Prof. Dr. Lush Susaj: Shqipëria dhe Kosova në përvjetorin e festës kombëtare të Pavarësisë

277

Nuk mund të ketë zhvillim të Shqipërisë pa Kosovën, dhe anasjelltas.

Sigal

 

“Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një administratë më atdhetare e me intelektualë e specialist, që e kuptojnë që rruga e prosperitetit dhe e realizimit të pavarësisë reale kalon përmes bashkëpunimit dhe integrimit të vendeve tona në ekonomi, arsim, kulturë dhe diplomaci.”

Periudha 110 vjeçare e shtetit të pavarur shqiptar ka vërtetuar më së miri faktin që Shqipëria pa Kosovën dhe anasjelltas, nuk janë dhe nuk mund të jenë demokraci dhe as ekonomi të pavarura, as konkuruese e as funksionale. Për këtë arsye, bashkëpunimi dhe të gjitha marrëdhëniet politike, shtetërore dhe ekonomike midis popullit dhe midis qeverive shqiptare në rajon, duhet të ishin në funksion të prosperitetit dhe të faktorizimit ekonomik e politik të shqiptarëve, si një burim sigurie, besimi dhe zhvillimi për trojet shqiptare, por edhe për popujt dhe shtetet e tjera të rajonit. Sikurse dihet, për një kohë shumë të gjatë (1913-1999), ky bashkëpunim nuk ka qenë i mundur, e kjo për shkak të coptimit të territoreve dhe popullsisë shqiptare në disa shtete, e që solli shëmbullin e pashembulltë të një shteti rakitikë, e që kufizohet nga të gjitha anët me territoret dhe me tokën dhe me popullsinë e vet. Në këtë mënyrë, akti i shpalljes së pavarësisë së 28 Nëntorit 1912, i menduar për të gjitha trojet shqiptare, defakto nuk është bërë realitet dhe nuk ka funksionuar në asnjë ditë të këtyre 110 vjetëve. Kjo fatkeqësi e pashoqe na ka ndjekur dhe po na ndjek për shkak të prevalimit dhe të dominimit të gjatë të politikave dhe të interesave orientale, mbi interesat dhe politikat kombëtare dhe Euro-Atlantikë të shqiptarëve. Degradimi dhe defaktorizimi me anë të sundimit të Shqipërisë dhe të Kosovës me njerëz injorantë, egoistë, hipokritë, dhunues dhe fushnjorë në politikë, duket që është përvoja dhe mjeti më i mirë e më frutdhënës i botës orientale dhe qendrave antishqiptare të saj     .

Edhe nga ekzistenca e dy shteteve shqiptare, përsëri në këto 23 vjetë (1999-2022), nuk arriti që të prodhojë atë bashkëpunimin e duhur ndërshqiptarë. Duket sikur dy shtetet shqiptare po humbin më shumë kohë dhe energji duke qëndruar shpinë për shpinë, e në një mosdakordësi dhe ftohtësi të pashëmbulltë me njëri tjetrin.

Edhe pse sot kemi dy shtete dhe dy qeveri shqiptare, për fatin e keq, përsëri po shohim dhe kuptojmë që në axhendat dhe në planët e bashkëpunimit ndër shqiptarë, akoma ka shumë pak punë të sinqertë e në drejtim të bashkimit dhe të integrimit shoqërorë, politikë dhe ekonomikë të shqiptarëve. Qeverisjet orientale, si dhe sjellja e dyzuar e hipokrite e qeverive me shtetë formimin, me bashkimin kombëtarë dhe me standartet e demokracisë Euro-Atlantike, janë gafat më të mëdha të politikës dhe të qeverisjeve të hapësirës shqiptare. Këtu nuk e kam fjalën për një bashkim mekanikë tokash dhe administratash, as për një bashkim hajdutësh dhe hipokritësh me demagogji, duartrokitje dhe pushkë me barut të lagur. Është fjala për atë bashkimin e munguar përmes bashkëpunimit të mirëfilltë e me rezultate konkrete në ekonomi, në biznes, në banka, në arsim, në kulturë, e në standarte mjedisore, ushqimore dhe administrative.

Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një administrate më atdhetare e me intelektualë e specialist, që e kuptojnë që rruga e prosperitetit dhe e realizimit të pavarësisë reale kalon përmes bashkëpunimit dhe integrimit të vendeve tona në ekonomi, arsim, kulturë dhe diplomaci. Pa harruar faktin që në këtë bashkim, nuk ekziston pengesë tjetër, përveçse korrupsionit dhe përçarjes kombëtare të kultivuar dhe shërbyer nga emisarët dhe shtetarët e katapultuar në krye të institucioneve e gjithmonë të nënshtruar ndaj planeve dhe interesave të botës orientale.

Kosova dhe Shqipëria si realitete shtetërore e politike të botës Euro-Atlantike

Nga pikëpamja historike, ekzistenca e kombit dhe e shtetit shqiptar është përcaktuar nga lidhja historike e natyrore e Shqipërisë me Europën. Në lidhje me këtë realitet, Jorga ka shkruar se: “Arbëria në të vërtetë, ia detyron ekzistencën e saj dhe me gjasë, vetë konservimin e racës arbërore, raporteve të vijueshme me botën latine, kësaj mundësie për t’u shkëputur nga bota bizantine”. Që do të thotë që, për shqiptarët,besimi dhe rendja pas jetës dhe modeleve orientale ka prodhuar e do të prodhojëvetëm qafë thyerje, varfëri, prapambetje dhe fatkeqësi kombëtare.

Në çdo përvjetor të Pavarësisë, është koha kur duhen kujtuar ato ngjarje dhe pErsonazhe që ndikuan jo vetëm në shpalljen e Pavarësisë, por dhe në njohjen dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Në këtë kuadër, nuk mund të harrojnë historinë e lajmit të para 15 vjetëve, kohë kur presidenti i SHBA, George W Bush, erdhi në Tiranë, e me 11 qershor 2007, fjalë për fjalë është shprehur se: “Pavarësia është qëllimi. Kjo është çka populli i Kosovës duhet të dijë”.

Në këtë rrugë të shtetëformimit, SHBA ishin të parët që e njohën zyrtarisht shtetin e pavarur të Kosovës, e ku deklarata e njohjes është bërë nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, në të cilën thuhet: “Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Kosova për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve”.

E sikurse dihet, pavarësia e Kosovës është ajo pjesa më e munguar dhe më e rëndësishme e mozaikut të pavarësisë së Shqipërisë, pjesa më esenciale e aktit të shpallur me 28 Nëntor 1912.

Si për ngjashmëri, mund dhe duhet të kujtojmë edhe notën e Presidentit Wilson që pati mbërritur në Konferencën e Paqës në Paris me 6 mars 1920, në të cilën shkruhej se: “Integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm”. Kjo tregon se në këto 110 vjetë, nga SHBA dhe BE, për shqiptarët është investuar aq shumë mbështetje, vëmendje dhe siguri, e falë kësaj shqiptarët sot kanë territoret dhe pavarësinë e pacënueshme.

Në çdo përvjetor, mendoj se duhen kujtuar edhe disa nga ato ngjarjet, që lidhen me diplomacinë shtetë formuese, të viteve 1919-1920, e që kanë të bëjnë me lëvizjet dhe takimet (shumë pak të njohur nga ana e publikut) të delegacionit shqiptarë të përbërë nga imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta dhe Mehdi Frashëri dhe me Papa Benediktin e XV-të, në Vatikan.

