Mimoza Çobo: “Shqiponja mediatike” që dritëron shpirtin e shqiptarëve

214

(Me rastin e ditës së themelimit të gazetës Telegraf”)         

Sigal

Ekzistenca e secilit prej nesh është e lidhur pazgjidhshmërisht me ekzistencën e atdheut. Prandaj lindja e njeriut dhe e çdo vepre të mirë të krijuar nga dora e mendja e tij, i shërbejnë ripërtëritjes së ekzistencës së tij dhe evolucionit njerëzor. Këtë mision të shenjtë, natyra ia ka dhënë në gen vetëm njeriut, të cilësuar si qenia më e zhvilluar e planetit. Më kot nuk thoshte Cicëroni:” Njeriu nuk lind për veten e tij, por për atdheun. ”Veprat e mira i kanë shërbyer çështjes kombëtare për liri e pavarësi, prosperitetit dhe ardhmërisë së vendit, janë produkte të mendjeve të ndritura të bijve më të devotshëm, emrat e të cilëve janë gdhendur në altarin e kombit, si simbol të patriotizmit dhe të humanizmit. Njerëzit e këtij vendi të cfilitur nga luftërat, diktatura dhe mungesa e lirisë së fjalës, kanë luftuar dhe luftojnë me mënyra të ndryshme për të qenë qytetarë të lirë dhe njerëz të civilizuar me mendime demokratike për jetën, në funksion të të mirës së kombit. Prandaj veprat e mira të lartësuara mbi altarin e sakrificave të panumërta njerëzore, fitojnë dimensione të mëdha atdhetare e patriotike, kurse misionarët e këtyre veprave, ngrihen madhërishëm në piedestalin e kohës dhe të historisë. Një prej këtyre veprave, të krijuar nga nevoja imediate për të shuar urinë e lirisë së fjalës së cuguar dhe për të qenë pjesë e aspiratave të larta të shqiptarëve, është themelimi i medias së shkruar “Telegraf”. Kjo “shqiponjë” u lind në shpërgënjtë e “nënës shqiponjë “, gazetës së parë shqiptare në historinë e shtypit shqiptar, botuar, më 23 shkurt të vitit 1848 nga” babai “i gazetarisë shqiptare, De Rada, pasuar më vonë, në vitet 30’, me daljen në dritë të gazetave të tjera, nga figura shumë të rëndësishme si, Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Nebil Çika, që dhanë gjithçka të vyer nga vetja për ndërtimin e mediave, në shërbim të çështjes kombëtare. Por vitet e mëvonshme do të ishin tragjike për median e shkruar dhe për potencialin intelektual të vendit. Për rreth 45-vjet, media e shkruar dhe ngadhnjimi i arsyes, do të lëngonin nën kthetrat e regjimit totalitar komunist. Pas kësaj periudhe apokaliptike të fjalës së lirë, starton në vitet 90’, epoka e re për shqiptarët dhe median e shkruar, me lindjen e së përditshmes “Rilindja Demokratike” dhe të shumë gazetave të tjera, të cilat janë gur themeli i shtypit shqiptar. Në këtë përvjetor të themelimit të saj, gazeta “Telegraf “, kjo “shqiponjë”mediatike valëvit flamurin e idealit më të pastër kombëtar, në lartësitë alpine të panteonit të medias së shkruar. Përvjetori i themelimit të kësaj gazete, përkon me 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndaj sot, e ndiej obligim moral e krenari kombëtare, të përcjell urimet e mia si qytetare e këtij vendi dhe si poete, me dëshirën e mirë për ta parë Mëmëzonjën Shqipëri, faqebardhë nën dritën e diellit, kryezonjë të Mesdheut, me djem e vasha, si yjet e qiellit.

Bashkëkombësit e mi: Gëzuar Ditën e bekuar të Pavarësisë! E ndriçuar dhe e lartësuar qoftë përjetësisht kjo ditë në memorien e historisë sonë të lavdishme! Bijë e bija të shqipes kudo që jetoni e punoni, lartësojeni emrin e ndritur të Ismail Qemalit, që meriton plotësisht të quhet “Skënderbeu i dytë” i shqiptarëve! Vëreni vath në vesh thënien e vyer të Nolit: “Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe stoli e maleve të larta dhe të qiellit.”Në rrjedhën e kësaj thënieje spikatin edhe vlerat e njeriut intelektual, themeluesit të kësaj gazete,që fatin e vet e shikon të lidhur me fatin e atdheut dhe të bashkëkombësve të tij.

