Ilmi S.Qazimi: Qeveria jonë feston alfabetin dhe shton analfabetët

Sot na e nxin ditën, festën, jetën, të ardhmen, fakti që  në kremtimin ‘glorioz’ të festës së alfabetit, ne në Shqipëri kemi mbi 44 mijë banorë që janë analafabetë; prej të cilëve 7% i përkasin moshës 15 deri në 24 vjeç.Dhe  njëkohësisht 57 % të popullsisë konsiderohen ‘analfabetë funksionalë’. Kjo sepse arsimi ka degraduar. Si mund të ecet me analfabetizëm?

Gjatë këtyre ditëve para dhe pas datës 22 nëntor, festës më të re, (e njëmbëdhjeta festë zyrtare shqiptare) në kohë tashmë, sa  të vjetra për alfabetin tonë të miratuar para 116 vjetëve, aq të reja për analfabetizmin që na është rikthyer përsëri në Tiranën institucionale, u bë goxha zhurmë. Por zhurmë entuziazte: ‘gëzuar festën njëri e gëzuar tjetri’. Të ngazëllyer njerëz të thjeshtë , analfabetë  dhe ministra, drejtorë , kolltukofagë dhe njerëz të shkolluar jashtë e brenda Shqipërisë. Deri tek kryetari i qeverisë, madje gjer edhe vetë presidenti i republikës. Pasuar edhe nga akademikë që mbajnë vetëm emrin.Edhe  nga ata që janë  të vërtetë  akademikë, por që nuk i dëgjon askush se nuk ua var ajo e ‘magjishmja’ politikë! Këto veprime  kaq glorioze me bojra  e hojna shtetërore të individëve,  që janë aktualisht në postet më të larta të shtetit tonë  në këtë vit kur festohet për herë të parë, dita e alfabetit si festë janë me domethënie optimiste.Këtë festë, të alfabetit  të  gjuhës sonë të bekuar, kryetari i shtetit, e cilësoi me të drejtë si “festa e simbolit më të bukur  të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare”! Kjo më kujtoi urimin e një fshatarit tim në vitin 1913, me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës shqipe në Çepan, me porosi të Ismail Qemalit, i cili në një çast   entuziazmi nga thellësia e shpirtit bërtiti i gëzuar:”Rroftë Shqipja!” Kurse kryeministri Edi Rama këto ditë thirri: “Të mbrojmë shqipen nga barbarët e rrjeteve sociale!” Se kujt ia drejton këtë thirrje kryetari i qeverisë, vetëm ai në qoftë se mund ta dijë, mbasi ne, të thjeshtët që flasim e shkruajmë vetëm shqip nuk po e marrim vesh se kush do t’ia mbrojë atij dhe neve gjuhën e nënës, po nuk e mbrojti qeveria e para!?

NOA

U mblodh Akademia e Shkencave, (shoku im  hokatar më tha “ po  pse paskemi ne akademi shkencash, mo?Ajo sikur u shkri njëherë nga ky kryetar qeverie!?)dhe pamë në televizor se si dy kryetarët, e qeverisë dhe ai i shtëpisë, pra Akademisë, bisedonin duke përgëzuar njëri-tjetrin. Pamë në monitor se u promovua projekt-maketi i Fjalorit të madh e të ri Shqip-Shqip, me mbi njëqindmijë e kusur fjalë shqipe e të huaja, të vjetra e të reja!?Me tetëmijë faqe A-4 etj. etj.

Një gjuhëtare e gjorë aty, kërkoi që të hartohej një ligj që të mbrohet gjuha, kurse një tjetër tha se gjuha shqipe duhet të bëhet edhe gjuhë e teknologjisë dhe shkencës! Më në fund kryetari i qeverisë premtoi diçka edhe për gjuhën shqipe.Ashtu siç e ka shfaqur se e ka për zakon që gjithherë, të premtojë diçka apo shumëçka për thuajse çdo lloj problematike!? Është bërë më madhështori kryetar  në premtime dhe  më  madhështor akoma në  mosmbajtjen e premtimeve.

