A duhet të vaksinohen personat që e kanë kaluar COVID-in? / Flet epidemiologu

367
Sigal

Teksa e gjithë vëmendja është përqendruar tek vaksina anti-covid dhe se kur do të nisë aplikimi i saj tek qytetarët, një pyetje që shtrohet shpesh herë është fakti se a duhet të vaksinohen ata që e kanë kaluar COVID-19.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, në një komunikim mediatik pohoi se personat që e kanë kaluar COVID-in kanë imunitetin kujtesë, ndërsa shprehu mendimin se kjo kategori nuk duhet të përfshihet në fazën e parë të vaksinimit.

“Nga pikëpamja e imunitetit, prej disa muajsh antitrupat zgjasin. Kanë imunitetin kujtesë. Se sa muaj zgjasin ato, kjo u verifikua se zgjaste shumë më tepër se sa u mendua në fillim. Mund të shihni se kemi pasur dhjetra miliona raste në pranverë, dhe këto nuk janë risjellë si të sëmurë sërish. Këta persona mendoj se nuk do të jenë tek fasha e parë e atyre që do të vaksinohen.”, tha Aliamehmeti.

Në këtë linjë ishte dhe mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.

 

“Mund të merret me certifikatën e testit serologjik rregulli për udhëtim. Vendimi do të përcaktohet më vonë. Besoj se do të dali udhëzimi shumë shpejt. Shumë shpejt do të aplikohet dhe testi i shpejtë serologjik, për të parë nëse janë krijuar apo jo antritrupa. Nuk kemi ende evidencë për kohëzgjatjen e mbrojtjes. Do të na duhet që ata që e kanë kaluar sëmundjen dhe niveli iantitrupave ka rënë, duhet të vaksinohen. Kurse ata që kanë më shumë, të vaksinohen në një moment tjetër.”, tha ai.

 

Po ashtu, pjesë e diskutimit është bërë dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili tha se edhe pse kishin kaluar 6 muaj që kishte kaluar COVID-in, kishte verifikuar se kishte ende antitrupa në gjak.

“Po të nisja nga tradita dhe zakonet e çdo virusi, ne e dimë se kemi vaksina të detyrueshme dhe ato fakultative. Ne kishim si rregull në Itali, që nëse do të shkojë në Afrikë, disa sëmundje si tifo e malaria, janë të detyrueshme që të bëhen. Nëse për vaksinën anti-covid, unë mendoj se kush e kalon, ka një kohëzgjatje të antitrupave. Unë e verifikova që ende pas 6 muajsh kisha antitrupa.”, pohoi Brataj.