Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Individi si mbartës i shoqërisë dhe shoqëria si zhvillues i tij

94
Sigal

(Për librin “Kohë tjetër, njerëzit po ata”, të autorit Kastriot Hasa)

 

Kudo që ka punuar ka dhënë kontribut dhe është çmuar për komunikimin dhe zgjidhjet që u ka dhënë problemeve në përputhje me hapësirat që të linte ajo kohë. Në librin e tij “Kohë tjetër, njerëzit po ata”, ai i bën një prerje vertikale sistemit të asaj kohe, luftës dhe përpjekjeve, që bënin njerëzit për t’i çuar përpara idetë që besonin, por edhe për të mbijetuar. Atmosferën e asaj kohe e jep me përpikëri dhe në mënyrë bindëse, duke treguar të mirat dhe gjërat që nuk shkonin.

Çdo libri që lexon duhet t’i gjesh se ku i rreh pulsi, të kapësh domethënien e tij ose të ndalesh te boshti ideo-tematik, që e mban në këmbë. Boshti ideo-tematik i librit të Kastriot Hasës ta jep shenjën që në titull dhe është titulli që përmbledh në mënyrë treguese dhe shpjeguese lëndën e këtij libri të bukur. Njeriu i mirë Kastriot Hasa, kulturologu, studiuesi dhe atdhetari i njohur, tërë jetën e vet e ka parë Atdheun në sy, duke punuar e menduar me përkushtim të rrallë, me dashurinë e thellë për njerëzit dhe shoqërinë shqiptare. Refleksionet e këtij libri përbëjnë një vlerë të shtuar të personalitetit të tij intelektual e bashkëkohor. Duke lexuar edhe një libër si ky me refleksione: “Kohë tjetër – njerëzit po ata”, fytyra intelektuale e fisnike e Kastriot Hasës shpërfaqet me vlera të epërme.

Libri i Kastriot Hasës (doktor i shkencave), është një libër memorialistik dhe artistik ose anasjelltas, një libër nga mund të shkëputësh episode, ose tregime mjaft interesante me një tharm të veçantë. Ndërsa personazhet e këtij libri janë figura të njohura të shkencës dhe të politikës në dy kohë. Kohën e diktaturës dhe kohën post-diktatoriale. Autori që është rrëfimtari i hapur dhe kryesor në libër, nuk është një njeri i zakonshëm, por një nga njerëzit që në kohën totalitare është marrë me kërkimin shkencor, ku edhe ai ka fituar titullin “kandidat i shkencave” dhe më vonë “doktor i shkencave”. Ai ka punuar pedagog dhe në administratën zyrtare të sistemit të asaj kohe.

Kudo që ka punuar ka dhënë kontribut dhe është çmuar për komunikimin dhe zgjidhjet që u ka dhënë problemeve në përputhje me hapësirat që të linte ajo kohë. Në librin e tij “Kohë tjetër, njerëzit po ata”, ai i bën një prerje vertikale sistemit të asaj kohe, luftës dhe përpjekjeve që bënin njerëzit për t’i çuar përpara idetë që besonin, por edhe për të mbijetuar. Atmosferën e asaj kohe e jep me përpikëri dhe në mënyrë bindëse, duke treguar të mirat dhe gjërat që nuk shkonin.

Ne shohim te ky libër se autori është realist dhe dëshmon mbi episode autentike. Ai largohet nga rrëfimi vetjak dhe nuk mban qëndrim ideo-emocionues, por nëpërmjet rrëfimit dhe thurjes së episodeve ngre një fakt, pastaj e fton lexuesin të gjykojë vetë. Dhe një lexues i paanshëm di të gjykojë, sidomos edhe një lexues që ka lexuar libra të ngjashëm, përsa i përket tematikës dhe problematikës që ngre autori në këtë tekst memorialistik.

Me një rrëfimtari të këndshme rrëfen autori ambientet në Qytetin Studenti, humorin që krijohej, komunikimi e zënkat e pedagogëve me njëri-tjetrin, shoqërimin me Manush Myftiun dhe mënyrën se si e bën përshkrimin e kësaj figure të përgatitur të sistemit totalitar, episode të tjera me Mehmet Shehun, apo përshkrimin që u bën disa ngjarjeve të rëndësishme të asaj kohe, si: lufta kundër liberalizmit, kundër burokracisë e të gjitha nismat që ndërmerreshin, që tregonin nga ana tjetër lëvizjet e përhershme të shoqërisë sipas ideologjisë imponuese.