”Do të arrijmë ta bëjmë shqipen gjuhë zyrtare edhe në bashkimin Europian!?”-premtoi ai. Se  çfarë quan kryetari ynë i qeverisë”zyrtarizim të shqipes në bashkimin Europian”- këtë e di vetëm ai.Në kushtet e këtij globalizmi gllabërues të etur për gjak e superfitime që i ka injektuar kapitalizmi popujve dhe kombeve, e këtij kaotizmi oqeanik informativ që na servir pa e kërkuar teknologjia marramendëse, ku i mjeri njeri nuk dallon dot se cila është ajo që i duhet , se cila  është ajo që  i jepet si mjaltë dhe brenda ka helm,duhet të theksojmë dy aspekte thelbësore. Së pari, ç’është  alfabeti. “Është tërësia e shkronjave të gjuhës të radhitura sipas një rendi të caktuar, të mirëqenë e të miratuar shkencërisht, ligjërisht dhe të njohur ndërkombëtarisht.” Pikërisht se është i tillë, ai mësohet përmendësh që në klasën e parë dhe nuk harrohet deri sa shkon në varr nga të gjithë kombasit, madje edhe nënshtetasit e çdo kombësie, që jetojnë në Shqipëri, apo mësojnë të flasin shqip.Nga këtu buron edhe domosdoshmëria  e dekorimit të atyre atdhetarëve shpirtndritur të kombit që  përgjatë viteve  nuk kursyen jetën për të ndërtuar e mbrojtur alfabetin. Së dyti,se si ky alfabet u përvetësua nga masa e analfabetëve të vendit tonë dhe nga tërë brezat, në vitet 1800-1945 dhe sidomos ata  që u edukuan e shkolluan në vitet 1945-1990, në vitet e stuhishme e tejet të vrullshme, që ishin të motivuara vetëm nga ndërgjegja  atdhetare e shqiptarëve të të gjithë moshave dhe të dy gjinive. Në vitin 1938 në Shqipëri kishte jo pak individë që dinin të shkruanin e lexonin shqip, por ata ishin nga klasat shoqërore  të  pasura feudo-borgjeze se në masën popullore sundonte analfabetizmi.Këtë fakt e dinë të gjithë njerëzit jashtë e brenda vendit.Madje e di edhe bufi.Nga puna gjigande gjysmëshekullore që bëri pushteti popullor, partia e vetme dhe shteti i diktaturës së proletariatit,socializmi  në Shqipërinë e vitit 1974 evidentonte: popullsi katërmilionëshe me  asnjë analfabet,  65% të popullsisë shqiptare me arsim të lartë; 35% me arsim të mesëm dhe 5% me arsim  fillor.Këtë e kanë të gjithë  të shkruarat e të lexuarat, e dinë tërë qeverirat, por  propagandës së sotme nuk i intereson që ta përmendë si një nga sukseset më të mëdha  në arsimimin dhe dritësimin e popullit tonë.Për më tepër,  më mirë se kushdo e dimë ne që e kemi jetuar atë kohë.Edhe im atë,asikohe 54 vjeçar mësoi alfabetin dhe arriti, në vitin 1953, të shkruante emrin e tij  dhe nuk vuri më gishtin me bojë në fund të dokumenteve.Sot na e nxin ditën, festën, jetën, të ardhmen, fakti që  në kremtimin ‘glorioz’ të festës së alfabetit, ne në Shqipëri kemi mbi 44 mijë banorë që janë analafabetë; prej të cilëve 7% i përkasin moshës 15 deri në 24 vjeç.Dhe  njëkohësisht 57 % të popullsisë konsiderohen ‘analfabetë funksionalë’. Kjo sepse arsimi ka degraduar. Si mund të ecet me analfabetizëm? Tani, këto vitet e fundit, nga media dhe analistët e kësaj fushe  ka hyrë në përdorim të gjerë dyfjalëshi “analfabet funksional”,i cili maskon të vërtetën e hidhur të  gjendjes  së injorancës dhe padijes  së kultivuar prej sistemit kapitalist dhe demaskon  politikat e ndyra  qeverisëse për të lënë masat popullore në errësirë e padituri.Shqip fjala ‘analfabet’ do të thotë:”person që nuk di të shkruajë e të lexojë”. E ka thënë mjaft bukur dhe të koncentruar z.Edison Ypi,publicist realist, se kush është e çfarë bën e ai që nuk lexon:”Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; shet  e blen votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.Përvojat e njerëzimit, shkencat, artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.”

