Agim Janina: 4 shqiptare e varura në litarë gjatë LDB, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi, e Ganimete Trebeshi

Nga pesë femrat e varura në litarë gjatë LDB, katër janë shqiptare, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi, dhe Ganimete Trebeshi

– Për të përjetësuar kujtimin e Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës Odise Paskali krijoi një skulpturë dyfigurëshe shumë dinjitoze

NOA

– Piktori Guri Madhi në vitin 1966 ka bërë një tablo kompozicionale mbi heroinat, paraqitur pranë rrapit, ku janë lidhur litarët e varjes.

– Për heroinat në vitin 1967, u xhirua filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, një nga filmat më të mirë mbi Luftën Nacionalçlirimtare.

– Piktorja Lumturi Dhrami ka bërë një linogravurë për heroinat në tri akte, ku paraqiten dy heroinat, të shoqëruara nga nazistët në rrugët e Gjirokastrës.

– Vite më parë, skulptori Ksenofon Kostaqi kthehet nga Greqia, dhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore, i hyn rindërtimit të monumentit nga e para dhe e derdh në bronz

Agim Janina

Lufta e Dytë Botërore solli shumë vuajtje e dhimbje, por disa janë krejt të veçanta dhe historike. Njëra prej tyre është varja në litar prej nazistëve e pesë vajzave dhe ajo që të rrënqeth mishin, shkruhet, “nga pesë femrat e varura në litarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë, katër janë shqiptare, përkatësisht Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi, Ganimete Trebeshi dhe e fundit është një ruse” (Zoja Kozmoden Janskaja). Edhe pse janë shkruar kundërthënie për varjen e dy prej tyre, i bënë gjermanët apo ballistët dhe është çështje historianësh, varja e tyre mbetet një akt nga më të egrit e më çnjerëzorët. Për të përjetësuar kujtimin e Bule Naipit nga Gjirokastra dhe Persefoni Kokëdhimës nga Bregdeti, Skulptori i Popullit Odise Paskali krijoi një skulpturë dyfigurëshe shumë dinjitoze dhe artistike, duke i paraqitur heroinat bashkë edhe pse nuk janë varur në një ditë e në një vend, me litarin në qafë, nën krenarinë e idealit që përcjellin. Më pas Skulptori i Merituar Ksenofon Kostaqi, punoi një vit e gjysmë dhe më 17 korrik 1969, vepra u vu në sheshin Çerçiz Topulli.

Piktori Guri Madhi në vitin 1966 ka bërë një tablo kompozicionale mbi heroinat, paraqitur pranë rrapit, ku janë lidhur litarët e varjes, përballë kalasë dhe monumentit të Çerçizit e përreth turrës së nazistëve dhe ballistëve. Piktorja Lumturi Dhrami ka bërë një linogravurë për heroinat në tri akte, ku paraqiten dy heroinat, të shoqëruara nga nazistët në rrugët e Gjirokastrës. Për heroinat në vitin 1967, u xhirua filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, një nga filmat më të mirë mbi Luftën Nacionalçlirimtare. Në Gjirokastër në korrik të vitin 1969, në Sheshin e Çerçizit, u vendos vepra e Ksenofon Kostaqit, të cilën ai e punoi në gurin e bardhë të Karaburunit, që afron me mermerin e që gdhendet lehtë. Vitet kalojnë dhe nga mosmirëmbajtja monumenti fillon e mbushet me myshqe dhe likene, të cilët e dëmtojnë rëndë. Kur fytyrat po nxiheshin, sa nuk po njiheshin më heroinat, u kujtuan për t’i pastruar dhe aty ndodh hataja, apo më saktë në gjuhën juridike krimi i rëndë i shkatërrimit përfundimtar i busteve të heroinave. U shkatërruan nga duar e mendje të papërgjegjshme, nga që për pastrimin e tyre u përdor goditje me ujë me presion shoqëruar me rërë. Iu prish plastika, forma, silueta dhe u shpërfytyruan e shkatërruar përfundimisht, sa heroinat dukeshin pa sy e pa buzë e të dukeshin si fantazma të frikshme jashtë çdo përfytyrimi. Në guidën e qytetit edhe pse gjendja e tyre ishte për turp vazhdohej të shkruhej si atraksion turistik për t’u parë (!).

Vetëm një vend i çmendur bën të tilla çmendurira!

