Maratonomaku, Prof. Fico ecën “Me hapin e kohës”

753
Sigal

Illo FOTO

Nju Jork, qershor 2018

Kur mora në kutinë postare librin e Agron Ficos “Me hapin e kohës (mozaik shkrimesh)” kisha në dorë një portret për bletërritësin e talentuar Thoma Vardhami, bashkëfshatar i imi, shok fëmijërie. Ai u bë shkencëtar autodidakt i bletarisë. Isha zhytur në punë për këtë portret, sepse kisha shumë shënime, materiale dhe kryeja një detyrë jo vetëm publicitare, por më shumë shpirtërore. Mendova se librit të Agronit mund t’i hidhja një sy dhe ta lija provizorisht, sa të krijoja kohën për leximin që meritonte. Këtë pozicion ia shkrova dhe Agronit, me email, në momentin që mora librin. Nga shfletimi paraprak krijova bindjen se nuk mund ta lija në heshtje, qoftë dhe përkohësisht, librin “Me hapin e kohës”. E lashë portretin për Thomanë e dashur. Libri i Agronit më grishi. Jo vetëm e lexova, por e studiova, në nivelin e punës që kërkon një përsiatje e librit të nivelit shkencor, me vlera gjithëpërfshirëse. Mendimi im ishte që këtij libri të mos i bëja një recension, sepse kam kryer të tilla për dy librat e tjerë të Agronit. E përmbysa planin që i kisha vendosur vetes për leximet dhe punët e përditshme. Mbasi të më lexoni deri në fund besoj se dhe ju do të vepronit siç veprova unë. Libri i Agronit është ky që është edhe pa përsiatjen time modeste, por bëhem unë ndryshe kur i futem në ind mozaikut të shkrimeve akademike që përmban libri. Po të mos e tretja këtë libër në ndërgjegje do të isha diçka më mangët në intelekt, në shoqëri dhe në ndjenjë. Për të qenë më të plotësuar jua rekomandoj ta lexoni këtë libër akademik, sepse do të gjeni shumë gjëra, që nuk i kini dhe ju duhen, pavarësisht moshës që keni aktualisht. Se cili është Agroni, si personalitet shkencor, autor dhe njeri, e keni të shënuar në shumë vende. Në këtë libër ai paraqitet, si dhe në të kaluarën, mjeshtër i fjalës së shkruar. Fjala e Agronit në shikim të parë duket sikur është e zhveshur nga figurat stilistike, por unë vijoj ta quaj me të drejtë, fjalë mjeshtërore-artistike, sepse është sinonim i së vërtetës, përfaqëson lidhjet kauzale të realitetit me të kaluarën dhe të ardhmen, është balsam shpirtëror dhe kulturor. Esetë e autorit Fico janë bubullimë. Nuk mund t’u heqësh asnjë fjalë, jo frazë. Provoje t’i heqësh një frazë! Gjendesh në tjetër qiell.

