Xhahid Bushati: Artistja Vitore Nino – Halla e Fanatikut, një interpretim i shkëlqyer

215

Në udhën skenike teatrore interpretoi 71 role, në udhën kinematografike mbi 20 role 

Sigal

Xhahid Bushati

-Jetë dhe kujtime për aktoren e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Vitore Nino, “Artiste e Merituar”

Vitore Nino (Ujka) ishte nga ato aktore të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, që çdo rol që interpretonte kishte si “maja” shpirtin e saj, herë epik e herë lirik, herë prej burrëneshe e herë të shoqëruar me një humor fin shkodran. Krijimi i figurës së Hallës të fanatikut te kinokomedia “Çifti i lumtur” (14.12.1974) do të mbahet mend gjatë për magjinë e interpretimit, për vështrimin shpotitës, buzagazin e të qeshurën e ëmbël, për të folurin plot ngjyrë e befasi të këndshme. Ky rol do të jetë një nga realizimet e talentit të saj si aktore, edhe pse kanë kaluar 47- vjet.

Jetëshkrimi

Vitorja u lind në vitin 1924 në Shkodër. Pasi mbaron Institutin Pedagogjik të Shkodrës, fillon punë si mësuese, në fillim në Tiranë e më vonë në Kosovë. Jep lëndën e Gjuhës shqipe. Edhe pse ajo e kishte nisur këtë rrugë diturore, dashuria për teatrin mbetet motiv i parë, ëndërr që e ndjek pas… Kështu nis rrugëtimin e parë, e përfshirë, në grupet amatore të qytetit të Shkodrës. Takimi me regjisorin Andrea Skanjeti për Vitoren do të jetë mbresëlënës. Regjisori e aktivizon në pjesën “Portreti” (viti 1946), ku ishte dhe vetë regjisor. Edhe pse hera e parë, Vitorja e shndrit rolin. Në vitet e mëvonëshme, regjisori Skanjeti në shfaqjet që vuri në skenë, Vitores do t’i besojë role të rëndësishme në përputhje me karakterin e saj. Për Vitoren, regjisori Skanjeti do të shprehej: “Është një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga “Portreti” (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension.”

