Ambasada e SHBA-personelit: Shmangni takimet me Taulant Ballën deri në sqarimin e akuzave

194
Sigal

Ambasada e SHBA ka mbajtur qëndrim pas akuzave të forta që janë bërë në adresë të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. 

Syri.net mëson ekskluzivisht nga burime pranë qeverisë se ambasada amerikane në Tiranë ka porositur personelin e saj që të shmangin takimet publike dhe çdo lloj takimi me Taulant Ballën, deri në sqarimin e akuzave në adresë të tij.

Mësohet se personelit të ambasadës së SHBA i është shpërndarë një mesazh dhe porosia ka qenë e prerë për të gjithë stafin diplomatik.

Në adresë të Taulant Ballës janë bërë akuza të forta nga Ardian Çapja se ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra.

Sipas tij, avokati arriti të siguronte disa përgjime të prokurorisë për Taulant Ballën dhe për këtë u vra. Ekzistenca e këtyre përgjimeve nuk ishte e njohur, deri kur foli Çapja.

Syri.net ka publikuar të dhëna nga fashikujt hetimorë për përgjimet e prokurorisë ndaj Ballës.

Taulant Balla është vënë nën përgjim telefonik nga Prokuroria pas masakrës së 3 shkurtit të vitit 2016 në Elbasan, ku u ekzekutuan në një atentat tre persona (Agron Ramazan Çapja, Ardit Enver Sinakoli, dhe Eno Kujtim Bedalli), ndërsa 8 të tjerë u plagosën.

Hetimet e policisë dhe prokurorisë, sollën përgjimin e dhjetëra personave me qëllimin e vetëm krijimin e dyshimeve se kush mund të ishin vrasësit.

Mes shumë numrave është vënë në përgjim dhe numri i deputetit të PS-së,Taulant Balla.

Kërkesa për vënin në përgjim të Ballës, është bërë nga dy oficerët Edvin Ndreu dhe Eduard Hasani, të cilët i kërkonin prokurorëve të çështjes, vënien në përgjim të listës numerike të ofruar nga policia.

Nga sa ka rezultuar të gjithë numrat janë vënë në përgjim, nga gjykata, përfshirë këtu dhe ai i deputetit Taulant Balla.

Për shkak të ngjarjes shumë të rëndë, numrat janë vënë me shumë urgjencë në përgjim, dhe Taulant Balla, është përgjuar për vetëm dy ditë.

Telefoni i Ballës që mbaron me numra fundorë 399, është përgjuar për 46 orë e 50 minuta me radhë. Përgjimet u fshinë disa ditë më pas me vendim gjykate, por ka të dhëna se një kopje e dosjes është ruajtur.

Gjithashtu, Balla përmendet edhe në biseda nga grupet kriminale me emrin ‘politikani Taulant’ se do të ndërhynte për t’u zgjidhur punë, madje ata e quanin motori.

Balla përmendet edhe në bisedat telefonike nga pjesëtarët e grupit kriminal të Bajrave të Shkodrës.