Askush nuk mbajti përgjegjësi dhe ky nuk është rasti i vetëm, ka edhe të tjerë edhe më të rëndë e më kriminal, por le të mbesim te monumenti i dy heroinave. Vite më parë, skulptori Ksenofon Kostaqi kthehet nga Greqia, ku emigroi dhe i dhemb në shpirt shkatërrimi që ka ndodhur. Edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore, e më pas e ka të pamundur të flasë e me një krah të paralizuar, i hyn rindërtimit të monumentit nga e para dhe ia del ta bëjë e tashmë t’a derdhë në bronz. Sipas intervistës së dhënë nga Stefan Arseni, specialist kulture, “Skulptorët e Popullit Mumtaz Dhrami, Thoma Thomai dhe Hektor Dule, erdhën e panë, e pëlqyen shumë dhe e miratuan dhe thanë ka vlera më të mëdha se sa puna e parë”. Ndonjë mendon ndryshe, por pse të arrihet deri këtu dhe si lejohet të ndodhin shkatërrime të tilla? Të thuash fyerje, ata që e kanë lejuar e bërë, është përkëdhelje, ata kanë kryer një “vrasje artistike”, nga më të rëndat, që vjen nga keqdashësia dhe nga padia e të gjithë pushteteve qendrore e lokale, që zhdukën ajkën e restauratorëve dhe në vend të tyre kanë vënë njerëz, pa asnjë njohuri teknike e shkencore, që i trajtojnë monumentet si plaçka të vjetra, që duhen çuar në lavanteri e të lahen me çfarëdolloj solucioni! E dhimbshme edhe heshtja e bashkësisë së artistëve. Duke mbrojtur veprën e kolegut, mbrojnë veprën e tyre!

Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima u varën në litar

Bule Naipi: Lindi në vitin 1920 në lagjen Dunavat të qytetit Gjirokastër. Shtëpia e Naipe ishte bazë e rëndësishme e LANÇ. Vetë Bulja ishte anëtare e Komitetit Qarkor. Veprimatria e saj ishte në qytet dhe në krahinat fshatare. U njoh si partizane në male dhe si ilegale në qytet. Ajo gjendej kudo, në qytet dhe fshat. Veprimtaria e Bule Naipi shfaqej në marrjen pjesë të grave e vajzave në demonstrata e luftë.  Bule Naipi endej shtigjeve të Malit të Gjerë, maleve të krahinës së Kardhiqit.Përherë në veprime luftarake. Kudo ku shkonte nëpër fshatra zëri i saj bindës i tërhiqte me vete edhe vajzat në kompanitë partizane, me dëshirën e tyre për ta çliruar Shqipërinë e robëruar nga të huajt.  Radhët e brigadës mbusheshin me vajza partizane nga Prongjia, Fushëbardha, Lunxhëria, Kurveleshi. Ecte nëpër shtigjet partizane duke kënduar me zë të lartë këngën himn të Memo Metos: “Dua armë e municion se do shkoj/E urrej dhe unë fashizmin do luftoj/Jam një vajzë shqipëtare vajzë mali/E kam forcën, e kam zemrën si të djalit…” Shfaqej Bulja partizane në Cepo mes luftëtarëve të lirisë. Ku errej nuk gdhihej. Në korik u burgos dhe iu nënshtrua torturave më të rënda. Më 17 korrik 1944 armiqtë nazistë e varën në litar te sheshi i Çerçizit në Gjirokstër.

Persefoni Kokëdhima:

U lind në Qeparo të Himarës në vitin 1924. Ishte veprimtare e luftës, veproi me të rinjtë e fshtait, duke u ardhur në ndihmë partizanëve. Persefoni u rreshtua në radhët e Brigadës VI Sulmuese. U shqua në luftimet që u zhvilluan në Shën Vasi të Sarandës. Në këto luftime në Malin e Bardhë u bë një qëndresë e fortë kundër ushtarëve nazistë, të cilët sulmonin për të hapur rrugën në drejtim të Bregdetit dhe maleve të Kurvelelshit. Këto luftime zgjatën 15 ditë e 15 netë. Në historikun e Brigadës VI Sulmuese, Persefoni Kokëdhima veçohet si një luftëtare e shquar. Mbi këto motive të heroizmit partizan, dhe varjen e saj në litar nga nazisto-ballistët, vajza e Qeparoit u dekorua me titullin më të lartë Hero i Popullit. Persefoni Kokëdhimau var në litar te sheshi i Çerçizit në qytetin e Gjirokastrës, më 17 korrik 1944. Ajo qendroi si heroinë dhe si partizane e vendosur, e palëkundur në qendresë, duke u bërë shembull për të gjithë partizanët e partizanet.