Në teatrin profesionist të Shkodrës

Me themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës (Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 572, datë 24.11.1949. U inagurua më 29.11.1949) për Vitoren, ëndrra e bukur për teatrin, nuk është më ëndërr por realitet. Ajo bëhet profesioniste dhe është në bërthamën e parë të këtij teatri. Së bashku nëpër vite me Ida Krajën, Çezarina Çiften, Aneta Nikaj, Antoneta Fishtën, Tinka Kurtin (Thani), Bahrije Manin, Fadile Mustafën…, ato do të jenë “pranvera shkodrane” e teatrit shkodran. Vitorja me talentin e saj në udhën skenike teatrore interpretoi 71 role, në udhën kinematografike mbi 20 role, një punë si regjisore, disa punë si as / regjisore. Është vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”, ndërsa Shkodra, qyteti i saj i lindjes e nderoi me “Mirënjohja e qytetit”. Vdiq më, 25.03.2007, në moshën 83-vjeçare. Studiuesi F. Slatina, në mes të tjerave shkruan kështu për Vitoren: “Vitet e fundit Vitorja, ashtu si shumë shkodranë të tjerë, e la Shkodrën, qytetin e saj dhe familjarisht u shpërngul në Tiranë. Në një moshë të thyer, Vitorja la pas qytetin e ëndrrave të saj, la pas skenën, miqtë, kolegët e vjetër e të rinj, la pas kujtime të cilat i mbetën një peng në udhëtimin e saj drejt Tiranës. Një verë, dhe, ndoshta e fundit, e takova te kafja me emrin “Lux” (Tiranë). Bisedova me të, dhe në fjalët e saj ndihej ai trishtimi për Shkodrën, por humori dhe sytë e qeshur të saj e bënin më të gjallë dhe i jepnin forca e kurajë.” (F. Slatina, gaz. 55, 20.03.2007). Për të njohur më mirë talentin e aktores Vitore Nino, po ju njohim me biografinë e saj artistike: -“Përmbysja” (në rolin e Tatjanës, 26.05.1950), -“Makar Dubrava” (në rolin e Marijes, 23.12.1950), -“Zani i Amerikës” (në rolin e Sally-s, 29.04.1951), -“Nën okupacion” (në rolin e Sofisë, 30.06.1951), -“Njerëz me vullnet të mirë” (në rolin e Kanës, 29.11.1951), -“Kopraci” (në rolin e Marianës, 20.02.1952), -“Në prendim” (në rolin Mary Kler, 26.06.1952), -“Jeta fillon përsëri” (në rolin e Marisë, 15.10.1952), -“Agimi” (në rolin e Tringës, 14.12.1952), -Ata u rritën në luftë” (në rolin: gruaja e ÇAU TEÇU, 29.03.1953), -“Kush asht fajtori?” (në rolin e Polja-s, 11.01.1954), (Këtu prezantohet me mbiemrin e ri Nino, ndërsa mbiemri i amësisë ishte Ujka), -“Toka jonë” (në rolin e Lokes, 27.04.1954. Është dublante me aktoret Antonjeta Fishta e Marije Logoreci. Rolin e Lokes Vitorja e ka interpretuar 43 herë), -“Shtëpia buzë shkambit” (në rolin e Dilës, 28.11.1954), -“Këthimi” (në rolin e Sutës, 03.04.1955), -“Tartufi”, 01.06.1955), -“Shtërngata” (në rolin e Tekluskës, 20.04.1956), -“Fejesë e ngatrresë” (në rolin e Shaqes, 20.06.1956), -“Krahët” (në rolin e Nadjezhdës, 29.11.1956), -“Tirani i Padovës” (në rolin e Tisbe-s, 27.04.1957), -“Nana” (në rolin e Nanës, 03.11.1957), -“7 shaljanët” (në rolin e Sykës, 28.02.1958), -“Banuesit e shkallës Nr.6” (në rolin e Shpresës, 06.07.1958), -“Dy binjakët venecianë” (as / regjisore, 11.01.1959), -“Kunora e Nurijes” (në rolin e Havasë, 15.05.1959), -“Votra e huej” (në rolin e Bjeshkës, 07.11.1959), -“Tragjedija optimiste” (në rolin e një plake, 30.04.1960), -“Maskat” (në rolin e Lezes, si dhe është regjisore, 02.07.1960), -“Nora” (në rolin e Sutës, 28.12.1960), -“Histori irkutase” (në rolin e infermieres, 05.04.1961), -“Prefekti” (në rolin e Hajrijes, 18.05.1961), -“Këneta” (në rolin e P. Larës, 06.11.1961), -“Mësuesja” (07.03.1962), -“Rrena me kambë të gjata” (në rolin e Kristinës, 30.06.1962), -“Plaku i maleve” (në rolin e Lenës, 25.11.1962), -“Shtëpi kuklle-Nora- (në rolin e Ana Marisë, 21.04.1963), “Hijet në rrugë” (në rolin e Files, 28.11.1963), -“Zekthi” (në rolin e zonjës Fabrici, 20.03.1964), -“Përtej prakut” (në rolin e Elenës, 27.05.1964), -“E bardha dhe e zeza” (në rolin e Qerimes, 13.03.1965), -“Parimori” (as / regjisore, 20.05.1965), -“Përkolgjinajt” (në rolin e Marës, 26.06.1965), -“Familja e peshkatarit” (në rolin e nanës, dublante me aktoren Violeta Sekuj, 12.03.1966), -“Si u kalit çeliku” (në rolin e Nanës së Pavlit, 30.06.1966), -“Cuca që koriti mallet” (Cuca e maleve) (në rolin e Prendës, 11.09.1966), -“I pesti u zu gjallë” (në rolin e Martës, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, 27.11.1966), -“Para agimit” (në rolin e Nikijes, 19.04.1967), -“Fisheku në pajë” (në rolin e Soses, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, 29.07.1967), -“Shqiponjat” (në rolin e Tringës, 30.12.1967), -“Ngjarje në fabrikë” (në rolin e Sanijes, 13.07.1968), -“Zgjohu shoku Niqifor” (në rolin e Ferides, 17.11.1968), -“Dhëndëri” (në rolin e Sanijes, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, si dhe as / regjisore; 18.06.1969), -“Këshilli i ndrikullave” (në rolin: Ndrikulla e dytë, 19.10.1969), -“Pushkët e Nanës Karrar” (në rolin e Nanës Karrar, 24.05.1970. Në këtë vit aktorja Vitore Nino vlerësohet me titullin “Artiste e Merituar”), -“Toka jonë” (në rolin e Lokes, dublante me aktoren Tinka Kurti, 11.11.1970), -“Pionieri” (në rolin e Nanës së Agronit, 27.12.1970), -“Mbi gërmadha” (në rolin e Lajës, 29.04.1971), -“Ëndrra e tokës” (në rolin e Dalinës, 20.12.1972), -“Cuca e maleve” (në rolin e Prendës, 19.05.1973), -“Mysafiri i natës” (në rolin e Mone Shkurtës, 23.10.1973), -“Shpartallimi” (në rolin e Hikes, 18.07.1974), -“Çifti i lumtur” (në rolin e Hallës së fanatikut, 14.12.1974), -“Përmbytja e madhe” (në rolin e Gjelës, 22.05.1977), -“Jehona e një dite shkurti” (në rolin e Davës, dublante me aktoren Miriam Bruçeti, 27.11.1977), -“Kur flasin zemrat” (në rolin e Lijes, 25.11.1978), -“Baca i Gjetajve” (në rolin e nënë Bjeshkës, dublante me aktoren Violeta Sekuj; 11.04.1979), -“Mirë se erdhe, Elona!” (në rolin e Sajës, janar 1982), -“Çështja e Blertës” (në rolin e Ije Sulës, 1984).

