Analiza e fortë në median amerikane: Departamenti i Shtetit i Blinken e shtyu Shqipërinë nga demokracia në narko-shtet

32
Sigal

Analisti i njohur amerikan, Michael Rubin, vjen me një tjetër shkrim të fortë në median amerikane. Në analizën e tij të publikuar në portalin 1945, ai shkruan se Departamenti i Shtetit i Antony Blinken e shtyu Shqipërinë që të kalonte nga demokracia në narko-shtet. Më poshtë analiza:

Më 11 maj 2025, shqiptarët do të drejtohen drejt kutive të votimit për të zgjedhur një parlament të ri. Nëse kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ia del mbanë, kjo mund të jetë hera e fundit që vendi ballkanik voton. Ajo që dikur konsiderohej një model i tranzicionit post-komunist, tani lëkundet sërish në prag të një diktature. Ndërhyrjet e pakujdesshme të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë transformuar gjithashtu një nga ekonomitë më premtuese të Ballkanit në një narko-shtet.

Ringritja e Shqipërisë nga diktatura komuniste

Shqipëria për një kohë të gjatë ishte një histori suksesi pas Luftës së Ftohtë. Gjatë sundimit të Enver Hoxhës në këtë periudhë, Shqipëria ishte po aq represive sa Koreja e Veriut. Megjithatë, pas vdekjes së Hoxhës dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, Shqipëria u rimëkëmb.

Populli i saj la pas anti-amerikanizmin e imponuar nga shteti dhe u bë ndër mbështetësit më entuziastë të Shteteve të Bashkuara. Shqipëria voton njësoj shpesh me SHBA-në në Kombet e Bashkuara sa edhe Australia, madje më shpesh sesa aleatë tradicionalë si Holanda, Spanja apo Suedia.

Shumë nga meritat për transformimin e Shqipërisë i atribuohen Sali Berishës, një kardiolog që fitoi gjithnjë e më shumë rëndësi në vitin 1990 kur udhëhoqi thirrjet për t’i dhënë fund monopolit të Partisë së Punës së Shqipërisë mbi pushtetin. Ai e kritikoi vazhdimisht pasardhësin e Hoxhës, Ramiz Alinë, për  reformat sipërfaqësore. Në fund, Berisha themeloi Partinë Demokratike të Shqipërisë, një parti hapur qendrore e djathtë. Në zgjedhjet e para të lira të Shqipërisë në vitin 1991, Berisha fitoi më shumë se një të tretën e votave, pavarësisht monopolit pothuajse të plotë të Alisë mbi median dhe shoqërinë. Një vit më vonë, Partia Demokratike fitoi gati 60 për qind të votave dhe Berisha u bë president.

Ishte një kohë transformuese. Berisha privatizoi tokën dhe shtëpitë. Brenda pak vitesh, sektori privat shqiptar përbënte tre të katërtat e prodhimit të brendshëm bruto. Ai uli inflacionin në nivele njëshifrore dhe lejoi që feja të lulëzonte sërish pas dekadash shtypjeje komuniste.

Jo çdo gjë gjatë mandatit të tij ishte pozitive. Shqiptarët humbën kursimet e jetës në skema piramidale në një kohë kur Partia Demokratike kishte pothuajse kontroll të plotë. Dhuna shpërtheu pasi shqiptarët fajësuan qeverinë. Kur një parti ka monopol, rritet arroganca dhe ndjesia e pandëshkueshmërisë. Megjithatë, shqiptarët e morën seriozisht demokracinë e tyre. Në vitin 1997, ata ndëshkuan Partinë Demokratike. Partia Socialiste fitoi më shumë se gjysmën e votave dhe Berisha bëri një kalim të qetë në rolin e liderit të opozitës. Ai u rikthye në pushtet si kryeministër tetë vite më vonë dhe punoi ngushtësisht me Presidentin George Ë. Bush për të fituar pavarësinë e Kosovës. Ndërtimi i rrugëve dhe zhvillimi i infrastrukturës karakterizuan mandatin e tij.

