Shteti që mban në burg për fajin e gjyqtarit: amnistia u varros në zyrat e drejtësisë
Nga Avokat Ndue Pjetra, kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion
Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SHAASH) denoncon pa ekuivok një realitet tronditës: në Shqipëri, sot, njerëzit mbahen në burg jo sepse ligji e kërkon, por sepse gjyqtari nuk ka zbardhur vendimin. Kjo nuk është më drejtësi e dështuar. Kjo është dhunë institucionale.
Amnistia, e shpallur si akt humanizmi dhe drejtësie, u shndërrua në një farsë cinike. Dhjetëra të dënuar, që plotësonin kushtet ligjore për përfitim, u lanë pas hekurave sepse vendimet e tyre mbetën në sirtarë, në serverë të fikur, në indiferencën e një sistemi që nuk mban përgjegjësi për asgjë. Faji është i qartë. Pasoja po mbahet nga personi i gabuar. Në këtë vend, një gjyqtar që nuk zbardh vendimin shkel ligjin. Por nuk ndëshkohet realisht. Ndërsa i dënuari humbet një të drejtë ligjore të pakthyeshme dhe vazhdon të mbahet në burg në mënyrë arbitrare. Ky është përkufizimi klasik i padrejtësisë shtetërore: kur shkelësi mbrohet dhe viktima ndëshkohet.Dy të dënuar në të njëjtat kushte ligjore trajtohen ndryshe. Njëri del nga burgu, sepse vendimi i tij u zbardh në kohë. Tjetri qëndron brenda, sepse gjyqtari nuk bëri punën e tij. Kjo nuk është zbatim ligji. Kjo është lotari penale. Dhe në një shtet që pranon lotarinë në drejtësi, ligji ka pushuar së ekzistuari. Kushtetuta flet qartë për barazi para ligjit dhe proces të rregullt. Konventa Europiane flet qartë për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe mjete efektive ankimi. Por në praktikë, këto norma hidhen në kosh përballë papërgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor. Shqipëria mban njerëz në burg jo se janë jashtë ligjit, por sepse sistemi është jashtë kontrollit. SHAASH i ka kërkuar urgjentisht Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit që kjo maskaradë të mos përsëritet në ligjin e ri të amnistisë. Kërkesa është minimale dhe e panegocueshme: askush të mos humbasë amnistinë për faj të gjyqtarit. Çdo gjë më pak se kjo është bashkëfajësi politike dhe institucionale. Nëse Kuvendi miraton një tjetër ligj amnistie pa korrigjuar këtë krim procedural, atëherë ai ligj nuk do të jetë akt drejtësie, por dokument hipokrizie. Një shtet që e di se ku është problemi dhe zgjedh të mos e zgjidhë, nuk është më shtet i së drejtës. Është shtet që prodhon padrejtësi me vetëdije. Pasojat do të jenë të pashmangshme. Padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Vendime turpëruese kundër Shqipërisë. Dëm financiar për taksapaguesit. Por mbi të gjitha, jetë njerëzish të shkatërruara padrejtësisht në emër të një drejtësie, që nuk funksionon. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë e thotë hapur: mbajtja në burg për faj të gjyqtarit është formë e dënimit të paligjshëm. Dhe një shtet që e lejon këtë, nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për drejtësi, reforma apo standarde europiane. Nëse vendimet nuk zbardhen, atëherë drejtësia ka vdekur. Dhe kur drejtësia vdes, burgu bëhet instrument i padrejtësisë, jo i ligjit.




















