Habilajt në Vajzë dhanë gjithçka për LANÇ-in

1293
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Familja Habilaj në histori

Fisi i Habilajve në Vajzë të Vlorës është i njohur në historinë e zonës. Në fundin e shek. XIX, Zenel Habilaj u rekrutua ushtar nga Perandoria Osmane dhe u dërgua në Jemen për shtatë vjet, por nuk u kthye më prej andej. Në fshat la djalin Ramadanin, nënën dhe gruan. Dega tjetër e pemës familjare ishte Maze Habilaj që la djalin Hadër. Hadëri pati lindur katë djem Sulejman (Sulo), Maliq, Lelo dhe Koçi që vdiq në vitin 1944. Të dy familjet Sulo Hadëri dhe Ramadan Zeneli përbëjnë trungun Habilaj. Ato janë të vendosura në trojet e tyre, në mëhallën Karavoq. Fisi Habilaj ka arritur deri në 7 breza të njohur deri më sot. Familja Habilaj ishte një ndër familjet më të varfra të fshatit, kishte një shtëpi me një katua, një copë tokë ku bënte për 3-4 muaj bukë në vit, një lopë dhe një ka për punë. Familja Hadëraj i përballoi kohët e rënda bashkë me fshatarët e tjerë të varfër. Por kjo ishte familje me karakter të shëndoshë dhe askujt nuk i ra në qafë. Ajo kishte dashuri dhe respekt për fqinjët dhe fshatin. Habilajt, si familje kanë trashëguar ndjenjat e patriotizmit dhe të atdhedashurisë. Hadër Habilaj mori pjesë si luftëtar në çetën e Vajzës në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet, nga Kota, në Drashovicë, Sherishtë dhe në Qafën e Koçiut, deri sa Vlora u çlirua përfundimisht nga pushtuesit italianë. Hadëri vdiq në moshë 38 vjeç duke lënë të shoqen Havanë dhe katër djem. Vitet kalonin dhe familja Habilaj ecte e jetonte si gjithë të tjerët me mundim e me vuajtje. Dallgët e jetës dhe përpjekjet për të punuar e jetuar i formuan dhe i edukuan fëmijët, duke u bërë burra para kohe. Vitet e rënda të pushtuesit fashist ranë dhe mbi djemtë e Habilajve. Ata u rritën mes vështirësive e nuk iu dha mundësia për shkollë. Por edhe pse pa shkollë u bënë më të mirë se shumë të rinj të shkolluar. Ata e ndjenin pushtimin fashist, prandaj u lidhën me luftën e popullit për liri. Dy djemtë e Habilajve, Maliq e Lelo morë armët në fillimin e vitit 1943, morën rrugën për në çetat partizane dhe më tej në formacionet e rregullta partizane, në njësitë e brigadave sulmuese të UNÇSH, deri sa ranë Dëshmorë të Atdheut në korrik e gusht të vitit 1944.

Familja vendosi për të dalë partizanë

Vëllezërit Habilaj dhe nënë Havaja u bënë pjesëmarrës aktivë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe ndihmuan me gjithçka që patën. Për aktivitetin e tyre në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, fashistët iu dogjën shtëpinë gjatë operacionit të prillit 1943. Ndaj e tërë familja Habilaj largohet nga fshati dhe vendoset në Hijen e Kuliut, pjesë e territorit të Vajzës, në Hametaj. Pas operacionit e tërë familja Hibilaj, si dhe familjet e Vajzës jetuan në ilegalitet duke u vendosur nëpër pyje, larg fshatit. Në familje kishte nisur biseda për Luftën dhe për pjesëmarrje në të vëllezërve Habilaj. Të gjithë donin që të dilnin partizanë. Nënë Havaja, që kishte dhe barrën e rëndë të shtëpisë, bashkë me Sulon, e biseduan më parë veç, për t’u hapur rrugë dy vëllezërve Maliq e Lelo. Ndaj organizuan si të thuash një kuvend familjar, ku diskutuan të mirat dhe vazhdimin e jetës së familjes Habilaj. Boll të paktë ishin, lufta do të bënte të sajën, pasi nënë havaja e dinte se dasmë pa mish nuk bëhej dhe lufta kërkonte trima. Në bashkëbisedimin familjar të drejtuara nga nënë Havaja, vendosën të për të dalë partizan Maliq e Lelo, duke lënë në kasolle nënën, vëllain e madh Sulejman (Sulo), i cili kishte marrë dhe rolin e babait dhe duhej kullandrisur shtëpia dhe vëllezëria, si dhe vëllai i vogël Koçi, i cili ndërroi jetë në vitin 1944.

 