Tradhtia e Edi Ramës ndaj demokracisë

Pas humbjes në vitin 2013, Sali Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë, megjithatë mbeti një figurë me ndikim të madh dhe, për këtë arsye, një objektiv politik — pak a shumë si ndikimi i Ronald Reagan apo Barack Obamës në SHBA, që vazhdoi edhe pas largimit të tyre nga detyra. Por ndryshimi mes Amerikës dhe Shqipërisë qëndron në faktin se, pasi Reagan dhe Obama mbaruan mandatin e dytë, edhe kundërshtarët e tyre politikë nuk u shqetësuan se ata do të riktheheshin.

Për Edi Ramën, liderin e Partisë Socialiste që u bë kryeministër në vitin 2013, hija e Berishës ishte e madhe dhe e rëndë. I pakënaqur që e kishte mposhtur në zgjedhje, Rama e përkushtoi veten për ta diskredituar dhe përjashtuar Berishën nga skena politike. Fatkeqësisht, në këtë drejtim, Rama gjeti aleatë në administratën Obama dhe në shumë figura të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët nuk kishin shumë besim tek e djathta qendrore. Rama zbuloi shpejt se çdo akuzë që hidhte ndaj Berishës, do të gjente besueshmëri në Uashington.

Sigurisht, korrupsioni në Shqipëri ishte i vërtetë. Në vitin 2010, Shqipëria renditej e 116-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International — më keq se çdo vend tjetër europian, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë. Një dekadë më vonë, pas shtatë vitesh nën drejtimin e Ramës, Shqipëria kishte përmirësuar vetëm paksa pozicionin, duke u renditur e 104-ta, vetëm pak më mirë se Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Departamenti i Shtetit goditi rëndë demokracinë shqiptare

Meqenëse lufta kundër korrupsionit ishte një çështje madhore, administrata Obama dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) mbështetën krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ishte një ide e mirë, por u zbatua keq. Ashtu siç Recep Tayyip Erdoğan mori nën kontroll zyrën e auditimit bankar për të goditur kundërshtarët e tij, edhe Edi Rama e përdori SPAK-un si armë politike. Objektivi i tij kryesor? Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.

Këtu hyn në skenë Yuri Kim, një diplomate karriere që u bë ambasadore e SHBA-së në Shqipëri në vitin 2020; ishte pozicioni i saj i parë si ambasadore. Ajo e përqafoi Ramën — në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe figurativ — duke treguar hapur mbështetje për të dhe duke përçmuar Partinë Demokratike dhe opozitën, madje i tha paturpësisht Berishës të “hante bar”. Armiqësia ideologjike e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, ndaj qendrës së djathtë, njëanshmëria e Kim dhe gatishmëria e Samantha Power, administratore e USAID-it, për ta lejuar Ramën të shndërrojë SPAK-un në një armë politike, çuan në një vendim katastrofik të Departamentit të Shtetit për të shpallur Berishën dhe familjen e tij person non-grata dhe për t’u hequr vizat për në SHBA.

Për të kënaqur Yuri Kim dhe Departamentin e Shtetit, Partia Demokratike e përjashtoi Berishën. Por kjo nuk funksionoi. Ndërsa Rama bëhej gjithnjë e më i korruptuar dhe Partia Demokratike humbiste vazhdimisht zgjedhjet, mbështetësit u mblodhën sërish rreth Berishës, i cili në vitin 2022 rifilloi rolin si lider i opozitës.

Ka tre paralele me atë që Departamenti i Shtetit dhe administratat Obama dhe Biden i kanë bërë Shqipërisë, dhe të gjitha këto po përplasen sot. E para është Zimbabve, ku, për arsye ideologjike, administrata Carter përqafoi Robert Mugabe-n, edhe kur ishte e qartë se retorika e tij e majtë kishte më shumë të bënte me konsolidimin e një diktature sesa me drejtësinë sociale.

