Panajot Zoto/ Po doganat kur do rilindin?

634
Nuk e di nëse kryeministri i së Majtës, pjesë e së cilës jam, ka informacion mbi ç’dua të trajtoj në këtë shkrim. Do t’i kërkoja Kryeministrit, që në dogana të bëj jo “rilindje”, por përmbysje. Pse? Sepse si qytetar dhe si gazetar, mendësia e doganierëve pak ka ndryshuar nga koha e qeverisjes së Berishës. Mbase nuk duhet përgjithësuar. Mbase nuk është kjo “fotografi” që unë kam, në të gjitha doganat. Ndërkaq, në doganën e Kakavisë problemet janë po ato. Mbase doganierët atje nuk “hanë si ujku”, por imazhi mbetet po ai. Sa herë kam kaluar traun e kufirit, kam ndeshur përballjen e drejtuesve (të autobusëve në veçanti) me doganierët në pikën e kontrollit. Shoferët japin eurot e kërkuara dhe më tej shfryjnë. Shajnë shtetin dhe qeverinë. Nëse nuk paguan diçka – thonë ata, mund të bllokohesh këtu me orë. E konfirmova konkretisht (ankesën e shoferëve) në mbrëmjen e datës 23 gusht. Drejtuesi i autobusit kishte blerë në Greqi 4 goma. 

Dhe autobusi ndenji në pritje, për mbi 30 minuta , deri në momentin që gjithçka u zgjidh me ryshfet nën dorë. Drejtuesi, pasi hipi në timon shfryu: Donte më shumë se 20 euro, tha. Ryshfet? Drejtuesi i mjetit nuk e kishte faturën e blerjes, dhe mbase duhet të paguante një gjobë. Po si? Sipas ligjit dhe rregullit. doganieri , në zyrë duhet t’i priste gjobën dhe t’i dorëzonte faturën. Jo të shkelte ligjin, duke marrë “para xhepi” Nuk është një rast. Kështu ndodh dhe imazhi i qeverisjes njolloset, përpjekjet për forcimin e shtetit kompromentohen nga këta nëpunës të korruptuar. Ja pse dua t’ia them Kryeministrit këtë të vërtetë, që duhet ndryshuar. Kryeministri ka prezantuar vijimësisht ndryshimet e bëra në qendra qytetesh të vendit me investimet e kësaj qeverie, Më saktë me taksat e shqiptarëve. Gjithçka është quajtur “rilindje” urbane(!)… Po sa e vrasin veshin e shqiptarëve, pse jo dhe votuesve të majtë, këto investime te quajtura “rilindjeje” urbane? Nuk e di, por pa i mohuar këto, që janë arritje, shqiptarët do të donin një administratë të pastër ku të mos flitej për korrupsion. Do të donin shërbime më cilësore në çdo zyrë që i kërkojnë ato. Do të donin që doganierët shqiptar në Kakavi të ishin si fqinjët e tyre grek, që nuk i vërdallisin drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët siç bëjnë ata për ca euro në ditë korrupsion. Kryeministri flet për “Rilindje” urbane, por nuk është se fiton pikë dhe mbështetje elektorale. Nëse kryeministri insiston te “rilindja”, prapë nuk humbet pikë. Pikë humbet nëse doganat mbeten në këtë derenxhe. Administrata nderon ose jo, çdo qeverisje.
Sigal