Kinematografi:

Rolet në kinematografi qenë më të vonshëm se në teatër. Skena teatrore është jeta e aktores Vitore Nino. Pjesëmarrja e saj në kinematografi qe më shumë se 20 role. Interpretimi i saj i parë ishte në filmin “Komisari i Dritës” në rolin e Nënës së Pëllumb Currit, 1966). Më pas: “Çifti i lumtur” (në rolin e Hallës së fanatikut, 1975), “Ditët që sollën pranverën” (film në TV, 1978), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Dora e ngrohtë” (1983), “Dasma e shtyrë” (1985), “Rikonstruksioni” (në rolin e gjyshes, ku dhe ishte roli i fundit, 1989), “Balada e Kurbinit” (në rolin e një nëne kurbinase, 1989).

Meditim

E kam njohur Vitoren. Kujtoj gjatë bisedave me të: vështrimin që të ndiqte gjatë kuvendimit, të qeshurën e saj, zgjuarsinë dhe urtësinë që përcillte, lakonizmin në ndërtimin e fjalive, cigaren që e ndezte si për të shuar një brengë… Gjithashtu kujtoj: ecjen e saj të ngadaltë, flokët e dendur kaçurrela. Nga mënyra se si i krihte flokët aq bukur, nuk e di pse më ngjanin me një ikonë. Për rolet që interpretoi, vërtet, ajo ishte një ikonë, pavarësisht se aktiviteti i saj nuk pati publikimin e duhur.

Ajo që të bie në sy në karrierën e saj artistike, krahas shumë roleve të spikatura, ishin edhe ato, që përfaqësonin figurën e Nënës. Gjatë interpretimit figua e Nënës nuk i ngjante njëra-tjetrës. Talenti i saj ishte i atillë sa gjente tipare të reja, dritësime të botës së brendshme në gdhendien e karakterit; ndaj dhe artistikisht ky model-figure ishte i ri dhe i papërsëritshëm. E tillë ishte aftësia dhe fuqia aktoriale e Vitores. Ama, në ndërtimin e kësaj figure, vërejmë se të gjitha Nënat i përbashkon një emërtim i vetëm shprehës e dimensional: Burrnesha. Po, Burrneshë, ishte dhe vetë aktorja e talentuar: Vitore Nino, apo siç është quajtur: “Halla e përjetshme!”