Në kujtimet e shkruara nga imzot Luigj Bumçi, thuhet që në shkurt 1919, shqiptarët u këshilluen nga Ministri i Jashtëm i Italisë Sonino, që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe nga Shqipëria e Mesme. Vlen që të kujtojmë faktin që për shkak të mungesës së gjithpërfshirjes dhe përfaqësimit politik e shtetëror të shqiptarëve në institucionet e shtetit, si atëherë edhe sot, mosmarrëveshjet dhe përçarjet kishin arritur deri në atë pikë, sa ishin italianët ata që do të ndërhynin e do të mësonin drejtuesit politikë e shtetërorë se si me veprue për të sigurue gjithpërfshirjen, përfaqësimin dhe unitetin kombëtar para shteteve të botës.

Në të tilla rrethana, qeveria e Durrësit, pati vendosur që si kryetar të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris të ishte Ipeshkvi i Lezhës, Imzot Luigj Bumçi, i cili pati zgjedhur si sekretar të tij françeskanin e njohur At Gjergj Fishta. Ndërsa nga Shqipëria e Mesme ka marrë pjesë intelektuali i njohur Mustafa Kruja. Në përbërjen e delegacionit ishin edhe intelektualët Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Mehmet Konica.

Delegacioni shqiptar, në mbledhjen e zhvilluar me 22-23 dhjetor 1919, pati autorizuar Imzot Luigj Bumçin, që me autoritetin dhe me njohjet personale që kishte, të ndërhynte tek Papa i Vatikanit, për të siguruar mbështetjen dhe ndihmën e tij në sqarimin dhe në zgjidhjen e çështjeve të ngatërruara e delikate për kohën. Imzot Luigj Bumçi, së bashku edhe me Mehdi Frashërin arritën në Vatikan me 28 dhjetor 1919. Ndërsa takimi i tyre me Papa Benediktin XV-të është zhvilluar me datën 1 janar 1920. Sipas kujtimeve të Imzot Bumçit, në takimin e datës 1 janar 19120, përveç sigurimit të mbështetjes së shtetit tëVatikanit, Imzot Luigj Bumçi i ka kërkuar Papa Benediktit të XV-të, që të ndërhynte edhe pranë qeverisë së SHBA, për të siguruar mbështetjen e qeverisë së SHBA për integritetin shtetërorë dhe territorial tëShqipërisë.

Në këtë mënyrë është siguruar edhe mbështetja dhe ndërhyrja vendimtare e presidentit Ëilson dhe e qeverisë së SHBA, si dhe mbështetja e Papa Benediktit  XV-të, dhe shtetit të Vatikanit.

Duhen kujtuar patriotët dhe familjet shqiptare, që sakrifikuan pasurinë dhe jetën e tyre për shtet dhe për atdhe. Duhen kujtuar rilindasit dhe të gjithë intelektualët më të mirë të kombit që sakrifikuan dhe dhanë jetën për të bërë Shqipërinë, ndryshe nga elitat orientale, që sunduan dhe po e sundojnë kaq brutalisht e mizorisht, e vetëm në shërbim të klaneve të vogla të hajnisë, të korrupsionit dhe të interesave të botës orientale, nga ku Shqipëria po bëhet më e varfër dhe më e pamundur për të mbajtur popullsinë e saj. Festa e pavarësisë, si asnjë simbol e datës tjetër e historisë sonë kombëtare na bashkon në detyrimin dhe thirrjen e përjetëshme për bashkimin e vullneteve dhe të kontributeve më të mira për Shqipërinë dhe Kosovën, e për të qëndruar të fortë në rrugën e realizimit të plotë të projektit politikë e shtetërorë të Ismail Qemal Vlorës, shpallur me 28 nëntor të vitit 1912. Harresa dhe vazhdimësia me sjellje dhe me modele qeverisjesh orientale, janë kohë e humbur për Shqipërinë dhe Kosovën. Rendja pas modeleve orientale të shtetit dhe qeverisjes sjell vetëm varfëri, shpopullim dhe vuajtje pa fund për të gjithë botën shqiptare.