Maliqi ra dëshmor për të mbrojtur tërheqjen e shtabit të batalionit

Maliq Hadërja lindi në Vajzë në vitin 1924, në një familje të varfër e me tradita patriotike. Babai, Hadëri ishte një nga luftëtarët vajziotë që mori pjesë me çetën e fshatit në Luftën e Vlorës më 1920. Familja e rrit dhe e edukoi Maliqin me dashurinë për Atdheun dhe urrejtjen për regjimin antipopullor që shtypte popullin. Fukarallëku ndihej kudo në familje, në fshat e kudo, kështu që Maliqi nuk mundi të shkollohej. Kohën e fëmijërisë e kaloi pranë familjes, i uritur, i zhveshur e zbathur dhe duke u përballuar me jetën e vështirë. Fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare, u prit me interes nga vëllezërit Habilaj, ndaj dhe ata u lidhën me luftën dhe bënë gjithçka kishin mundësi në shërbim të saj. Në fillim të vitit 1943, u rreshtua në çetën partizane të fshatit dhe mori pjesë në aksionet që kreu ky njësit si në Vajzë, Selenicë, Drashovicë e gjetkë. Ndërsa në nëntor të vitit 1943, u rreshtua në radhët e Brigadës I Sulmuese. Në luftime u shqua për guxim, vendosmëri e trimëri. Ai u caktua skuadërkomandanti, pasi ishte trim dhe luftoi me këmbëngulje në të gjitha betejat që ndërmori ky formacion i madh i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si në Qarkun e Vlorës, në Korçë, në Berat, në Elbasan dhe në Dibër. Luftime të ashpra u zhvilluan në Fushë Ali të Peshkopisë me gjermano-ballistët, në korrik të vitit 1944. Skuadërkomandanti trim Maliq Habilaj, duke luftuar heroikisht me katër partizanë të skuadrës së tij për të mbrojtur tërheqjen e shtabit të batalionit, mbeti i vrarë bashkë me komisarin e tij të dashur, Heroin e Popullit Myslym Shyri dhe me tre shokë të tjerë partizanë të Brigadës I Sulmuese.

 

I pari në sulm dhe i fundit në tërheqje

Lelo Habilaj lindi në Vajzë në vitin 1928. Ai u rrit në gjirin e familje patriotike të Habiljave në mes të skamjes, urisë e varfërisë që kishte pllakosur në atë kohë fshatin. Gjendja e keqe ekonomike e familjes e bëri më të fortë, të guximshëm dhe me urrejtje për regjimin e kohës. Pushtimin fashist të vendit e priti me urrejtje, dhe shumë shpejt u bë një antifashist i zjarrtë. Fillimisht mori pjesë në çetën e fshatit ku qëndroi deri në formimin e Brigadës V Sulmuese. Nga 28 nëntori 1943, në Gumenicë të Vlorës rreshtohet në radhët e saj, duke bërë pjesë në batalionin e dytë, kompania e parë. Në të gjitha luftimet që zhvilloi brigade, reparti ku bënte pjesë Lelo, u dallua, por dhe Lilo falënderohej gjithnjë si partizan i vendosur e trim që nuk i trembej syri nga rreziku. Shpesh e cilësuan, mbas aksionit, ndër më të dalluarit. I tillë u tregua dhe në luftimin e tij të fundit. Në luftimin e ashpër me gjermano-ballistët, u plagos rëndë në fshatin Trepçe të Peshkopisë. Shokët nuk mundën ta tërhiqnin. Mercenarët e gjetën të shtrirë në mes të shkurreve të dushkut. Jo shumë larg tij ndodhej i plagosur dhe shoku i tij nga Tërbaçi. Këtë të fundit mercenarët nuk e zbuluan dot. Siç tregon më vonë partizani, të cilin e gjetën shokët e tij pas sulmit që u përsërit po atë ditë, Lelo kishte mbajtur një qëndrim heroik duke qenë i shtrirë nga plagët e rënda që kishte marrë në çapok e në gjoks. Ai nuk mund të lëvizte dot nga vendi pasi ishte në agoni. Mercenarët e shanin, talleshin me të, i vinin grykët e pushkëve në gojë, por ai kishte mbledhur tërë forcat dhe në momentet e fundit të jetës ju kish thënë: “Të poshtër, tradhtarë, shtini! Shokët e mi do të ma marrin hakun, rroftë Partia Komuniste, poshtë tradhtarët”! Mbas këtyre thirrjeve qenë dëgjuar pushkë që u zbrazën në trupin e trimit gjysmë të vdekur, Lelo Hadër Habilaj.

Nënë Havaja

Lelo e Maliq: vëllezër ishin se kishin një nënë, Havanë, simboli i gruas labe dhe Shqipërisë. Ishin vëllazëruar më fort se në gjirin e nënë Havasë edhe në gjirin e Shqipërisë e në zjarrin e Luftës. Haps pas hapi në udhën e bekimit të shenjtë e flijimit për një jetë të lirë, të dy vëllezërve Habilaj, do t’u printe e do t’u bënte dritë i njëjti yll, fati: Për të mirë të Shqipërisë. Të dy vëllezërit kishin të njëjtin apel luftarak: rreshtat e brigadave partizane, kishin të njëjtën adresë heroizmi e ku derdhën gjakun, e ku ndezën flakën: në Dibrën e posa çliruar që do ta përqafonin përjetësisht si të ishte Vajza e tyre, vetëm 15 km larg vëllai-vëllait. Ditëlindjet i kishin në kohë të ndryshme, ndërsa ditërënien heroike në të njëjtin muaji: Korrik 1944. Kësaj nëne që i bëri / Ju këput si yll nga gjiri. Nënë Havaja, me shumë halle e me shumë plagë që i thernin dhimbshëm në shpirt, ajo që kish pirë shumë kupa hidhërimi, kishte rritur katër djem pa babë, kishte hyrë në luftë me gjashtë veta, katër djem, nusja dhe nipi e doli vetëm me një, djalin e madh, Sulo. Pesë të vdekur ose të vrarë, të gjithë brenda tre muajve. Nënë Havaja, që kish pritur shumë rrufe në shpirtin më të fortë se çdo gurë e çdo dru, me mbijetesë prej luaneshe, të dy bijtë Maliq e Lelo, do ti qante me ligje, ashtu siç dinë të qajnë nënat labe, atje ku ndodhej, në fund të korrikut e fillim të gushtit, vetëm 15 ditë larg njeri-tjetrit, në majë të Nashit, Harvala e Kojova, ku e mori lajmin e hidhur. Ajo i qante me këngë, siç u ka hije trimave që këngë lire ishin, këngë pavdekësie mbetën. Ndërkohë fshati ishte djegur për së dyti herë e të gjithë ishin larguar prej shtëpive.