Veliaj: Ndëshkime për ata që i vjedhin dhe fonderitë që i blejnë pusetat e vjedhura

504
Pas identifikimit të rreth 4 mijë pusetave të munguara në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për zëvendësimin e tyre, duke filluar nga rrugët pranë institucioneve arsimore, e duke vijuar me rrugët kryesore të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi Ndërmarrjen Publike nr. 2, ku inspektoi përgatitjet për zëvendësimin e pusetave të munguara, si dhe paralajmëroi se të gjitha fonderitë, të cilat pranojnë pusetat e vjedhura, që janë pronë e qytetarëve të Tiranës, do të ndiqen penalisht dhe do t’u hiqet licenca.
“Falenderoj kolegët që po përfshihen në operacionin për rehabilitimin e Tiranës, të cilën e gjetëm pa puseta, pa ndriçim, pa pemë, të shqyer në të gjitha drejtimet e punëve. Kur kemi vetëm 10 javë në detyrë, na duhet t’i japim sa të mundemi një sens të funksionimit normal të qytetit”, deklaroi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se fillimisht, operacioni ka nisur me vendosjen e pusetave në rrugët kryesore të qytetit.
“Qytetarët duhet të kuptojnë se pusetat kushtojnë dhe paguhen me taksat e qytetarëve. Kjo do të thotë se, nëse dikush vjedh një pusetë, është duke vjedhur një pronë publike të qytetarëve. Prandaj, jo vetëm do të gjobitet, jo vetëm që do të ndiqet penalisht, por do t’u biem pas edhe fonderive që marrin pjesët e pusetave”, tha Veliaj. Duke e cilësuar këtë pronë publike si mundin dhe gjakun e qytetarëve të Tiranës, kryebashkiaku sqaroi se çdo biznes që i blen këto materiale do të penalizohet.
“Nëse ka një fonderi e cila shkrin ose blen qoftë edhe një copë pusetë që është pronë e Bashkisë së Tiranës, ai biznes do të mbyllet dhe do t’i hiqet licenca. Do të shkojë për ndjekje penale, jo vetëm ai që e vjedh pusetën, por edhe ai që e blen materialin e vjedhur, që më pas e shkrin dhe e përdor për punë të tjera”, deklaroi Veliaj. 
Ndërkaq, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka nisur përdorimin e një materiali të ri për prodhimin e pusetave, në mënyrë që të mos jetë i riciklueshëm dhe për pasojë të mos bjerë pre e vjedhësve për t’u shitur. “Ne do të futemi në një koncept të ri, duke përdorur më shumë kompozitë dhe plastikë, pra do të prodhojmë puseta të pariciklueshme dhe të papërdorshme. Në një qytet ku duhet të jetojmë të gjithë, ai që vjedh pusetat duhet të kuptojë se mbi to kalon nëna dhe motra e tij, gjyshi apo gjyshja e tij”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë kërkoi ndihmën e qytetarëve për të denoncuar këdo që vjedh apo mbledh pusetat e vjedhura nga rrugët e kryeqytetit. “Dua t’i uroj të gjithë ekipit tonë dhe mjeshtrave tanë punë të mbarë në këtë operacion të vështirë. Besoj se do të kemi ndihmën e shumicës së qytetarëve që do një qytet që funksionon normalisht dhe do që taksat e veta të respektohen e të mos abuzohet apo vidhen”, përfundoi Veliaj.
Drejtoria e Ndërmarrjes Publike nr. 2 të Bashkisë së Tiranës ka nisur vendosjen e pusetave dhe zgarave në të dy krahët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Njëkohësisht, aksioni për vendosjen e pusetave është përqendruar nëpër trotuare, afër institucioneve arsimore, ku kalojnë fëmijë dhe më pas punonjësit do të shpërndahen në të gjitha njësitë e qytetit.
Sigal