Altin Dumani, si ministër i Edi Ramës

318
Sigal

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, në një dalje të tij mediatike, pak ditë më parë, bëri disa deklarata të forta, të cilat diku kaluan me të qeshur, diku u dukën serioze.

Por në fakt, në analizën e tyre, thjesht dhe vetëm na tregojnë se pritshmëritë ndaj kreut të SPAK-ut po bien. Po bien kaq shpejt sa askush nuk do ta besonte.

Altin Dumani na tha se nuk po bënte sekuestro të inceneratorit të Tiranës, pra landfillit, sepse nuk dinte se kush ishin aksionerët dhe kjo mund ta çonte çështjen në arbitrazh.

Zoti Dumani gënjen kur thotë se nuk dihen se kush janë aksionerët, sepse aksionerët e kompanisë dihen, janë të regjistruar në QKB. Ka një historik në Holandë.

Kompania fillon me Klodian Zoton, shkon te Giuseppe Ciaffaglione dhe tani te disa persona të tjerë që janë bashkortakë me Ciaffaglione-n.

Këta janë të ditur dhe nëse Altin Dumani nuk i ka dokumentet, ia vendosim ne si redaksi në dispozicion.

Pra, kur mund t’i ketë një media, nuk mund t’i ketë SPAK-u?

I ka e gjithë politika. I ka Edi Rama në zyrë. I kanë edhe kolegët e Altin Dumanit.

Nga ana tjetër, zotëria tha se nuk bëhet konfiskimi, sepse kemi frikë nga arbitrazhi.

Lind pyetja: Çfarë është Altin Dumani?

Ministri i Edi Ramës që sheh balancat, apo ka bashkuar SPAK-un me qeverinë e Rilindjes për të zgjidhur se ç’po ndodh?

Altin Dumani është kreu i një institucioni hetimi, që çon para drejtësisë në rast se ka apo s’ka korrupsion dhe e ka të përcaktuar me ligj.

Altin Dumani nuk shikon arbitrazhin.

Ç’punë ka me arbitrazhin? Është ministër i Financave, është kryeministër, është ministër i Drejtësisë?

Është Ulsi Manja? Ka dhe një detaj tjetër që e bën Altin Dumanin më shumë ministër të Edi Ramës.

Jo për ta kompleksuar këtë të fundit, por si mundet që të katandiset SPAK-u e të merret me ustallarë, të merret me tubat e banjës së tigrit, dhe sulmojnë në SPAK atë që sulmon Edi Rama, por nuk heton inceneratorin e Tiranës, landfillin e Tiranës?

Kjo është pyetja. Mos vallë Altin Dumani ka bashkuar SPAK-un me qeverinë e Rilindjes dhe tani janë një?

Sepse këta na e tha edhe administratori i kompanisë së landfillit të Tiranës, i cili u shpreh publikisht se SPAK-u nuk kishte shkuar në zyrat e këtyre të fundit, ndërsa, nga ana tjetër, na është thënë vazhdimisht se ka hetime të thelluara se janë marrë faturat, pagesat e të tjera si këto.

SPAK-u ka kohë të merret me tubat e banjave dhe nuk gjen kohë të merret me milionat e eurove dhe ortakëritë me mediat.

Nuk zbardh dot SPAK-u pse inceneratori i Tiranës ka paguar para për “Top Channel”, Carlo Bollino-n, Irfan Hysenbelliun e kompani?

Altin Dumani ndoshta sheh më shumë lajmet e kronikat e inceneratorëve në “Top Channel”, por harron që janë ortakë me Mirel Mërtirin & CO.

Nuk ka kohë SPAK-u dhe e ka dosjen voluminoze e nuk bën dot ndalimin, pra sekuestron, për të penguar pagesën prej 29 euro/toni në ditë, për t’u shpëtuar shqiptarëve miliona euro, sepse ka hallin e abritrazhit?

Po kush e ka bërë atë kontratë kaq të keqe sa Shqipëria humbet në arbitrazh?

Ai duhet arrestuar atë ditë që prokurori e lexon kontratën e në rast se është bërë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare apo me ligjet e shtetit shqiptar, pikërisht personi që e ka shkruar, personi që e ka firmosur, shkon para drejtësisë.

Dhe Altin Dumani nuk bën rolin e ministrit të Edi Ramës, por bën rolin e prokurorit të SPAK-ut, që çon para drejtësisë personat e akuzuar për korrupsion.

Nuk bën avokatin dhe balancuesin e pushteteve se ka hall arbitrazhin.

Janë 10 milionë dollarë në vit që jepen nga granti i pakushtëzuar i qeverisë. Janë rreth 20 milionë dollarë që kompania qarkullon.

Janë rreth 700 milionë dollarë në 30 vite. Gazetari Klodian Tomorri në një reagim të tij tha se kompania e inceneratorit të Tiranës do të marrë 1.2 miliardë dollarë. Po çfarë ka merak Altin Dumani? Arbitrazhin.

Duke e lejuar që të vazhdojë propaganda, që të vazhdojnë sulmet, që të akuzohen prokurorët e SPAK-ut, që të merren hetimet me ustallarë, me pllakaxhinj.

Që të shkojë çështja sa mediat të bëjnë avokatinë e Mirel Mërtirit dhe të inceneratorëve, të atij të Elbasanit që sot pas gati 9 vitesh kur është firmosur kontrata, kërkon 2 milionë dollarë të mbahet nga bashkitë e varfra të Cërrikut, Librazhdit, Elbasanit apo Përrenjasit.

Pse ka frikë Altin Dumani nga arbitrazhi?

Sepse inceneratori i Fierit nuk është vënë ende në punë dhe me shkresa zyrtare është njoftuar se ka përfunduar.

Për çfarë ka frikë Altin Dumani? Cilin arbitrazh? Arbitrazhin e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles, që kanë mundur të fitojnë gati 30 milionë dollarë në pak vite.

Për çfarë ka frikë, për Mirelin si truri i inceneratorëve, apo sepse disa aksionerë të tjerë të huaj duhet të marrin paratë? Për një kompani zinxhir, që po u merr shqiptarëve miliona e miliona euro ditë pas dite?

Këtë arbitrazh ka hall Altin Dumani?

Këtë hall mund ta ketë vetëm një ministër i Edi Ramës dhe Altin Dumani po sillet si një i tillë./ CNA.al