Akad Skënder Gjinushi: Proza e Jakov Xoxës: romanet dhe novelat, tregimet dhe shkrimet publicistike të tij, janë një trashëgimi origjinale me shumë vlerë

86
Sigal

Akad Skënder Gjinushi: Proza e Jakov Xoxës: romanet dhe novelat, tregimet dhe shkrimet publicistike të tij, janë një trashëgimi origjinale me shumë vlerë, që i përkasin dhe i bëjnë nder jo vetëm emrit të autorit, por vetë fatit të letërsisë shqipe në dekadat e pasluftës.

Akad. Gjinushi: Vepra e Jakov Xoxës ka një rëndësi historike për rolin që pati si përbashkuese e vetvetishme e lexuesit shqiptar kudo që ndodhej. Ai ka meritën përjashtimore që bashkoi në një vepër “shqiptarin e vjetër” të Kosovës në mjedisin e Shqipërisë shtetërore dhe të vjetër; është i pari që futi në letërsi karakterin shqiptar të muhaxhirit nga Kosova, me fatin, gjuhën, traditën e tij.

Akad. Gjinushi: Jakov Xoxa ka dhe një anë padrejtësisht të panjohur e të pavlerësuar, si një nga bashkëthemeluesit e Universitetit të Tiranës dhe profesor për afro dy dekada në aulat e tij; si themelues i dy lëndëve të formimit bazë për studentët e gjuhësisë dhe letërsisë: Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, që u botuan e u ribotuan në mijëra kopje për nevoja universitare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Tetovë, përveç disa veprave të tjera për metrikën, stilistikën dhe terminologjinë letrare.

-Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit në Konferencë shkencore ndërkombëtare: 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës-

#AShSh
#JakovXoxa
#100vjetori
#konferencëshkencore

I nderuar z. Veliaj, kryetar i bashkisë së Tiranës,
I nderuar z. Subashi, kryetar i bashkisë së Fierit,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik e veçanërisht të ardhur nga Regione di Puglia,
Të nderuar akademikë e profesorë, botues e regjisorë,
Të dashur përfaqësues të familjes së shkrimtarit e studiuesit Jakov Xoxa,

Akademia e Shkencave e organizon këtë konferencë në përkujtim të 100-vjetorit te lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa, në zbatim të vendimit të Asamblesë së saj, e cila e ka veçuar këtë figurë të letrave shqipe si personalitetin e vitit.
Vepra e veprimtaria e Jakov Xoxës janë bazale në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX. Triptiku i tij, me romanet Lumi i vdekur, Juga e bardhë e Lulja e kripës, është bërë pjesë e konstitucionit shpirtëror të dhjetëra brezave në Shqipëri e Kosovë, madje dhe për lexuesit në gjuhë të huaj. Gjurma që ka lënë kjo vepër në formimin artistik e botëkuptimor të rinisë shqiptare është e pashlyeshme.
Proza e Jakov Xoxës: romanet dhe novelat, tregimet dhe shkrimet publicistike të tij, janë një trashëgimi origjinale me shumë vlerë, që i përkasin dhe i bëjnë nder jo vetëm emrit të autorit, por vetë fatit të letërsisë shqipe në dekadat e pasluftës.
Jakov Xoxa i ka dhënë letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele që deri atëherë nuk i kishte arritur romani shqiptar, ka vlerësuar me të drejtë Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues.
Realist i kulluar në realizmin e madh e quante shkrimtarin Jakov Xoxa studiuesi Ibrahim Rugova.
Ndërsa albanologu Robert Elsie i konsideronte romanet e Jakov Xoxës vepra të rralla të kohës, me merita artistike.
Duke e cilësuar romanin Lumi i vdekur si ndër romanet më të mirët të letërsisë shqipe deri më sot, akad. Rexhep Qosja shprehej se Jakov Xoxa është shkrimtari i parë shqiptar që tenton të zbulojë njeriun dhe realitetin në tërësinë e tyre. Ndërsa akad. Mehmet Kraja, para më shumë se katër dekadash, çmonte se konceptet letrare të Jakov Xoxës dilnin jashtë formulimeve teorike, jashtë kanonizmave, jashtë kufizimeve të tepruara, duke mbetur dëshmi se vepra të mëdha mund të krijohen edhe pa u mbytur në ujërat e novatorizmit me çdo kusht.
Vepra e Jakov Xoxës ka një rëndësi historike për rolin që pati si përbashkuese e vetvetishme e lexuesit shqiptar kudo që ndodhej. Ai ka meritën përjashtimore që bashkoi në një vepër “shqiptarin e vjetër” të Kosovës në mjedisin e Shqipërisë shtetërore dhe të vjetër; është i pari që futi në letërsi karakterin shqiptar të muhaxhirit nga Kosova, me fatin, gjuhën, traditën e tij.


