Kërkesa e Kryeministrit për dorëheqjen e zëvendëskryetarëve të bashkive, e ndjekur nga dorëheqja e pa vullnetëshme e katër zëvendëskryetarëve të Bashkisë së Tiranës, dhe zevendësimi i këtyre, po mban ndezur debatin publik.
Pyetja që po qarkullon më së shumti është : kush janë zëvendësuesit? Por nëse fokusohemi vetëm te emrat, humbim thelbin e problemit.
Pse nuk është çështje emrash-procedura
Sipas ligjit nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, zëvendëskryetarët emërohen dhe shkarkohen nga kryetari i bashkisë.
Çka e bën këtë një kompetencë ekskluzive të kryetarit. Por sot, kur kryetari i Bashkisë së Tiranës është në arrest me burg prej gjashtë muajsh, ndërhyrja nga pushteti ekzekutiv për të imponuar dorëheqje dhe për të diktuar emërime të reja ngre pikëpyetje akoma më të mëdha mbi shkelje procedurat,mbi ligjshmërinë dhe autonominë vendore.
Jo kush, por si?
Debati për “emrat e rinj” nën petkun “rienergjizim” është një diversioni politik. Pyetja e vërtetë që duhet bërë është: Si po merren këto vendime? Pse po ndodhin këto lëvizje në këtë moment? Çfarë synohet të kontrollohet? Transparenca, respektimi i procedurave dhe ruajtja e ekuilibrit mes pushtetit qendror dhe atij vendor janë thelbësore për demokracinë vendore.
Pa to, pushteti lokal humb kuptimin dhe qytetarët humbasin zërin e tyre në vendimmarrje.
Kjo nuk është vetëm çështje e Tiranës dhe bashkive të tjera.
Është një test për gjithë sistemin tonë të vetëqeverisjes vendore. Është një test për sistemin demokratik. Test për angazhimet europiane – Shqipëria ka marrë përsipër të zbatojë standardet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe kriteret e BE-së për administratë publike.
Qasje politike dhe llogaritje elektorale
Kjo situatë nuk lidhet thjesht me menaxhimin e punëve të bashkisë, por me një strategji politike për të marrë kontroll të plotë mbi administratën dhe vendimmarrjen në një territor kyç si Tirana sot, por edhe për zgjedhjet nesër apo kur do që ato të mbahen të pjesëshmë apo të rregullta.

Por presioni politik për dorëheqje kolektive krijon një precedent të rrezikshëm: pushteti qendror ndërhyn drejtpërdrejt në strukturën drejtuese të pushtetit vendor. Pas 35 vitesh demokraci dhe si vend kandidat për t’u bërë pjesë e familjes së vlerave evropiane, këto veprime përfaqësojnë devijime serioze dhe deformime të parimeve demokratike.
Çfarë rrezikon publiku?
Bashkitë kthehen në zgjatim të administratës qendrore, duke humbur frymën e vetëqeverisjes, pra cënim të autonomisë.
Emërimet dhe dorëheqjet bëhen sipas interesave të momentit, jo mbi bazë profesionalizmi çka tregon politizim ekstrem.Nuk ka proces publik, nuk ka sqarim të kritereve, ndërkohë që qytetarët mbeten spektatorë të një skeme që prek drejtpërdrejt shërbimet që marrin.
Nuk duhet harrojmë se BE dhe Këshilli i Europës theksojnë rregullisht parimin e subsidiaritetit dhe autonomisë vendore (në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, të ratifikuar nga Shqipëria që në vitin 2000).
Standardet europiane e konsiderojnë ndërhyrjen politike në administratën vendore si regres demokratik dhe cenim të shtetit të së drejtës.Proceset e integrimit europian përfshijnë kritere të qarta për depolitizimin e administratës publike dhe ndarjen e pushteteve.
Pasojat
Nëse sot lejojmë që qeveria të ndërhyjë deri në rrëzimin ose caktimin e zinxhirit drejtues të një bashkie, nesër rrezikojmë të mbetemi me vetëm një nivel pushteti – atë që komandon nga qendra.
Ky nuk është funksionim demokratik, por një model kontrolli që e zbraz nga kuptimi parimin e vetëqeverisjes dhe dëmton rënde balancat mes pushteteve.




















