Arrestohen katër oficer policie se lejuan kultivimin e kanabisit, në pranga dhe 22 të tjerë

253
Sigal

Hetimi 7 mujor i SHÇBA dhe SPAK, përfundoi në mënyrë të suksesshme me arrestimin e 22 personave mes të cilëve shefi i stacionit policor në Poliçan, 3 vartës të tij dhe administratori i një njësie vendore. Policia ndaloi dhe 16 të dyshuar të tjerë për veprat e krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK dhe Ministria e Brendshme, njoftuan të premten arrestimin e 4 oficerëve të policisë dhe 18 personave të tjerë për kultivim të kanabisit në fshatra të Poliçanit.

Një hetim 7 mujor ende në vijim, zbuloi sipas SPAK se oficerët e policisë kishin “lejuar kultivimin e bimëve narkotike në territorin ku ushtrojnë detyrat funksionale dhe kompetencat, si dhe kanë favorizuar autorët që kanë kryer kultivimin e bimëve narkotike”. Nën akuzë për shpërdorim detyre është vënë edhe administratori i njësisë vendore Edmond Zotko dhe kryeplaku i fshatit.

Ndërkohë 16 persona të tjerë akuzohen nga SPAK për kultivim narkotikësh në formën e një “grupi të strukturuar kriminal” dhe “pastrim parash”. Operacioni i nisur që në muajin qershor, nën drejtimin e SPAK-ut, kishte në fokus kultivimin e bimëve narkotike që dyshohet se është  kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë kësaj periudhe 7-mujore mësohet se janë realizuar dhe dy operacione të tjera, të koduara “Rehova” dhe “Kanioni” dhe që kanë hetuar rastet e kultivimit të lëndëve narkotike ne fshatrat e thellë të Skraparit.

SPAK njoftoi se hetimet ishin shtrirë në disa fshatra dhe zona janë administruar prova nga të cilat ka rezultuar se një grup personash, të cilët vepronin në zonën e Skraparit, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimet e kryera, si përgjimet telefonike dhe vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore, rezulton se në territorin e rrethit të Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme, pothuajse në gjithë këtë territor. “Janë dokumentuar dhe sekuestruar lëndë narkotike e llojit cannabis sativa në 28 episode, në të cilat ishin ngritur impiante vaditjeje, vend qëndrimi dhe vendstrehime për punonjësit që punonin në këto parcela dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për këtë aktivitet criminal”, njoftoi Ministria e Brendshme.

Ndërkohë gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë sekuestruar gjithsej 5045 bimë narkotike të llojit cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar.