Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Dy gëzime në një ditë! 28 Nëntori është një ditë e bekuar për Kombin dhe për miliona shqiptarë, që jetojnë në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Çamëri, Preshevë, por edhe për miliona të tjerë që banojnë kudo në botë, për një jetë më të mirë. 28 Nëntori është dita e Pavarësisë Kombëtare, që erdhi falë sakrificës, mundit dhe gjakut të Rilindjes Kombëtare, burrave të mënçur dhe atdhetarëve me në krye Plakun e Vlorës Ismail Qemali, pas 500 vitesh pushtimi nga Perandoria turke.
Por dita e 28 Nëntorit shënon edhe ditëlindjen e Gazetës ‘Telegraf.al’ Rrugëtimi i ‘Telegraf’ nisi më 28 Nëntor 2005, ku nën ideimin dhe iniciativën e botuesit Agim Çiraku, i cili së bashku me një grup gazetarësh hodhi në treg një titull të ri shtypi. Natyrisht, që fillimi nuk ka qenë i lehtë, në një treg të ngjeshur mediash të shkruara, ku disa tituj lindnin dhe disa zhdukeshin. Por hap pas hapi, ajo zuri vendin e vet te lexuesit shqiptarë, duke i mbijetuar situatave nga më të ndryshmet, presioneve, por edhe epidemisë së shekullit.

Sot u bënë 17 vjet, që nga koha, kur gazeta “Telegraf” ka dalë për herë të parë në treg. Që atëherë e deri më tani, kanë dhënë kontributin e tyre një sërë reporterësh, korrektorësh, faqosësh, gazetarë të WEB-it, redaktorësh e kryeredaktorësh, por më të shenjtë për këtë gazetë kanë qenë: Parimi për të shkruar të vërtetën, për të qenë pranë veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të të gjitha kohrave, ish – të përndjekurve, që u pushkatuan, internuan dhe dëbuan, pronarëve, ushtarakëve, pensionistëve, mësuesve e pedagogëve, nxënësve dhe studentëve, njerëzve të pambrojtur, pranë të gjitha komuniteteve dhe shtresave, si dhe për t’u shndërruar në një luftëtare e orëve të para për shtetin e së drejtës, drejtësisë së pavarur dhe jo asaj me makiazh qeveritarësh, pa asnjë kompromis me zyrtarët e inkriminuar dhe të korruptuar në të gjitha nivelet.
Telegraf ka qënë dhe do të mbetet një dritare e hapur për të gjithë vëllezërit që jetojnë jashtë Shqipërisë, analistët dhe komentuesit, opinionistët dhe gazetarët që me përvojën e tyre kanë qënë dhe mbeten një rreze drite jo vetëm për stafin, por për të gjithë lexuesit e Telegraf. Janë të shumtë në numër plejada e këtyre mjeshtrave të fjalës së urtë, të mënçur dhe plot vlera në shërbim të Kombit. Një urim special në këtë përvjetor të Telegraf shkon për bashkëpunëtorin, analistin dhe gazetarin model të shtypit, ish-Drejtorin e VOA-s për Euro-Azinë z.Frank Shkreli dhe botuesin e Gazetës Telegraf Agim Çiraku. Duke qenë se është e pamundur për t’i përmendur një e nga një, do më duhet që t’u bëjë një homazh të gjithë bashkëpunëtorëve që nuk jetojnë për shkak të situatës së krijuar nga problemet shëndetësore dhe sidomos Covid -19, ku emrat e shquar si: Dritëro Agolli, Prof. Agron Fico, ish-Presidenti Bujar Nishani, poeti Arben Duka, Xhevat Lluri etj, meritojnë mirënjohje të veçantë për gjurmët që kanë lënë në Gazetën Telegraf.
Askush nuk është i përjashtuar në “Telegraf”, falë filozofisë së saj, për të qenë sa më afër shtresave të gjera popullore, por edhe duke pasur një individualitet të spikatur falë suplementeve për letërsinë, mjekësinë, drejtësinë, kulturën, pensionet, emigracionin, inteligjencën, tendencën verore, etj.

“Telegraf” ka qenë mjaft e ndjeshme ndaj çështjes kombëtare, duke sjellë në faqet e saj, jo vetëm realitetet brenda kufirit shtetëror, por edhe çështjen shqiptare dhe emigracionin shqiptarë të hershëm dhe të ri kudo në botë. Duke mbyllur këto radhë modeste në këtë ditë të veçantë, më duhet të them se Gazeta “Telegraf” falenderon të gjithë lexuesit e saj, por me kurajo edhe i kërkon ndjesë cilitdo, që mund ta ketë cënuar sadopak padrejtësisht duke premtuar se asnjëherë shkrimet tona nuk kanë qënë qëllim në vetvete. Edhe në të ardhmen Gazeta ‘Telegraf’ ka pasur dhe do të ketë si model të punës së saj Liritë Themelore dhe të Drejtat e Njeriut sipas thënies madhështore të Presidentit Amerikan Franklin Roosevelt (1882 -1945), i cili 81 vite më parë më 06 janar 1941 ka renditur:
E para – lirinë e fjalës dhe të shprehjes;
E dyta – të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit;
E treta – zhdukjen e varfërisë;
E katërta – çlirimi nga frika.
Ndaj në këtë 28 Nëntor bashkë me urimin për Pavarësinë e Kombit, në emër të botuesit dhe stafit të Gazetës Telegraf, urojmë të gjithë lexuesit, por edhe shqiptarët kudo që janë: Paçi sa më shumë gëzime, lumturi dhe mbi të gjitha shëndet në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Kombin shqiptar!





















