte në rregull) me vendimin Nr.341, datë 22.05.1998. Mbi këtë bazë, morëm vendimin e pronësisë me vendimin e datës 8 qershor 1998. Këtu, nisin telashet…

Çfarë ndodhi në vazhdim?

-Në vitin 2000 vijnë dy persona të Myftinisë (e njohim njeri-tjetrin) dhe më thonë:’Kjo tokë është e jona!”. Burri i përgjigjet:’Unë njoh pronar shtetin, tokën ja kam blerë shtetit dhe banesën e kam hipotekuar’.  Shkuam më pas në bashki dhe u thamë se kemi probleme me tokën, ata të Myftinisë thonë se është e tyre… Këtu ndodhi çudia… Ata të bashkisë që e dinin problemin, që kishin dhënë dokumente me firmë e vulë, bëhen palë me Myftininë… Kështu, problemi vajti në gjyq..

Çfarë vendosi gjyqi?

-Me Vendimin nr. 587, datë 2.5.2003, na njeh pronësinë e tokës. Nuk pati ankimim as nga Bashkia, as nga Myftinia. Kështu, shkuam në hipotekën e Shkodrës për të bërë regjistrimin. Atje na thanë:”Këtë tokë e ka regjistruar Myftinia!”. U çuditëm. Më tej shtuan se kjo tokë u është njohur nga Komisioni i Kthimit të Pronave, e se duhet të hidhnim në gjyq Myftininë!?. Burri u tha: “Unë nuk kam punë me Myftininë, unë kam punë me shtetin. Atij i kam blerë tokën!”.

Më konkretisht, kush janë të interesuar direkt?

-Bashki-Myftini, ka interesa. Ngjitur me ne, është bërë një qendër biznesi 4 kate (jo për rite fetare) dhe u intereson toka ku jetojmë ne. Me mashtrime, duan të na e marrin, bile në 2005  e prishen gjysmën e banesës…  Pastaj  u tërhoqën e ne e ndërtuam. Më parë, O. Rusi, kryetar i Bashkisë, çuditërisht na çon një letër e na lajmëron se objekti jonë do të prishet…

Keni biseduar me Myftininë?

-Kemi biseduar me tre Kryemyftinjtë. Njëri prej tyre, Myftiu i dytë, N. Sulejmani akuzohet për probleme tokash, e ka ikur, tani ndodhet në Angli. Myftiu  i tanishëm na thotë se, “toka është e Myftinisë, hipoteka ka bërë gabim”, por nuk paraqesin e nuk kanë një dokument për këtë…

Çfarë duan të bëjnë në pronën që ju pretendoni që është e juaja?

-Nuk e di, duan të bëjnë një objekt, është një firmë, janë miq të krerëve të bashkisë…

Keni kontaktuar drejtues të lartë të shtetit për këtë shqetësim?

-Po. Para gjyqit, i kam dal vetë 2-3 herë përpara ish-Kryeministrit Sali Berisha. Dhe e kam takuar. Ai u tha: “Hipoteka t’u regjistrojë pasurinë familjarëve!”.

Çfarë bëtë më pas?

-Shkuam në hipotekë. Na thanë po, e se do na e regjistronin. Por prit e prit, nuk na e regjistruan… Kishin filluar makinacionet… Dërguar letra lart në Tiranë se jo “ka një gjyq”, se “ka një vendim gjykate”.. Janë mashtrime…

Ju kanë afruar kompromis nga Myftinia?

-Po, kemi folur dhe kështu, por janë fjalë… Ne kërkojmë e besojmë në dokumente… Është absurde të veprohet në këtë mënyrë. Është shtëpia jonë, biznesi jonë, dokumentet në rregull. Pra është jeta jonë..