Kur lexon librin ndjehesh sikur dëgjon vargun e këngës “…e qërojnë orizin në sini, në sini”. Përdorimi artistik i fjalës nuk është privilegj i vetëm i shkrimtarit. Në nivelin, që është sofistikuar bota e teknologjisë, fjala ka marrë autoritet të rëndësishëm shoqëror dhe shkencor. Të tërë profesionet kanë fjalorin e tyre. Teknologu nuk mund të flasë me fjalorin e politikanit, sikurse fjalimi diplomatik ka ngjyra të tjera, nga të tërë fjalorët profesionistë. Një ndër fjalorët më të ngarkuar, këto kohë, janë fjalorët ndërplanetarë të NASSA-s dhe fjalori gjenetik. Fjalorët e tjerë huazojnë nga njëri-tjetri. Unë kërkova si ta emëroja fjalorin e Agronit dhe konkludova se është fjalor akademik. Fjalori i njeriut, përveç punë, në radhë të parë është dhunti. Ka shkencëtarë me emër, që u mungon fjalori adekuat. Agroni është shkencëtar me emër në shumë fusha të gjuhësisë dhe përdor lirshëm fjalorin që i përket secilës disiplinë shkencore. Autorët bëhen mediokër jo vetëm për temat që trajtojnë, por edhe për mungesën e fjalorit, që të familjarizon me temën. Libri “Me hapin e kohës (mozaik shkrimesh)”, shënon 347 faqe, ku përmblidhet dhe bibliografia e shkrimeve të Prof. Agronit, deri në ditët e sotme. Analiza e bibliografisë është një problem më vete, por shkrimi im nuk ka ketë detyrë. Libri, në analizë, na paraqet 9 portrete njerëzish të shquar. Portretet janë fotografi të gjithë indeve të heroit të përshkruar shkurt, madje shumë shkurt dhe me hollësi, që nuk ke ç’pyet më për ta. Le t’i quajmë, skaner, këto portrete. Përpikëria është metodë pune e profesorit-autor. Lexoni kumtesën ku janë kryer takimet në Paris me Kadarenë. Ke përshtypjen se dhe ti, si lexues, ke qenë ulur aty afër dhe merr pjesë në diskutimet për Gjirokastrën dhe diplomatin Rauf Fico. Lidhur me këtë takim, lexoni kumtesën për 80-vjetorin e Kadaresë. Unë mendoj se është një kumtesë që lidh fëmijërinë me qytetin, Sokakun e të marrëve, traditat, krijimtarinë dhe mendimin e thellë shkencor. Në kapitullin e dytë të librit shtjellon gradën shkencore të marrë në universitetin Çabej, Gjirokastrës. Këtë e konsideron një vlerësim të lartë, që lidhet edhe me emrin e Universitetit “Eqrem Çabej”, një nga lëvruesit më të shquar të gjuhës, por edhe idhull i autorit të librit. Të kuptohemi, kapitulli ka një vlerë shumë më të madhe se dekorimi i Agronit. Kjo spikat në të tëra mesazhet e urimit për këtë event. Në kapitullin e tretë analizohen veprat e Kadaresë. Jepet tabloja e disa veprave, duke përmendur edhe “Padrejtësinë ndaj kombit shqiptar”. Këtë kumtesë e ka shkruar në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Është një ndjenjë që ushqehet dhe evokohet nga një shkencëtar i gjuhës shqipe, profesor i tre kontinenteve, njeri i nderuar në rrethet akademike të shumë vendeve të botës, një zë që duhet të dëgjohet. Si të gjithë njerëzit as forumi i lartë i çmimit ‘Nobel’, nuk janë të imunizuar nga gabimet njerëzore. Në kapitullin e katërt, autori rreh probleme të jetës kulturore letrare. Është rrahur një tematikë e gjerë, por bie në sy shkrimi për Kongresin e drejtshkrimit dhe diasporën. Në këtë kumtesë të thukët analizohet vlera e Kongresit të Drejtshkrimit, si një ngjarje e veçantë, pas atij të Manastirit. Gjuha shqipe si gjuhë e vjetër e meritoi reformën për të pasur një gjuhë të unifikuar, për të cilën u investuan shumica e shkencëtarëve gjuhëtarë në vend, Kosovë dhe në diasporë. Në kumtesë përmendet pikëpamja e Profesor Arshi Pipës, që është për liberalizimin e dialekteve. Në këtë diskutim dualist shkencor, u fut një shkencëtar dhe dijetar tjetër i përmasave të mëdha, Peter Prifti, një bashkëpunëtor i Nolit, autor i një vargu veprash të famshme letrare dhe gjuhësore.

