AI mbështet qëndrimin e Avokatit të Popullit për familjet rome

516
Amnesty International i kërkon Ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ndalojnë dëbimin me forcë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë Tiranë, dhe të garantojnë se në qoftë se një zhvendosje është e domosdoshme, të kryhet në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata u kërkon autoriteteve t’u sigurojnë këtyre familjeve një zgjidhje të qëndrueshme strehimi, siç është propozuar nga Avokati i Popullit. Nga kërkimet e Amnesty International rezulton se shumë prej tyre kanë qenë zhvendosur në mënyrë të përsëritur me forcë nga viti 2011 (shih më poshtë “Backround”) pa pasur kurrë mundësinë e një strehimi alternativ të përshtatshëm.
Kjo është e papranueshme dhe ekspozon familjet egjiptiane dhe rome ndaj shkeljeve të përsëritura dhe të shumta të drejtave të njeriut. Personat në rrezik dëbimi duhet të konsultohen plotësisht dhe njoftohen për arsyet e dëbimit të tyre. Për më tepër, atyre duhet tu sigurohet strehim i përshtatshëm alternativ. Si shtet palë në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe të drejtave kulturore, Shqipëria është e detyruar të respektojë, mbrojtur dhe përmbushur të drejtën për strehim të përshtatshëm.
Më datë 5 tetor, punonjës të Bashkisë së Tiranës janë parë në vendbanimin informal në afërsi të Liqenit Artificial. Edhe pse njoftimi për dëbim nga vendbanimi informal ishte publikuar në media, para kësaj date, familjet e prekura nuk ishin konsultuar, as nuk kishin marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvendosje apo ndonjë njoftim tjetër nga ana e autoriteteve. Autoritetet vendore nuk kanë nxjerrë asnjë vendim gjykate për dëbim, siç kërkohet nga ligji shqiptar. Kjo u ka mohuar romëve dhe egjiptianëve të prekur të drejtën e ankimimit kundër dëbimit – një mbrojtje kyç kundër dëbimeve të dhunshme, siç parashikohet nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Autoritetet e Tiranës kanë propozuar një sërë zgjidhjesh, të cilat Amnesty International i konsideron të papërshtatshme. Ato përfshijnë qasjen e qirave të subvencionuara (bonus strehimi), por nga kërkimet e Amnesty International dhe të tjerë rezulton se disa romë dhe egjiptianë nuk përmbushin kriterin e ardhurave, dokumentacionin dhe kriterin e punësimit për t’u kualifikuar apo përballuar qira të tilla.
Familjet e prekura që figurojnë si banorë të Tiranës u është ofruar strehim në Qendrën Kombëtare të Emergjencave, megjithatë, qendra ka shumë pak hapësirë ​​për më shumë familje, dhe ofron vetëm nevojat themelore. Vetëm nëntë prej mbi 50 familjet e dëbuara me dhunë nga Rruga e Kajaves në vitin 2013, të cilët tani jetojnë në qendër, u është ofruar strehim alternativ .
Një numër i konsiderueshëm i familjeve që nuk figurojnë të regjistruara në Tiranë u është ofruar ndihmë për transportin për të kthyer në qytetet e tyre të origjinës, si Berat dhe Elbasan. Edhe pse, sipas kryebashkiakut të Tiranës kjo nuk është e detyrueshme, pasi edhe nëse ata mund të kenë strehim atje, në mungesë të punësimit ka shumë gjasa që të kthehen përsëri në Tiranë. Në vitin 2014, Shqipëria pranoi të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Drejtave të Njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën për strehim të përshtatshëm për romët dhe egjiptianët, dhe dyfishim të përpjekjeve për të zbatuar plotësisht Planin Kombëtar të Veprimit dhe Strategjinë për Dekadën e Përfshirjes së Romëve. Megjithatë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Romët dhe egjiptianët vazhdojnë të jetojnë në strehim të pamjaftueshëm, pa siguri, dhe – pas hyrjes në fuqi të Ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje në vitin 2014 – janë vazhdimisht të rrezikuar nga shpërnguljet me forcë.
Sigal