Anketa e INSTAT dhe EUROSTAT konfirmojnë rritjen e varfërisë

129
Sigal

1-EUROSTAT: Gjysma e pagës në Shqipëri, për ushqime dhe ilaçe.

Edhe pse raportet e fundit evropiane i tregojnë shqiptarët si populli me më pak të ardhura e në pamundësi për të garantuar fundin e muajit, një tjetër raport i EUROSTAT tregon se për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët.

Sipas EUROSTAT, familjet shqiptare pjesën më të madhe të të ardhurave, 43,6 %, e shpenzojnë për t’u ushqyer që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.

Por, ndërsa për familjet shqiptare, sigurimi i ushqimit është shpenzimi kryesor, për familjet europiane kjo nuk është aspak problem.

Në vitin 2021, një familjeje europiane i mjaftonin vetëm 14,3% e shpenzimeve totale për të siguruar ushqimin, shifër kjo disa herë më e vogël se në Shqipëri.

Por jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian. Në Shqipëri kostoja e ushqimit është më e lartë edhe se në vendet e rajonit.

Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për Bosnjë e Hercegovinën 29,5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24,6%.

Ndërkohë që familjeve shqiptare u mbeten të ardhura minimale për shpenzime të tjera, familjet europiane më së shumti shpenzimet i kanë për mirëmbajtjen e shtëpisë me 25% të totalit, përkundrejt 13% tek ne, për shkak të faturave më të larta të dritave e ujit dhe qirave më të shtrenjta.

Por, sërish, europianëve u mbeten më shumë para në dispozicion, pasi heqin shpenzimet bazë të jetesës (ushqimin dhe shtëpinë).

Për t’u argëtuar (ku përfshihen pushimet, pajisjet audio-vizuale, shërbimet kulturore) familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkundrejt 6.1% të Shqipërisë.

Për transport, kjo peshë është 12.1%, pothuajse sa dyfishi i Shqipërisë për shkak të numrit më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë (sërish tregues i mirëqenies), distancave më të gjata dhe lëvizjeve më të shpeshta në fundjavë.

Familjet europiane kanë më shumë para në dispozicion edhe për të kaluar kohë në restorante e hotele 6.6% përkundrejt 3.9% të familjeve shqiptare.

Ndonëse më të varfra, familjet shqiptare shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre 2.6% të mesatares, përkundrejt 0.9% të Europës, teksa Europa ka sistem të mirë të arsimit publik, ndërsa në Shqipëri vitet e fundit është rritur numri i universiteteve private.

Shëndeti është një tjetër shpenzim i domosdoshëm, sidomos në vitin e pandemisë, ku edhe pse me një sistem më problematik shqiptarët shpenzojnë më shumë për shëndetin se sa një qytet i vendeve të BE.

2- Shqiptarët u varfëruan që para krizës , rreth 623 mijë persona në rrezik

Më shumë se gjysmë milioni shqiptarë jetojnë nën kufirin për të qenë të varfër tregojnë të dhënat nga “Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës” për vitin 2021, e publikuar së fundmi nga “Instituti i Statistikave”. Sipas kësaj ankete janë rritur pothuaj të gjithë treguesit kryesorë të rrezikut për të qenë i varfër dhe përjashtimit social gjatë vitit 2021, kundrejt vitit 2020. Treguesi i rrezikut për të qenë të varfër në Shqipëri është 22% dhe ka pësuar rritje me 0.2 pikë, krahasuar me vitin 2020.

Pra, sipas të dhënave zyrtare referuar “Institutit të Statistikave”, mund të themi se shqiptarët janë varfëruar që para krizës. Nëse do të flasim për shkallën e thelluar të privimit material, e cila tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje, të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material, shifrat tregojnë se për vitin 2021 ky tregues është vlerësuar në 35.2%, duke pësuar rritje me 0.5 pikë përqindje, kundrejt vitit 2020. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2021 është vlerësuar me 191.791 lekë, ose rreth 16 mijë lekë në muaj, në krahasim me 186.242 lekë që ishte në vitin 2020.

Një tjetër tregues, i cili ka regjistruar ndryshim jo shumë pozitiv përgjatë vitit 2021 është edhe intensiteti në punësim. Individët e grupmoshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim në vitin 2021 sipas vlerësimeve përbëjnë 12,4%, kundrejt 11,6% rezultuar në vitin 2020, duke pasqyruar një rritje prej 0,8 pikë përqindje.

Rreziku për të qenë i varfër sipas statusit të punësimit, për të punësuarit e moshës 18 vjeç e lart, në vitin 2021 ka shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Rreziku për të qenë i varfër tek individët e papunë ka pësuar një rritje prej 1,1 pikë përqindje, ndërsa tek pensionistët ka pësuar një rritje prej 0,1 pikë përqindje. Ndërkohë, përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër sipas tipit të familjes, në vitin 2021, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 12,8 % dhe 25,9 % e individëve.

Krahasuar me Europën, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet e para edhe për vitin 2021. Përgjatë kësaj periudhe, Shqipëria renditet në vend të katërt si shteti me rrezikun më të lartë për të qenë i varfër. Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Letoni me 23,4%, Rumani me 22,6%, Bullgari me 22,1%. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2021 është 16.8%.