Natyrisht, autori nuk është një dëshmitar okular i gjërave që zhvilloheshin më lart sesa një komitet partie, por duhet thënë se Komiteti i Partisë së Tiranës nuk ishte i parëndësishëm. Përshkrimi i mekanizmit të administratës partiake bëhet nga autori jo me fraza të thata dhe as tendencioze, por ashtu siç ajo ishte dhe si ka ecur në kohë, duke e rrëfyer atë përmes episodesh me protagonistët e saj kryesorë e dytësorë apo episodikë.

Autori nuk bën analiza, analizën le ta bëjë lexuesi, sepse ky nuk është libër analizash as përsiatjesh, as nuk rreket përmes tekstit t’i mbushë mendjen dikujt, por mendja mbushet pikërisht nga ajo që tregohet, dhe krijohet vetiu bindja. Dhe bindja që krijohet nuk lëkundet lehtë, sepse në këtë ndihmon autori, duke na rrëfyer në mënyrë të sinqertë. Heminguej thotë se “nuk ka gjë më të rëndësishme për shkrimtarin sesa të shkruash një prozë të sinqertë”.

Dhe sinqeriteti buron nga formimi i shkrimtarit, por edhe nga njohja e asaj që shkruan, e cila të ndihmon të mos e fshehësh karakterin tënd. Pra si libër njohës, Kastrioti realizon me të një prozë të sinqertë e përputhur kjo edhe me formimin e tij intelektual si punonjës shkencor dhe me formimin e tij politik, si një njeri që di ta njohë politikën dhe të punojë me përkushtim në sferën e saj.

Vepra memoristike e Kastriot Hasës përfshin një lëndë të pasur gjuhësore dhe i bën radiografinë atij sistemi, duke dhënë pluset dhe minuset e tij dhe njëkohësisht ajo na jep pamje nga një realitet pune dhe impenjimi në një kohë kur detyra kërkonte përkushtim të madh në sajë të kërkesë-llogarisë nga lart po edhe të bindjeve dhe sedrës profesionale.

Autori jep mirë kontrastet e kohës, kontraste të cilat përvijohen brenda atij sistemi edhe në krahasim kuadrosh të lartë, siç është rasti i Manush Myftiut, një njeri që kishte kryer shkollën për mjekësi në Itali dhe kishte shkrirë pasurinë për Luftën e që kishte një përgatitje shumë më të lartë se pjesa tjetër e anëtarëve të Byrosë Politike.

Në atë sistem i afti dhe i paafti ishin në një luftë të përhershme të heshtur e për ta ilustruar këtë, shpesh autori përdor ironinë, por është e çuditshme se si krahas të paaftit që vihej në pika kyçe për besnikëri, jo pak raste në krye të punëve vihej edhe i afti. Një sistem që i pranonte paradokset dhe jetonte në sajë të tyre. Një eksperiencë të mirë pune dhe detaje jetësore sjell autori edhe nga puna që bëri dhe detyrat që ushtroi në rrethet e Matit, Dibrës, Lezhës etj. në Veri. Kudo që shkoi dhe me detyrat që kreu Kastrioti, ai njohu njerëz të rinj, bisedoi me ta, la përshtypje të mirë dhe krijoi miqësi të reja.

Në udhëpërshkrimin e tij, që është udha e një jete, ai gjithmonë do të ketë parasysh devizën se nëse njeriut i hyn në zemër, ai sado i keq që të jetë të dëgjon dhe të respekton. E për këtë duhet përgatitje dhe mundësi komunikimi, gjetjet e gjuhës dhe të fjalës, në mënyrë që tjetri të kuptojë e të tërhiqet me gabimin e tij. Kjo se punonjësit e partisë kishin si armë të parë bindjen dhe nëse nuk i zotëroje mjetet e bindjes, atëherë s’mund të ishe punonjës i tillë. Dhe bindja nuk mund të kryhej veçse duke shfrytëzuar rrethanat apo situatat ashtu siç na shpjegon tri raste me Deko Rusin.

Libri i Kastriot Hasës mbyllet me periudhën e tranzicionit shqiptar ose më mirë me nisjen e tij. Bien sistemet dhe ngrihen sisteme të tjera, bien regjimet e po ashtu ngrihen të tjera, por ndërrimi i sistemit politik erdhi në Shqipëri me një shpresë të caktuar dhe eufori të madhe, veçse njerëzit harruan se mentalitetin e kishin të vjetër. Çmontimi i këtij mentaliteti dhe ndërtimi i një të riu nuk është një sfidë e lehtë.

