Hyn në fuqi ligji për përfundimin e privatizimit të ish-ndërmarrjeve bujqësore; Përfitues 1,100 subjekte

113

Objektet janë të braktisura ku për një pjesë të tyre rezulton të këtë përfunduar vetëm procesi i likuidimit, për disa dosje të tjera është nënshkruar kontrata e shitjes, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) apo për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes.

Sigal

 Pritjes së gjatë për privatizimin e ish ndërmarrjeve bujqësore do t’i vijë fundi. Në Fletoren Zyrtare është botuar ligji “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”.

Zbatimi i tij përfshin privatizimin për objektet e ish-ndërmarrjeve bujqësore, procedura e privatizimit ose shitjes së të cilave ka nisur, por nuk është përfunduar, ose përmban mangësi në dokumentacion. Drafti për përfundimin e procesit të privatizimit u prezantua rreth 1 vit më parë te konsultimet publike.

Nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor që do të jenë autoritetet përgjegjëse për përfundimin i privatizimit parashikohet parashikohet përfundimi i procesit për 1,100 ish ndërmarrjet bujqësore.

Objektet janë të braktisura ku për një pjesë të tyre rezulton të këtë përfunduar vetëm procesi i likuidimit, për disa dosje të tjera është nënshkruar kontrata e shitjes, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) apo për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes.

Privatizimi i këtyre objekteve kishte bazuar në vendim të qeverisë të miratuar në vitin 1998 që tashmë është shfuqizuar, pasi nuk ishte në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe nuk mund të vijohet me ndryshimin e tij.

Për privatizimin e këtyre objekteve ligji parashikon ndjekjen e këtyre procedurave. Fillimisht subjektet paraqesin kërkesën për përfundimin e procesit të privatizimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku identifikojnë objektin për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit. Ministria brenda 5 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës njofton Agjencinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor për depozitimin e dokumentacionit.

Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor brenda 10 ditëve kalendarike nga kërkesa paraqet në ministri dokumentacionin e procesit të privatizimit për objektin dhe truallin funksional. Dokumentacioni vlerësohet nëse është i rregullt nga struktura përgjegjëse për privatizimin në ministri, e cila kthen përgjigje brenda 10 ditëve. Ligji përcakton se kontrata e shitjes nënshkruhet nga titullari i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në territorin e të cilit ndodhet objekti, pas autorizimit të dhënë nga ministri përgjegjës për bujqësinë, sipas legjislacionit në fuqi për shitjen e pasurive të paluajtshme.

Në Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor ndodhet dokumentacioni origjinal i privatizimit të objekteve të ish – Ndërmarrjeve Bujqësore, në bazë të cilit do të vlerësohet dhe ligjshmëria dhe vijimi i procesit (përfundimi i privatizimit). Në rast së në këto institucione nuk ndodhet dosje origjinale ose e plotë e privatizimit nuk mund të përfundojë ky proces.

Në përfundim të procesit subjektet do të lidhin kontrata në formën e kërkuar nga ligji, do t’i regjistrojnë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe pajisen me dokument pronësie.