E dyta është Turqia, ku iluzionet dhe dëshira e ambasadorëve të njëpasnjëshëm për të vendosur marrëdhënie personale me Erdoğanin në vend të mbrojtjes së demokracisë, e shtynë liderin turk të besojë se mund të sulmonte kundërshtarët dhe shoqërinë civile pa asnjë pasojë. Në Turqi, shënjestrat ishin Selahattin Demirtaş, Osman Kavala dhe Ekrem Imamoğlu; në Shqipëri, ato janë Sali Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

E treta është Panamaja, ku Edi Rama po shndërrohet shpejt në ekuivalentin ballkanik të diktatorit panamez Roger Noriega. Jo vetëm që Rama e ka kthyer Shqipërinë në një nyje kryesore për trafikun e kokainës dhe opiumit nga Turqia drejt Europës, por edhe vendimi i tij për të legalizuar kultivimin e kanabisit ka përmbysur bujqësinë shqiptare. Shqiptarët tashmë flasin hapur për “marijuanizimin” e ekonomisë së tyre.

Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri — një fushë ku janë të përfshirë edhe Alex Soros (djali i George Soros) dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner — është kthyer në një qendër për pastrimin e parave. Ndërsa liderët shqiptarë deklarojnë se kanë shpenzuar 800 milionë dollarë për projekte ndërtimi, në fakt deklarojnë shifra pesëfish më të mëdha. Nuk ka akuza ndaj Soros apo Kushner për përfshirje të drejtpërdrejtë — të dy bëjnë kontrolle të imtësishme dhe janë të vetëdijshëm se janë në qendër të vëmendjes — por tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme po përjeton një bum dhe njëkohësisht është kthyer në “perëndimin e egër”.

A do të jenë zgjedhjet e muajit të ardhshëm të fundit për Shqipërinë?

Ashtu siç Erdogan dikur e krahasonte demokracinë me një makinë — e nget derisa të arrish aty ku të duhet dhe pastaj zbret — edhe Edi Rama duket se është gati të braktisë fasadën se respekton demokracinë.

Ironikisht, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit vazhdon të shënjestrojë Berishën dhe politikanë të tjerë pro-amerikanë për korrupsion të supozuar, provat tregojnë se korrupsioni qëndron tek vetë Rama dhe te ata amerikanë që ai ka komprometuar. Në shkurt 2024, një gjykatë në Nju Jork dënoi Charles McGonigal, ish-shef i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, për marrjen e 225,000 dollarëve nga një agjent shqiptar për të promovuar biznese me Ramën dhe njerëzit e tij. Shumë shqiptarë shpresojnë që një administratë e mundshme e Trump do të auditojë pagesat e USAID për SPAK-un, si dhe mandatin e Yuri Kim në ambasadë, për të zbardhur dyshimet dhe teoritë konspirative që i rrethojnë.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio duhet të kuptojë se synimi i Ramës për të goditur ligjërisht Berishën ka më pak të bëjë me qeverisje të pastër dhe më shumë me dëshirën për të eliminuar përfundimisht 80-vjeçarin Berisha dhe përmes tij, të djathtën shqiptare. Departamenti për Efiçencën Qeveritare (DOGE) ka detyruar grupe si Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) të ndalojnë monitorimin e zgjedhjeve. Kjo është e pranueshme, por kjo nuk do të thotë që Departamenti i Shtetit nuk duhet të ndërhyjë. Pyetja për Rubion është nëse do të mbështetet te ekipi i tanishëm për Shqipërinë dhe ata të vendosur nga Yuri Kim me agjenda të caktuara, apo nëse do të vendosë diplomatë më neutralë përkohësisht për të monitoruar zgjedhjet. Rubio duhet gjithashtu të kuptojë se sanksionet e Blinken kundër Berishës ishin po aq të motivuara politikisht dhe mashtruese sa edhe heqja e sanksioneve ndaj Huthive.

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë. SHBA nuk duhet t’i tradhtojë. Rreziku i mbajtjes së anës është i dyfishtë: së pari, tradhton demokracinë kur Departamenti i Shtetit përdor mjete të pandershme për të manipuluar ekuilibrin, dhe së dyti, sepse ata që i thurin lavde ambasadorëve amerikanë e bëjnë këtë për përfitime personale dhe jo për interesat e SHBA-së. Koha po mbaron; Rubio duhet të veprojë tani./1945