36 vjeçari shqiptar vdes në qeli, autoritetet franceze: U vetëvar. Familja: E kanë masakruar, kemi fakte

499
Sigal

Një shqiptar i arrestuar në Francë, ku ishte në procedura për të marrë azil, është gjetur i pajetë  në dhomën e qelisë.

Viktima quhet Mentor Rexha  36-vjeç i cili prej disa kohësh mbahej në paraburgim si i dyshuar për një vepër penale.

Njoftimi për vdekjen e tij është bërë pas një jave.

Autoritetet franceze thonë se Rexha është vetëvrarë në 31 janar, por familjarët kanë dyshime të forta që është dhunuar nga gardianët e burgut.

Fotot tregojnë hematoma në trup dhe plagë në kokë. E motra e të riut thotë se vetëm tani vonë janë lejuar që ta shohin në morg. “ Fillimisht më kërkuan që të firmos një shkresë pa parë trupin, por unë nuk pranova”, thotë ajo. Vetëm pasi ka shkuar vetë në morg, ka arritur të konstatojë shenjat e dhunës.

Trupi nuk është kthyer ende në Shqipëri, ndërsa të afërmit bëjnë apel për ndihmë, sepse ambasada shqiptare në Francë është shprehur se nuk ka fonde për t`i asistuar.

Mentor Rexha, lindur në Lezhë dhe me banim në Shkodër, përpara një viti kishte udhëtuar drejt Francës si emigrant dhe kishte aplikuar për  procedurat e marrjes së statusit të azilantit.

Por ndërkohë, ai ka përfunduar  në burg bashkë me dy shqiptarë të tjerë për djegien e disa automjeteve, ndërsa e motra thotë se në komunikimet që kanë pasur, Rexha gjithmonë ka pretenduar pafajësinë.

Duke mos besuar variantin e autoriteteve franceze, të afërmit i kanë bërë dhe foto trupit që tregojnë një shenjë litari në fyt, por edhe të çarë në kokë si dhe shenja të tjetra në trup, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet.

Ngjarja risjell në kujtesë episodin e trishtuar të përpara dy viteve, kur Florenc Beqiraj vdiq në një burg të Francës, teksa ishte dhe ai në pritje të azilit.