3 mld. lekë tendera korruptiv/ SPAK vijon hetimet për aferat e tenderave të policisë, ndërkohë që zbardhet një tjetër aferë me godinat

374
Sigal

 

SPAK vijon hetimet për aferën me tenderin e uniformave të policisë, për të kapur ‘peshqit e mëdhenj’, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë letrat për një tjetër tender të dyshimtë

Urithi’ i parave publike Asllan Hastoçi përlan tenderin për rikonstruksionin e objekteve të policisë në Dibër duke paraqitur ofertën më të lartë. Kompanitë me ofertë 500 mijë USD më të ulët u përjashtuan pasi nuk kishin të punësuar mjekë dhe specialistë për ndihmën e parë!

Ndërsa SPAK vijon hetimet për aferën 27 milionë USD me tenderin e uniformave të policisë, për të kapur ‘peshqit e mëdhenj’, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë letrat për një tjetër tender të dyshimtë, me vlerë 3 miliardë lekë, për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Dibër.

Fitues për këtë tender është shpallur kompania ‘Hastoçi’ në pronësi të Asllan Hastoçit, i cili në bazë të një dosje të zezë, rezulton një nga ‘urithët’ e tenderave korruptivë në Tiranë.

Duke lexuar dosjen e këtij tenderi, krijohen dyshime të forta se Asllan Hastoçi ka krijuar një linjë korrupsioni me kupolën e policisë, duke ndarë paratë që mund të kurseheshin nga një garë e ndershme dhe reale.

Oferta fituese e kompanisë ‘Hastoçi’ është më e larta, konkretisht 299,571,989.7 ose rreth 3 milionë USD.

Janë skualifikuar dy ofertat më të ulëta me vlerë 500 mijë USD dhe 250 mijë USD më pak se sa oferta e Asllan Hastoçit. Kompanitë ‘AGRI CONSTRUCTION”, “EVEREST” dhe “KAC DEDJA” janë bashkuar, duke paraqitur një ofertë 2.5 milionë USD. Ndërsa kompania “ED KONSTRUKSION” ka paraqitur ofertën rreth 2.7 milionë USD.

Për këtë tender janë vendosur kritere absurde dhe arbitrare, të cilët plotësohen formalisht vetëm nga kompania ‘Hastoçi’. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ka përjashtuar kompanitë me ofertë më të ulët edhe pse nuk kanë mjek të punësuar. Ato janë kompani ndërtimi, nuk janë ambulanca. Të kërkosh mjek të punësuar për të suvatuar mure është sa qesharake aq edhe korruptive. Përveç mjekut, janë kërkuar edhe ekspertë për ndihmën e parë.

“Operatorët ekonomikë për të siguruar shërbimin mjekësor në shoqëri duhet të ketë të punësuar minimumi një mjek të përgjithshëm ose të ketë të kontraktuar nga jashtë këtë shërbim. Në rastin kur mjeku është i punësuar në shoqëri, duhet të paraqesë kontratë pune të vlefshme. Operatorët ekonomik të kenë në stafin e tyre minimumi 2 (dy) punonjës të pajisur me certifikatë “Ekspert për ndihmën e parë dhe ndërhyrjen ndaj emergjencave”.

Po a ka Asllan Hastoçi mjek të punësuar dhe ekspertë për ndihmën e parë?

Prokuroria të hetojë se kur e ka punësuar mjekun dhe ekspertët kompania ‘Hastoçi’. Gjithashtu kompania fituese ka paraqitur letrat, por ka dyshime të forta se nuk i plotëson me të vërtetë kriteret për të pasur të punësuar staf me eksperiencë si: Inxhinier gjeodet, inxhinier gjeolog, ekspert kompjuterik, 2 teknikë ndërtimi, saldatorë, teknikë gomash, topografë, hidroizolues, saldatorë, 6 elektricistë, specialistë për sistemin ngrohje-ftohje , 3 specialistë për punime në lartësi, specialistë mjedisi, inxhinier ndërtimi të profilit strukturë dhe profilit transport etj.