Ky debat ishte me frymë të shëndoshë kombëtare dhe me argumente shkencore, u rrëzuan pikëpamjet e Pipës për një problem kaq madhor. Kjo polemikë gjeti shprehjen me parullën kuptimplotë: “Një komb, një gjuhë kombëtare”. Populli shqiptar, si komb modern, evropian, e meriton gjuhën e njësuar kombëtare. Diskutime për këtë problem madhor ka pasur edhe pas Profesor Pipës, por gjithsesi ky problem ka gjetur konsensusin kombëtar shkencor. Në të tërë librin, natyrshëm, shfaqet qëndrimi politik i Profesorit. Ai nuk është një akademik që merr frymë me pompën e asmatikut apolitik. Është i ndërgjegjshëm që politika ndryshon jetën e njerëzve. Një prej eseve me sens politik të theksuar është “E drejta etnike e bashkimit kombëtar”. Thelbi i kësaj eseje jepet në fund, ku thuhet: “Një komb, një gjuhë, një flamur dhe një shtet”. Realizimin e kësaj dëshire, autori e shpjegon me qartësi të admirueshme filozofike dhe politike. Me finesë të një autori të qartë politikisht, ndalet te eseja “Shtate bajamet që mbolli im atë”. Kjo ese ka pak të bëjë me bajamet fizike, por me Babanë e tij, që i mbolli të 7 pemët në kopshtin e familjes, për simbol familjar. Po këtu shpjegohet se si degjeneronte lufta e klasave, lidhur me Babanë, që vdiq në vitin 1936, duke qenë oficer i Mbretërisë. U ndala te kjo ese për të shpjeguar natyrshëm një problem të luftës politike. Me ndonjë rast tjetër, shqiptari që do të ndodhej në rrethana të ngjashme si A. Fico do të përpiqej të deklarohej i përndjekur politik. Çështje të tilla meritojnë të trajtohen jo vetëm me gjakftohtësi, por me realizëm. Në mjaft raste me këto çështje abuzohet në skaj, që s’ta pret mendja. Në kapitullin e peste, përmblidhen ese kulturore dhe shkencë. Kapitulli i gjashtë përmban gjithashtu mendimet e koncentruar të autorit në esetë e tij, që folëm edhe më lart. Dua të shtoj vetëm faktin që esetë e këtij autori paraqesin një bashkim natyror të përmbajtjes me formën artistike. Nuk ka asnjë metaforë, asnjë figurë stilistike, artin e bën fjala e drejtpërdrejtë, e sinqertë, që del nga thellësia e shpirtit. Autori i pasionuar shkruan me zemër, dora është mekanizmi i fundit që vihet në punë kur autori shkruan dhe mendon. Fjala është kur mendon për problemin që ka shtruar në tavolinë. Aty analizohen situatat, aty gjenden artificet dhe kundërshtitë, por zgjidhjet gjenden midis njerëzve. Kjo është arsyeja që Agroni ka korrespodencë të gjerë dhe vlerëson të tëra mendimet që i vinë nga jashtë tavolinës së punës. Kur nuk e pret, ballafaqohesh me letra, emaile, fotografi, dokumente, krejt të harruara; por jo për “arshivën” Fico. Si gjithnjë në jetë, Agroni shfaqet këmbëngulës edhe në realizimet edhe në eventet shoqërore, familjare. Kjo veçori bie në sy në të tëra esetë, por po marrim në shqyrtim esenë për 80-vjetorin e Kadaresë. Është nismëtar dhe relator në të tëra fazat e këtij eventi, jo i rrethit të ngushtë, por në shkallë shteti. Ja ka arritur Agroni me emailet e tij të vërë në lëvizje të gjithë shokët dhe aktorët që i duhen eventit. Vuri në lëvizje të tëra levat e duhura, që nga Ministria, Akademia dhe deri te Kryebashkiakja Rami, si dhe grupin e Akademisë në Amerikë. Kushdo tha fjalën e vet, por mbi të