Kjo gazetë me hijen e rrapit madhështor, qetëson tingujt e frymës së atdheut, kuron pulsin e zemrës së kohës dhe fashon plagët e hapura të varfërisë me eliksirin e të vërtetës absolute të fjalës së lirë. Jo më pak impresionues është edhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i gazetarëve hulumtues e investigativë të kësaj gazete, të cilët përballen denjësisht me sfida të panumërta, për të nxjerrë në dritë në kohë reale, rrënjët e çështjeve immediate, që shqetësojnë shoqërinë dhe që i mbahen të fshehta publikut të gjerë. Duke e patur në gjak pasionin për profesionin e gazetarisë, këta gazetarë dinjitozë ushqehen nga bindja, se tehu i mprehtë i fjalës së tyre godet ashpër fenomene të ndryshme të politikës shqiptare, të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që së bashku përbëjnë eksplozivin shkatërrimtar për themelet e demokracisë, qendrueshmërinë e shtetit ligjor, progresin ekonomik, arsimor e kulturor të vendit, si dhe vënë në rrezik edhe sigurinë e prosperitetin kombëtar. Nga materiali investigues i vjelë me përkushtim nga gazetarët  që me armën e fuqishme të së vërtetës godasin djallin e së keqes, shqiptarët  mësojnë çmimin e lirisë së tyre dhe të drejtën për të jetuar e gëzuar të gjitha mrekullitë e kësaj toke të bekuar nga Zoti jo si një turmë njerëzish të nëpërkëmbur, që mbajnë mbi supe peshën e varfërisë ekstreme, trokëllimën e hidhur të lotit të shpopullimit dhe breshërin kokërrmadh të përbuzjes, por si qytetarë të lirë të një shoqërie demokratike në zhvillim. Dhe nuk ka si të ndodh ndryshe me gazetarët, sepse rrënjët e tyre marrin jetë te shpirti shumëshekullor i popullit, të cilit i përkasin, prandaj i ndjejnë dhimbjet e plagëve të tij deri në palcë. Por mbi të gjitha: “Gazetaria nuk mund të heshtë kurrë: ky është virtyti dhe faji i saj më i madh.” – ka thënë Henry Anatole Grunëald. Ndaj në këtë përvjetor të themelimit të gazetës mbarëkombëtare“Telegraf”, është privilegj për mua, të përcjell urimin e përzemërt për gazetën më të dashur të shqiptarëve dhe për gazetarët profesionistë të saj, si dhe të nderoj rolin që luan kjo gazetë në konsolidimin e një demokracie të qëndrueshme dhe të një shoqërie të hapur e transparente në Shqipëri:

Gëzuar ditën e bardhë të themelimit, “Shqiponja” mediatike “Telegraf”!

Gazetarë të nderuar, misionarë të kësaj gazete,Ju jeni heronjtë e heshtur të Shqipërisë, të popullit të saj të përvuajtur që kërkon të rilindë si Feniksi mbi hirin e plagëve të së kaluarës tragjike dhe plagëve të freskëta të së tashmes dramatike. Ju jeni dielli i shpresës për jetën në syrin e çdo shqiptari dhe fanar drite i ardhmërisë së kombit, ndaj mesazhi që dua t’u përçoj është një dhe i vetëm: Çmojeni profesionin tuaj, luftoni për të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, sepse kur fjala e lirë është në rrezik, atëherë rrezikohet jo vetëm misioni juaj i shenjtë, por të gjitha liritë që i janë atribuar racës njerëzore.

Rrugëtimin e vështirë, plot sfida të kësaj gazete, e udhëheq me profesionalizëm e përkushtim të jashtëzakonshëm, intelektuali dhe publicisti i shquar, z. Ëngjëll Musai, i cili është vlerë e potencial intelektual për median e shkruar shqiptare dhe elitën e kombit. Ëngjëll Musai, ky intelektual i përmasave kombëtare, një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar kauzës së shenjtë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe SHBA. I cilësuar si njeri elokuent me aftësi të rralla e të veçanta prej mendimtari në analizimin e problemeve të mëdha të kohës, që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, rajonin e më gjerë, Ëngjëll Musai është vlerësuar me Certifikatë “Mirënjohje” nga kongresisti amerikan Eliot. L. Engel. Nën kujdesin e tij, gazeta “Telegraf”, është një vëzhguese e mprehtë e panoramës së gjerë të realitetit shqiptar dhe e çështjeve problemore që ngacmojnë ndjeshëm ndërgjegjen e shqiptarëve. Duke mbajtur qëndrim aktiv mediativ të pakufizuar ndaj realitetit të kohës, kjo gazetë ka fituar epërsi mediatike me galerinë e pasur panoramike të informacionit, që pasqyron realisht në faqet e saj voluminoze, ku zënë vend të veçantë jo vetëm aktualiteti, periodiciteti publicistik, universaliteti, por, edhe vitrina e muzës së pashtershme të autorëve të letërsisë shqipe. Suplementi ” Pena shqiptare” është pa dyshim një nga vizionet më të plota të universit të artit të të shkruarit, është shkëlqimi i dritës që i lejon lexuesit të riprodhojë në detaje tërësinë e botës njerëzore ku vegjetojnë. Kushdo që shfleton faqet voluminoze të suplementit “Pena shqiptare “, për një çast i krijohet përshtypja e parimit muzikor të polifonisë, ku secili ka zërin e vet dhe të gjithë së bashku krijojnë një kumbim të vetëm, ku përzihen me madhështi mahnitëse, tonet lirike me ato heroike e tragjike. Mendoj se çdo lexues i vëmendshëm këtë kumbim e ndjen me intuitën e tij dhe dashurohet me formën e ligjërimit, që s’ka si synim të ndryshojë botën, por ta paraqesë atë me një gjuhë specifike dhe unike. Në faqet e gazetës Telegraf duket prirja për ta dhënë jetën politike, ekonomike e kulturore të vendit me ngjyrat e vërteta të saj dhe shpeshherë merr hovin e vërshimit gazetaresk nëpërmjet sarkazmës therëse, me të cilën godet shkakun e fenomeneve të rënda të kohës. Veprat e mira që vihen në shërbim të kombit janë produkt i njerëzve të civilizuar e me shpirt human, ndaj në këtë ditë kaq të veçantë për gazetën “Telegraf “dëshiroj të përcjell një urim special për intelektualin elitar, Ëngjëll Musai:

“Gëzuar ditën e bekuar, kur ju çelët dritaren e shpresës, që shpërndan dritën e të vërtetës dhe energjitë pozitive të kohës, që krijojnë bazën e themelit e të ardhmes shqiptare! Shpreh bindjen se gazeta që ju drejtoni me dinjitet, si ithtar i mendimit të lirë, do të jetë përherë në mbrojtje të aspiratave themelore të kombit dhe të të drejtave të shqiptarëve, si zotër të vetëm të truallit të lashtë arbëror.”

Rrugëtim të mbarë gazeta “Telegraf”!