Aleanca ‘Bashkë Fitojmë’ zbardh listat e këshilltarëve bashkiakë

300
Sigal

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka dorëzuar listat për këshilltar bashkiakë në gjithë vendin ku spikasin emra me kontribute në PD, PL si dhe figura të tjera të njohura, si intelektualë, diplomatë, gazetarë, juristë, pedagogë, etj. Listën e kryeqytetit e udhëheq dr. Ilir Alimehmeti
Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” dorëzoi në KQZ listat e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Listën e 62 kandidatëve të Tiranës e kryeson dr. Ilir Alimehmeti, i ndjekur me pas nga ish-deputetja e PL, Silva Caka.
Në listë spikasin emra të njohur nga Partia Demokratike, Partia e Lirisë si dhe emra intelektualësh, diplomatësh, ekonomistësh, gazetarësh, juristësh pedagogësh etj. Nga PD, ndër të tjerë janë në listë për këshilltarë bashkiakë, Ilda Zhulali, Dorian Teliti, Adriana Kalaja, Julian Deda etj, ndërsa nga PL, në garë janë funksionarët të kësaj force politike, si Endrit Braimllari, Tedi Blushi, Genc Gjokutaj etj…
Po kështu e pasur me profesionistë të ndryshëm është edhe lista për këshilltarë bashkiakë të Durrësit, e cila kryesohet nga arkitekti i njohur Ardian Muka, ish-kandidati për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Në Shkodër, lista e kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Këshillin Bashkiak Shkodër kryesohet nga pedagogu i njohur Florian Binjaku, ndjekur nga Izmira Ulqinaku.
Në Elbasan, listën e drejton Blendi Himçi dhe mes kandidatëve ka pedagogë, arsimtarë, mjekë, ekonomistë etj.
Në Korçë, listën e kryeson kryetari i degës së PD-së në këtë qytet, Devis Osmani.
Edhe në Vlorë, listën e kryeson kryetari i PD-së së kësaj dege, Atird Hoxha.
Në Fier listën e drejton Ilia Fili, në Berat kryeson Petrit Sina, në Lezhë Kristian Gjidoda etj.
27 marsi ishte afati i fundit që partitë politike kishin për të dorëzuar listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe për këshilltarë bashkiak për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Bie në sy që lista e kandidatëve për këshilltarë në të 61 bashkitë e vendit kryesohet nga profesionistë të shquar të fushave të ndryshme, por edhe me kontribute të hershme në Partinë Demokratike, gërshetuar me figura të mirënjohura si prurje të reja tek e djathta.