Asnjë kompani nuk i plotëson realisht kriteret edhe për shkak të angazhimit në kontrata të tjera.

Asllan Hastoçi, është një biznesmen me profil të ulët dhe që vepron prej 25 vitesh në hije. Ai rezulton vitet e fundit një përfitues i madh i fondeve publike që shpërndahen nga drejtorët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës.

Gjatë viteve të fundit, Asllan Hastoçi, i njohur edhe si Llan Toçi, ka përlarë rreth 50 tendera, me vlerë miliona euro, në disa raste me procedura tejet të dyshimta, kryesisht nga kryebashkiakët dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili sot drejtohet nga Dritan Agolli, një nga zyrtarët më të sprovuar të botës së korrupsionit në Shqipëri, i cili nuk dihet se si i ka shpëtuar deri më sot arrestimit.

‘Pamfleti’ i është referuar një dosje e zezë voluminoze mbi veprimtarinë në prapaskenë të Asllan Hastoçit, pronar i kompanisë së ndërtimit që i ka vendosur emrin e tij, rreth lidhjeve klienteliste dhe fijeve të errëta, përmes të cilave fut në xhep paratë e taksapaguesve shqiptarë. Deri në vitin 2014, kur shqiptarët rrëzuan nga pushteti simbolin e krimit dhe korrupsionit, Sali Berishën, duke sjellë në pushtet Ilir Metën dhe Edi Ramën, të cilët shumë shpejt tejkaluan Berishën sa i takon plaçkitjes së parave dhe pasuritë publike, Llan Toçi pothuajse ishte anonim në lojën e tenderave në Tiranë.

Nga shqyrtimi i të dhënave dhe dokumenteve, ai ka nisur të trefishojë qarkullimin e parave dhe të fitimeve pas vitit 2014, duke arritur kulmin vitet e fundit. Toçi njihet si një klient i ish-kryebashkiakut të PD-së në Vorë, Fiqiri Ismaili, dhe ka arritur të depërtojë në klanin e korrupsionit të Erion Veliajt në Tiranë, duke marrë 9 tendera, në klanin e kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, ndërsa vijon të marrë miliona euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Toçi ka marrë tenderin me vlerë 193 milionë lekë për projektin zhvillimor të bllokut nr. 2 Roskovec, ku FSHZh ka skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera, madje disa më të njohurat në Shqipëri dhe me oferta më të ulëta sipas ‘Pamflet’.

Me të njëjtën skemë ka marrë edhe tenderin me vlerë 676 milionë lekë për rehabilitimin e lumit Gjallica në Fier. Llan Toçi, përpos lidhjeve me Fiqiri Ismailajn e PD-së, ka lidhje të forta edhe me pasardhësin e tij në krye të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun, i cili u shpall në kërkim nga drejtësia pasi kishte mashtruar për të shkuarën e tij. Toçi ka fituar tendera në bashkëpunim me gruan e Kajmakut, Merita Kajmaku, e cila ka marrë gjithashtu miliona euro nga buxheti i shtetit. Merita në këtë rast shërben si perde, pasi kompania komandohet nga Agim Kajmaku.

Madje kur policia nën komandën e Sandër Lleshajt e kërkonte Kajmakun për ta arrestuar, gruaja e Kajmakut merrte tendera nga vetë ministria me në krye Lleshajn. Ndërkaq, një tjetër tender të dyshimtë Toçi e ka marrë nga Bashkia e Rrogozhinës, në vitin 2019, me vlerë 2 miliardë lekë, me ofertë gati sa fondi limit. Edhe në këtë procedurë për ndërtimin e ujësjellësit të brendshëm, janë nxjerrë jashtë lojë të gjitha kompaninë, disa me ofertë më të ulët, për të nxjerrë fituese kompaninë ‘Hastoçi’.