gjithë ishte Agroni, që realizoi edhe bashkëbisedimin me familjen Kadare në Francë. Në kushtet e sotme, kur shqiptaret gjenden në të të tëra skajet e Globit, të tilla nisma dhe realizime janë shumë të gëzueshme dhe të paharrueshme. Bisedat në familje, në kafenenë ku shkruan Kadareja dhe kujtimet e fëmijërisë në vendlindje e konkurrojnë fjalimin akademik që u realizua nga zyrat e shtetit. Agroni nuk është sipërfaqësor dhe melodramatik. Ai i ka zbërthyer librat e Kadaresë, nga ku mësojnë njerëzit gjithçka që është synuar nga autori i madh, krenaria e Kombit. Kadare dukej cili do të bëhej qysh në fëmijëri. A investoi gjë Diktatura për të? Asgjë! Në gjimnaz ishte talent në shpërthim. Bursa, për në BS, nuk ishte privilegj. Do të quhej privilegj po ta dërgonin diku në perëndim. Disa pinjollë të familjeve afër pushtetit i dërguan në Perëndim për studime. Kadareja është trajtuar si të tërë ne, brezi i tij. Këtë realitet e kam shprehur në shkrimin për të, gjatë jetës në gjimnaz. Këtë shkrim e ka botuar “Dita” dhe për të pata miratim dhe urime nga të tërë shokët e klasës gjimnaziste, që janë ende gjallë. Si shkrimtar i talentuar ai u maturua, pa e marrë njeri për dore, për ta çuar drejt altarit. Koha gjimnaziste është përcaktuese për jetën e njeriut. Mbas moshës studentore nevoja e autorit është e panevojshme, për çdo njeri. Kadare u rrit në këto përmasa vetëm nga talenti i tij dhe nga asnjë rrethanë tjetër. Shkrimi im është i gjatë, por një ekstrat të tij mund t’i arnohet atij libri, kur të përkthehet në anglisht dhe më gjerë. Vend të rëndësishëm zënë veprimtaritë e Kadaresë në Amerikë, një kapitull i rëndësishëm, ku Agroni mbetet autori më i rëndësishëm në pjesën amerikane të njohjes së Kadaresë. Të tërë shkrimet e tjera të Agronit, për Diasporën, kanë vlerë ekskluzive, krahasuar me të gjithë volumin e madh të shkruar këto 30 vitet e fundit. Këtë argumentim, për Kadarenë, Agroni e bën në pak faqe, nga mijëra faqe që janë shkruar nga mijëra njerëz diturakë në dhjetëra gjuhë. Esetë e Agronit kanë sharmin atdhetar, gjirokastrit. Jo vetëm analizon dhe komenton, por i gufon zemra. Bëhet poet. Ja pjesë nga poezia e Agronit: “O moj Gjirokastra nënë/ Në Nju Jork, dëgjoja zënë”. Grataçielat dhe avenytë njujorkeze të lënë pa mend, por Gjirokastra mbetet Nënë. Përballë çdo fenomeni të komplikuar Agroni vendos të thjeshtën, të kuptueshmen, akademiken. Unë u mundova të gjeja një përcaktim të përshtatshëm për Agronin, në aspektet që lart tregova, por nuk munda. Duhej të justifikonte shprehjen “gjithëpërfshirje”. Është fjalë që të obligon dhe të mundon. Ju drejtova librit në fjalë, në faqen 150. Këtu autori ka shënuar një koment që ka realizuar vajza e tij, Alba. Gjysma e komentit të Albës është kjo: “Je ndër të paktët që në këtë kohë përkrah dhe publikon pa asnjë ndjenjë zilie njerëzit që investohen në fushën e letrave dhe kulturës shqiptare”. Me këtë shprehje Alba ka thënë shumë, në drejtim të karakterit të Babait. Nuk i heq asnjë presje komentit të saj. Me kohë e kam vërejtur këtë karakteristikë të Agronit, madje kam mësuar prej saj, për ta përshtatur disi në shkrimet e mia. Unë nuk jam profesionist i analizave letrare. Mund të quhem djalë