Jakov Xoxa i bëri njerëzit të flasin me gjuhën e tyre autentike: u dha identitet social, krahinor e gjuhësor, ndaj konsiderohet mjeshtër i narracionit. Myzeqari dhe kosovari, fusharaku dhe malësori, tregtari dhe çertexhiu, bujku dhe beu, rebeli dhe i nënshtruari, i shetituri dhe i padali, peshkatari dhe arhondi, janë të gjithë në veprën e Jakov Xoxës, secili me zërin e tij e të gjithë së bashku si një polifoni.
Një meritë tjetër historike e letërsisë së Jakov Xoxës është se, bashkë me Fan Nolin dhe Mitrush Kutelin, sipas shprehjes së udhëheqësit të revolucionit të 1924-ës, me veprën e tyre bënë atë që nuk e arriti dot revolucioni: i dhanë një goditje vdekjeprurëse rendit feudal dhe anadollak.
Jakov Xoxa ka dhe një anë padrejtësisht të panjohur e të pavlerësuar, si një nga bashkëthemeluesit e Universitetit të Tiranës dhe profesor për afro dy dekada në aulat e tij; si themelues i dy lëndëve të formimit bazë për studentët e gjuhësisë dhe letërsisë: Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, që u botuan e u ribotuan në mijëra kopje për nevoja universitare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Tetovë, përveç disa veprave të tjera për metrikën, stilistikën dhe terminologjinë letrare. Në Universitetin e Prishtinës tekstet e Jakov Xoxës vazhduan të përdoren edhe dhjetë vjet pasi ai u shkëput nga Universiteti i Tiranës dhe gjeti paqe të brendshme e mirësi në Apolloni. Veprat me karakter studimor-universitar të tij janë kthyer në rrallësi librore.
Në bashkëpunim me Fondacionin Fan Noli, ne mundëm të rikthejmë në qarkullim shkencor njërën nga veprat e tij teorike-letrare, Hyrje në shkencën e letërsisë, botim që do të përurohet sot dhe që shpresojmë të rifitojë vendin që i takon në bibliografitë shkencore. Kontributet e Jakov Xoxës në studime do të spikaten dhe në ekspozitën bukinistike kushtuar trashëgimisë së tij, ku përfshihen, veç librave universitarë, edhe mbi 50 artikuj studimorë të botuar që nga viti 1945 e në vijim. Për këto u shprehim falënderimet tona institucioneve bashkëpunuese.
Falënderoj posaçërisht dhe tërë referuesit dhe ju pjesëmarrësit për organizimin e këtij aktiviteti, i cili synon të vejë në pah e në vendin e duhur, në vendin e merituar, vlerat e veprës së Jakov Xoxës, që siç parashihte dy dekada më parë miku i tij Dritëro Agolli, do të nderohet me të njëjtin vlerësim edhe në 800-vjetorin e lindjes së tij.

Duke vlerësuar këto kontribute origjinale dhe specifike, juria e posaçme që funksionon pranë Akademisë së Shkencave, pasi mori mendimin e komisioneve të përhershme përkatëse dhe të strukturave të tjera, ka vendosur t’i akordojë Jakov Xoxës çmimin e mirënjohjes tonë më të lartë, Nderi i Akademisë, me këtë motivacion:
Për vendin qendror që ka zënë në historinë e romanit shqiptar; të cilin e zhvilloi dhe e modernizoi si gjini e madhe letrare; e pasuroi me karaktere shenjuese nga gjithë hapësira historike kombëtare; per mjeshtërinë e rrëfimit dhe te ndërthurjes së ligjërimeve që lartësoi në nivelin e shqipes së gjithëmbarshme të folme lokale të rëndësishme për pasurinë e saj; bashkëthemelues i Universitetit të Tiranës dhe profesor për dy dekada; studiues i teorisë dhe stilistikës letrare; hartues i teksteve shkollore dhe universitare të formimit bazë, që u shërbyen disa brezave studentësh e pedagogësh në Shqipëri e në Kosovë.