Do të propozoja  që ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, të miratohej sa më parë të jetë e mundur. Detyrimisht të parashikonte edhe  këto aspekte: të gjithë nëpunësit  e administratës ,para se të nisin punën, të merren në provim  se sa e dinë gjuhën shqipe.Të jetë taksative dhe e detyrueshme për të gjithë pa përjashtim,  nga individi deri në Presidencë që çdo lloj emërtimi,i çdo lloj objekti, institucioni, biznesi, reklamimi, programimi shqiptar etj. etj., të shkruhet shqip.Të gjithë llojet e reklamave, emisioneve televizive, të kenë fillimisht emërtimin shqip e pastaj në ndonjë(apo disa )gjuhë të botës. Të dënohen me gjoba jo më pak se gjysma e fitimit mujor çdo biznes, person apo institucion që guxon e shkruan gërmat e alfabetit shqip me shtrëmbërime, gjymtime, deformime, degradime apo imitime.Të dënohen me gjoba maksimale deri edhe me privim lirie personat që guxojnë të shtrembërojnë gërmat, t’i kthjenë ato me kokë poshtë, apo drejtim të kundërt. Të ngrihet policia për mbrojtjen e gjuhës shqipe.Të gjithë fjalimet, shkrimet prononcimet televizive të nisin e mbarojnë shqip e më pas  në gjuhë të tjera. Të dënohet me gjobë maksimale deri në privim lirie ai që injoron gërmën “ç” dhe gërmën “ë”. Të ketë detyrim ligjor për rregullat e  shkrimit  me gërma të dorës e të shtypit. Të vendoset sa më parë, ndër të tjera, lënda e bukurshkrimit në shkollën fillore. Gabimet në shkrimin e gjuhës shqipe në të gjithë llojet e dokumenteve zyrtare të ndëshkohen me heqje nga puna dhe si vepër penale. Me edukim dhe me ligj, me ndërgjegje dhe me frikë, me detyrim e me bindje, na duhet të mbrojmë gjuhën shqipe nëse duam që të jetojë Shqipëria.Pa e tejkaluar masën, pa patetizëm, pa ngjallur panik, them se jemi në gjendje alarmi kombëtar. Gjuha shqipe është në rrezik. Globalizmi bën punën e vet dhe i vogli e pëson i pari, ndaj të ngrihemi të tërë në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Zoti kryetar i qeverisë! Zotërinj deputetë! Zonja Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë! Ju lutemi zbrisni në tokë.Nisni veprime konkrete për mbrojtjen e gjuhës sonë të bukur! Mjaft me llafe, premtime, butafori, mashtrime e fjali me zbukurime e shumë kuptime ose pa kuptim!Ngrini komisionet për projekt-ligjin, për mbrojtjen e gjuhës shqipe.Jepni shembullin se si duhet të mbrohemi duke nisur nga gjuha, territori, kultura, tradita. E keni detyrë ndaj jepuni dhe garantouani plotësisht shqiptarëve të sotëm e sidomos atyre të nesërm, kudo që ata janë shpërndarë, pasaportën e përhershme:Gjuhën Shqipe..