19 tetori i Nënë Terezës, Dita Kombëtare e shenjtores së të varfërve

1093
“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.
Si sot 14 vjet me pare, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani në 4 shtator 2016.
“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.
Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.
Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me te dha kete koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.
Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo beri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret femijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qënë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.
Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën.
Sigal