i adoptuar në këtë zhanër fisnik. Po qe se libri më pëlqen, bëhem shtojcë e tij dhe i hyj një pune që unë e quaj fondamentale; pasi ta kem asimiluar vetë, dua të bëj sa më shume aleatë, që të flasin për librin që unë analizoj. Mbi këtë praktikë kam analizuar librat e rreth 40 autorëve; që m’i kanë dhuruar miq, ose i kam zgjedhur në raftin e librarisë. Njeriu që kryen një recension serioze lodhet në raport me lodhjen e autorit. Recenti lodhet shumë pak kur autori është lodhur shumë. Recensioni është i barasvlershëm me lëndën “analize letrare”, që zhvillohej në gjimnazet e asaj kohe. Nuk jam i sigurt nëse sot zhvillohet një lëndë e tillë. Këtë dyshim e mbështes te fakti që në shtypin online gjej recensione disi skematike, ku nuk shpreh mendim recenti. Gjenden edhe recensione dhe ese dinjitoze. Kam parë në shtypin online analiza të shkëlqyera të librave dhe të realitetit. Para pak kohësh pashë një tregim të Thanas Gjikës për shokët e punës te “Fjala e lirë” të Terziut. Eseja e z. Gjika të jep informacion të plotë, pa teprime dhe pa gjymtime të realitetit. I thellë në gjykime letrare është dhe Shpend Topallaj etj. Ekzistojnë premisat e duhura për të pasur një linjë të plotë të vlerësimit të shkrimeve të shumta që kemi sot në treg. Në secilin libër të shkruar autori bën një kontratë me lexuesin, duke i dhënë një informacion të shkurtër se ç’ka dashur të sqarojë. Për të njohur me problematikën librit i hidhet një sy i shpejtë, pastaj fillon betejën për leximin e avashtë. Librat e A. Ficos, si libra shkencorë në përmbajtje, janë të tillë dhe në paraqitje. Kumtesa të qarta në përmbajtje, që na shfaqen me fjalitë që lart-përmendëm, por dhe datat e kumtit, nëse janë botuar në shtyp ose jo dhe mendimet që janë shfaqur nga lexuesit në versionin online. Çdo ese, përmban botën e vet, të rrahur në të tëra rrafshet dhe të tëra esetë bashkë, e bëjnë lexuesin pjesë integrale të librit, ku dallohet dora mjeshtërore e një shkencëtari që na i paraqet shumë thjesht gjithçka të komplikuar që ka kjo botë. Të konceptuara thjesht, të shkruara thjesht, secila kumtesë ngërthen të vërtetën shkencore të shprehur artistikisht. Jam në fund të analizës time, për librin e famshëm të Prof. Agron Ficos. Është një libër që i vlen shumë shkencës shqiptare, të tëra disiplinave, folkloristike, albanologji, kulturë, arsim, politikë, atdhetari. Probleme që janë rrahur në kuptimin e gjerë gjeografik, që nga fshati shqiptar, nga arbëreshët, arvanitasit dhe deri në të tëra vatrat e diasporës, që është pjesë e pandarë e kombit. Dua të dal te një porosi për brezin e ri të shqiptarëve që shkruajnë. Të ndalen me frymëmarrje të thellë, përpara se t’i japin revansh penës. Libri i Prof. A. Fico do të mbetet një model frymëzimi për autorët e të gjithë profileve të fjalës së shkruar, kryesisht për të rinjtë. Tani që jam në përfundim të kësaj përsiatjeje m’u kujtua ajo që shkrova në fillim, për portretin e bletërritësit Thoma Vardhami. Nuk jam i penduar se e ndërpreva atë punë provizorisht. E përzjeva prodhimtarinë e Agronit me koloninë dhe mbretëreshën e bletëve. E përpiktë është vepra e Agronit, si dhe familja bletare, i shoqëron mjalti i hojeve të bletëve të Gjirokastrës.