1-vjetori i aksionit të OSHEE-së, Çela: Nuk jemi më barrë e buxhetit

589
“OSHEE nuk është më barrë për buxhetin e shtetit, por është shndërruar në kontribuese”. Kështu ka deklaruar këtë të martë, Kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Adrian Çela në 1 vjetorin e analizës së aksionit për mbledhjen e borxheve nga debitorët e energjisë elektrike.
“Rritja e qëndrueshme e nivelit të arkëtimeve dhe ulja drastike e humbjeve ka çuar në përmirësimin e ndjeshëm të treguesve ekonomik të kompanisë. Në vitin 2012, shoqëria rezultoi me bilanc negativ -38 miliardë lekë. Këtë vit, pritet që bilanci i kompanisë të arrijë mbyllet pozitiv me rreth 10 miliardë lekë. OSHEE nuk është më barrë për Buxhetin e Shtetit, por një kontributore me rreth 3% të të ardhurave tatimore e doganore. Gjatë këtij viti janë paguar tre herë më shumë taksa krahasuar me dy vite më parë”, tha Çela.
Sipas tij në 9-mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion USD. Thënë ndryshe, janë 150 milion më shumë se një vit më parë dhe 200 milion më shumë se në vitin 2013.
Sa i përket skemave lehtësuese për shlyrjen e borxheve, Çela tha se OSHEE u krijoi mundësinë mbi 358 mijë qytetarëve të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste.
“Mbi 200 mijë abonentë përfituan ulje me 80% të kamatës, 129 mijë zgjodhën ta paguajnë borxhin me këste 2500 lekë/muaj ndërsa 28 mijë familjarë në skemën e ndihmës ekonomike përfituan nga këstet me 1000 lekë/muaj. Janë 200 mijë abonentë që sëbashku kanë përfituar 40 milion USD zbritje të kamatvonesave si rezultat i zbatimit të kësaj skeme lehtësuese,” u shpreh kreu i OSHEE.
Pak ditë më parë, OSHEE ofroi të tjera skema. Një e tillë është e vlefshme edhe për biznesin të cilit tanimë i reduktohet kamata me 50% nëse paguan njëherësh gjithë detyrimin. Për familjarët, kamata reduktohet me 70% nëse e paguan direkt detyrimin dhe 50% nëse e shlyen brenda 6 muajve nga lidhja e aktmarrëveshjes.
Në analizën e OSHEE thuhet se janë regjistruar rreth 33 mijë kontrata të reja gjatë vitit 2015.
Ardian Çela u ndal gjithashtu edhe në sektorin e investime, duke thënë se në 2 vitet e fundit po investohen në rrjetin e shpërndarjes aq para sa nuk janë investuar në 5 vite.
“Në rajonin e Tiranës ka filluar investimi në vlerën 2.5 miliard lekë. Rikonstruktuam n/stacionit Qendër, me pajisje moderne, që tashme i vjen në ndihmë dy n/stacioneve e tjera të kryeqytet, atij të Selitës dhe Traktora. Për Tiranën qytet, pas më shumë se 10 vitesh, kanë nisur investimet në disa zona kryesore, si Don Bosko, Vasil Shanto, Selitë, Rruga e Kavajës, qyteti Studenti, Oxhaku, ish-Kinostudio. Vëmendje i kemi kushtuar zonave të urbanizuara vitet e fundit, si Babrru-Paskuqan-Bathore, Shkozë, Mëzes, në të cilat OSHEE po vendos linja, shtylla, kabina dhe transformatorë të rinj. Linja do të jetë e gjitha 20 kv, nga 6 që është aktualisht, me vlerë investimi 1.7 miliardë lekë,” pohoi ai.
Sipas tij investime po bëhen edhe në qytetete të tjera të vendit, ku një vëmendje e veçantë po u kushtohet zonave turistike. Çela përfundoi fjalën e tij duke deklaruar se rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike është beteja e çdo dite.
Sigal