Sistemi i ri u çori maskën mjaft fytyrave të mbuluara, servilëve dhe puthadorëve që rendën me nxitim të paraqiteshin ndryshe në epokën e re demokratike. Sidomos, agresivë u treguan ata që i ishin nënshtruar sistemit të vjetër, prandaj Haveli thotë se “nuk ka njerëz më të këqij se komunistët antikomunistë, ndaj edhe Kastriotin si punonjës shkencor tek Qendra e Studimeve Gjeografike e hoqën nga puna me një fletë-pushimi futur poshtë derës si fletë arresti.

Analizat që Kastrioti i bën të Majtës dhe të Djathtës janë precize dhe merren si refleksione të mirëqena pa u hequr presjen, po kështu, ai ndjek sizmikën e ngjarjeve që zhvillohen diku me intensitet më të madh e diku më të vogël, e në këtë reliev ngjarjesh, gjithmonë nëpër kreshtat e dallgëve të kohës, ngrihen pa zor peshat e lehta dhe përplasen brigjeve të saj. Ata që ishin qëndrestarë dhe kryen detyrën me ndershmëri, nuk kanë pse të lëvizin nga vendi, ata janë stoikë dhe me vlera morale profesionistë e të përkushtuar dhe s’kanë pse mbajnë fajet e një kohe me dritëhijet e saj, sepse nuk e projektuan ata atë sistem.

Në librin e tij “Kohë tjetër, njerëz po ata” duke takuar njerëz të ndryshëm intelektualë, drejtues, apo zyrtarë të rangjeve të ndryshme, Kastrioti jo vetëm jep situata që zhvillohen sipas kushteve të caktuara kohore, por edhe të dhëna të caktuara demografike, zakone e tradita e mbi të gjitha; mençurinë popullore, siç është rasti i dibranit që i çoi letër Haxhi Lleshit me të folurit e të shkruarit metaforik. Zgjuarsia e popullit dhe shpirti i tij bujar vijnë si një rrymë e fuqishme emocionale në këtë libër dhe krijojnë një kreshendo lirike, që ia shton njomështinë stilit të të rrëfyerit të Kastriotit.

Shqipëria dhe shqiptarët e kohës diktatoriale kanë punuar me një entuziazëm të ngritur, duke ndërtuar vepra të mëdha, siç janë hidrocentralet, uzinat, fabrikat, bujqësinë, blegtorinë, naftën, detarinë. Në librin e tij Kastrioti shpreh edhe pakënaqësinë e njerëzve të rëndësishëm për prishjen me kinezët, prishje që koha e vërtetoi si të padrejtë dhe dëmprurëse për Shqipërinë. Por kështu ishte ajo kohë me të gjitha kontrastet e saj, me problematikat dhe ato ngjarje që kulmojnë brenda saj e që bihen në këtë vepër të Kastriotit me realizëm dhe besueshmëri.

Libri i Kastriot Hasës, nuk u përket disa kujtimeve personale të hedhura rastësisht, përkundrazi, ai është një vepër e kompletuar memorialistike, plot pasuri faktesh dhe episodesh nga më interesantet, duke sjellë një larushi karakteresh, tipash dhe personazhesh reale që kanë luajtur një rol jo të paktë në shoqëri. Reflektimi për kohën nuk bëhet nga pozicioni i njëanshmërisë as nga ndonjë trysni e caktuar ideologjike, reflektimi bëhet si rezultat i njohjes dhe përgatitjes kulturore dhe në një distancë të caktuar vitesh, duke sjellë një panoramë të atyre dekadave, dhe e gjitha kjo panoramë, shpërfaqet me një gjuhë herë artistike e herë dokumentare, çka i japin tekstit të shkruar edhe vlera të njëmendta artistike.

Thjeshtësia në stil, veçimi i episodeve në kronologjinë e tyre, rrjedhshmëria e narracionet, detajet e kursyera e me peshë, humori i shëndetshëm herë-herë, vizatimi i karaktereve shpejt e shpejt, por me zgjuarsi, janë disa cilësi të stilit të këtij autori e që të krijojnë afeksion e tërheqje të vetëdijshme drejt njohjes më të mirë të kësaj teme të së kaluarës, e cila duhet njohur më mirë jashtë çdo pozicionimi që vjen prej simpative apo anësive politike të sotme.