Nga “Metamorfoza” tek “McGonigal” Kreu i SPAK Altin Dumani flet për çështjet e bujshme

17

Dimë kur dhe ku ka dalë Arben Ahmetaj nga Shqipëria, çfarë dokumenti ka paraqitur dhe arsyen. Së shpejti do kemi zhvillime surprizuese.

Sigal

Të enjten, në një takim informal me gazetarët e mediave në vend, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK Altin Dumani përmendi disa detaje rreth atyre që konsiderohen si çështjet më me impakt të madh në Shqipëri dhe që duket se janë pjesë e punës së kësaj Strukture. Kreu i SPAK Altin Dumani foli për mega-operacionin “Metamorfoza”. Sipas kreut të SPAK aktet e mbërritura nga partnerët janë të ligjshme. Dumani tha se edhe në praktikën apo vendimet e formës së prerë të gjykatave të vendeve evropiane i kanë njohur transkriptet si të ligjshme. Dumani nuk dha detaje nëse do të ketë një fazë të re, por ai tha lidhur me këtë procedim se po kryhen veprime hetimore. “Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion, apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë, lidhur me këtë çështje”,- tha Altin Dumani, Drejtuesi i SPAK në Shqipëri. Një tjetër çështje me interes publik ishte ajo e quajtur ndryshe si “Dosja e Sterilizimit”. Pas sugjerimeve të Gjykatës së Posaçme GJKKO, Dumani tha se kjo është një çështje që vijon ende të jetë nën hetim. “Nuk përjashtohet mundësia në çdo kohë të ketë persona të tjerë nën hetim. S’kam koment për vendimin e gjyqtarit. Vijon të jetë nën hetim nga dy prokurorët e çështjes (Edvin Kondili e Eneid Nakuçi). Kam ushtruar kompetencat e mia si drejtues i prokurorisë sa më takon ligji. Sa i takon hetimit pasuror, është praktikë në SPAK, që kryhet si për veprën penale të korrupsionit edhe për krimin e organizuar, është hetim paralel”- tha për gazetarët Altin Dumani. Një tjetër çështje ajo që lidhej me fondet e IPARD, e cila më herët u pushua për moskompetencë, Dumani tha se ka një hetim të ri nga Prokuroria e Posaçme dhe se hetimet ndodhen në fazë paraprake. Lidhur me kallëzimin për çështjen McGonigal, Dumani tha se çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Lidhur me kërkesën zyrtare të Partisë Demokratike, sipas përcaktimeve ligjore si palë kallëzuese, do të ketë përgjigje brenda kohës së duhur dhe në mënyrën e duhur tha kreu i SPAK. Një tjetër çështje e prekur në takim ishte ajo që njihet si çështja e Amant Josifit. Altin Dumani tha se ai u arrestuar në kuadër të një procedimi nga Spanja dhe se edhe SPAK ka bashkëpunuar, por i pyetur lidhur me faktin nëse Amant Jasifi ka çështje të hapur në Shqipëri, Kreu i SPAK tha se “nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kushdo qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari”. Për ish – zëvendëskryeministrin në kërkim Arben Ahmetajn, Prokuroria e Posaçme mesa duket paralajmëron zhvillime surprizuese të hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj. Zhvillimet e reja duket se i referohen provave më të reja në lidhje me paligjshmëri të dyshuara si të kryera prej tij. Edhe pse tha se nuk ka informacion mbi vendodhjen aktuale të Ahmetaj, Altin Dumani bëri një paralajmërim. “Dimë kur dhe ku ka dalë nga Shqipëria, çfarë dokumenti ka paraqitur dhe arsyen. Së shpejti do kemi zhvillime surprizuese.” Sipas Dumanit, fakte të reja me natyrë domethënëse kanë dalë në skenë, të cilat implikojnë rëndë aktivitetin kriminal gjatë ushtrimit të detyrës së Arben Ahmetaj. Ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë dhe pritet që listës së personave të proceduar, të shtohen dhe emra të tjerë. Gjiknuri është verifikuar në kuadër të hetimeve për Ahmetajn, kjo nuk do të thotë se ka hetim për secilin që del në atë procedim penal”. Ndërsa çështja e Fredi Belerit të kryebashkiakut të shpallur fitues nga zgjedhjet e 14 majit 2023, por që u arrestua nga SPAK, sipas Dumanit është çështje si gjithë të tjerat dhe shtoi se i janë respektuar të gjitha të drejtat që parashikon ligji. Në lidhje me dosjen e ngjarjes tragjike të Gërdeci, Dumani tha se SPAK konfirmon se po kryehen të gjitha verifikimet e mundshme dhe se janë nisur drejt SHBA-ve letërporosi dhe se po bashkëpunohet me SHBA. Po ashtu në takimin informal me gazetarët e terrenit, kronikës dhe çështjeve të drejtësisë Dumani pranoi se SPAK po heton edhe në lidhje me kompleksin Partizani dhe se po hetohet në mënyrë aktive e po kryhen veprime të shumta hetimore tha ndër të tjera në takimin informal me gazetarët Altin Dumani, Kreu i Prokurorisë së Posaccme SPAK në Shqipëri.