Akademik Artan Fuga: Duke pritur teatrin e ri të vjetër!

194
Sigal

Atë ditë se çfarë më hypi në kokë të bëja këtë foto. Miqtë e mi më panë me habi. Ata ruanin teatrin. Unë kisha vajtur t’i shihja pak. Po ky ç’pati? Veshur me pantallona meshini, me këpucë me qafa, me kapele paramilitari, mbi skenën e teatrit, si për ta pushtuar. Nuk e kuptoja atë ndjesi, atë dëshirë të papërmbajtëshme. A do ma bëjë njeri një foto këtu apo të iki nga kam ardhur ?

Tani e kuptoj që trupi më thoshte diçka por mendja nuk ma rrokte. Psiqika e pandërgjegjshme më thoshte se ai teatër që e kishin tradhtuar aktorët – që do bënin më vonë vaksinën me hile – mund të mbrohej vetëm me forca paramilitare, ndryshe e kishte të humbur davanë. Kot bënim llogje.

E dyta, që ai teatër do të binte nën sulmin e dhunëshëm të forcave policore. Aktori i fundit në skenën e atij teatri, pra të historisë të teatrit kombëtar do të ishte polici, me thinja, që me një shkop dore në dorë do të vërtitej rreth skenës duke e rrotulluar shkopin mbi kokat e civilëve artdashës.

Ishte aktrimi i fundit që në fakt ishte i vërtetë. Vdekja e atij teatri ishte një tragjedi shekspiriane ku në skenë u luajt drama e shkatërrimit të tij të vërtetë. Ishte drama e fundit që ishte e vërtetë. Kishte kohë që nuk viheshin në skenë drama shqiptare. Por e fundit ishte shqiptaro-barbare. Lezja pa turp mbi traktor e shëmbi. Që duhej ta mbronte. Jam i bindur që asnjë Teatër në botë nuk e ka pasur atë, fat, dhe as në njëmijë vitet e ardhëshme nuk do ta ketë. Teatër ku në shfaqen e fundit drama nga fiksion u bë e vërtetë. Ai prandaj do të hyjë në historinë e artit botëror për turpin e atyre që e prishën, turpin e atyre që nuk e mbrojtën, turpin e atyre që bënin sikur do ta mbronin, por i ngulnin thikën nga prapa, për ata që bashkëpunuan me djegjen e Reishtagut dhe tani nëpër televizione bëjnë sikur ishin pjesë e mbrojtësve.