Dilema globale / Vaksinimi i detyrueshëm apo vullnetar?

383
Sigal

Çështja e vaksinimit ka qenë një nga më të diskutueshmet në mjekësi për vite me rradhë. Në disa qarqe, inokulimi konsiderohet i panevojshëm në rastin më të mirë dhe i rrezikshëm në rastin më të keq.

Sot, një vit pas shpërthimit të pandemisë së virusit COVID-19, jeta e miliona njerëzve varet nga vaksinimi kundër tij.

Dhe ndërsa shumë nëpër botë mezi e presin atë, një grup më i vogël i popullsisë ka frikë se do të detyrohen të vaksinohen.

Në Gjermani, për shembull, kjo është teorikisht e mundur sepse qeveria ka një bazë ligjore për të imponuar vaksinimin e detyrueshëm, por nuk duket se ka ndërmend ta bëjë këtë për momentin.

“Unë ju jap fjalën time, nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm në këtë pandemi,” tha ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn kohët e fundit.

Në SHBA, ky opsion nuk përjashtohet, por një vendim i tillë nuk mund të merret në nivelin kombëtar, pasi është brenda kompetencës së secilit shtet federal.

Shoqata e Avokatëve të Nju Jorkut miratoi një rezolutë në nëntor duke rekomanduar vaksinat e detyrueshme nëse përgjigja vullnetare nuk është mjaft e madhe.

Masa të tilla mund të rriten duke ndaluar hyrjen e njerëzve të pavaksinuar në bare dhe restorante.

Ekspertët thonë se punëdhënësit mund të inkurajojnë punonjësit të vaksinohen për sa kohë që ata kanë një arsye të ligjshme për ta bërë këtë.

Kryeministri australian Scott Morrison tha përsëri në gusht se ai donte që vaksinimi të ishte i detyrueshëm për të gjithë qytetarët sa më shpejt që të bëhej i disponueshëm.

Linja ajrore kombëtare Qantas dëshiron të vendosë vaksinime të detyrueshme për të gjithë pasagjerët e saj në fluturimet ndërkontinentale.

Në Zvicër, vaksinimi i pjesshëm i detyrueshëm është i mundshëm.

“Ligji e lejon atë, por vetëm për grupe të veçanta njerëzish që kujdesen për grupe të pambrojtura, të tilla si punëtorët shëndetësorë,” tha Anne Levy, kreu i zyrës federale të shëndetit publik.

Por shumica e vendeve të tjera evropiane mbështeten në vaksinimin vullnetar.

“Vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm,” tha presidenti francez Emmanuel Macron në një fjalim të fundit drejtuar kombit.

Spanja ka thënë se vaksinimi do të jetë vullnetar, por falas.

Në Republikën Çeke, strategjia kombëtare e vaksinimit kërkon që ajo të jetë vullnetare.

Kryeministri italian Giuseppe Conte gjithashtu tha se ai favorizonte një vendim vullnetar.

Në Rusi, vendi që mburret si i pari me vaksinën e prodhuar – Sputnik V, rreth 60 përqind e të anketuarve në një sondazh thanë se nuk kishin ndërmend ta përdornin atë.

Sipas një studimi nga Universiteti McGill në Kanada, një program i vaksinimit të detyrueshëm kundër të paktën një sëmundje ekziston në rreth gjysmën e vendeve në botë, dhe në 62 vende ekzistojnë sanksione për refuzimin e vaksinimit, nga gjobat deri te burgu.

Arsyet për gjithë këtë kokolepsje janë kryesisht mosbesimi dhe frika se vaksinimi do të infektojë sesa të mbrojë.

“Programet e vaksinimit janë mjeti më efektiv i shëndetit publik. Në një pandemi, mbulimi i lartë i vaksinimit në nivelin global është veçanërisht i rëndësishëm, ”tha autorja kryesore e studimit, Katie Gravagna.

Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë faktin se argumentet kundra vaksinimit të detyrueshëm janë dhënë nga mjekë profesionistë të cilët nuk kanë asgjë për të përfituar nga një fushatë sensibilizimi anti vaksinë. Në gazetën telegraf është botuar më parë një artikull i tillë i cili mund të aksesohet këtu.

Kështu pavarësisht faktit se pandemia globale ka bërë që njerëzit të ndikuar nga mediat dhe nga interesat e kompleksit mjeksoro-politik, të varin shpresat e kthimit në një jetë normale vetëm pas vaksinimit, kjo nuk do të thotë se vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm.