81 vazo me kanabis dhe llamba për rritjen e bimës narkotike, pamje nga ‘shtëpia e barit’ në Tiranë

318
Sigal

Zbardhen të tjera detaje nga shtëpia e barit e cila u zbulua pasditen e sotme në Tiranë. Mësohet se në banesën e marrë me qira nga 32-vjeçari Ermir Nasi janë gjetur 81 vazo me bimë narkotike.

Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe pajisje që shërbenin për kultivimin e drogës, llamba dhe tubat e aspirimit. 32-vjeçari ka tentuar të arratiset por është arrestuar nga blutë e Tiranës.

Operacioni mësohet se është zhvilluar nga komisariati Nr.4 në bashkëpunim me OSHEE. Shtëpia e barit në Qesarakë është zbuluar pas konstatimit të një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugano 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me OSHEE. Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike. Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen pajisje për kultivimin e kanabisit, llamba dhe bimë narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas në pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Sotir Caci”, kishte përshtatur banesën e marrë me qira, për kultivim të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugano 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi  E. N., 32 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga banesa të cilën kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, duke u hedhur nga kati i tretë.

Gjatë kontrollit të kësaj banese, në rrugën “Sotir Caci”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, llamba dhe  81 vazo me bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.