Arrestohen 7 persona për trafikim të paligjshëm emigrantësh

279
Sigal

Policia ka arrestuar 7 persona të martën në Vlorë, Gjirokastër dhe Tiranë, të cilët kishin trafikuar 20 emigrantë, duke shkelur ligjin.

Policia ka bërë me dije se fillimisht janë arrëstuar 2 persona në Llogara, të cilët po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm.

Ata ishin ndarë në 2 automjete të ndryshme tip “Toyota Yaris”. Të arrestuarit u kishin premtuar emigrantëve kalimin drejt vendeve të BE-së për 250 euro.

Policia ka njoftuar se emigrantët, të cilët vinin nga Lindja e Mesme, në Shqipëri kishin hyrë përmes kufirit me Greqinë.

“Në pranga kanë rënë një 25-vjeçar me iniciale A.B. banues në Tiranë dhe një 18-vjeçar me iniciale M.P. banues në Konispol, Sarandë”, ka njoftuar Policia.

Policia ka arrestuar në aksin rrugor Llogara-Orikum, një 24-vjeçar me iniciale A.K. banues në Lushnje. Sipas Policisë ai po transportonte 6 emigrantë të paligjshëm me një automjet tip “Benz”.

2 persona të tjerë Policia i ka arrestuar në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër. Ata po transportonin 6 emigrantë të tjerë.

“2 të rinjtë me iniciale E.Xh., 22 vjeç dhe I.Xh. 30 vjeç të dy banues në Tiranë po udhëtonin me mjetin tip “Benz”. Ata u kishin premtuar kalimin e emigrantëve drejt vendeve të BE-së në këmbim të 250 eurove”, ka njoftuar Policia.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.