VITI 2023/ Dritëhijet në topkëmbën shqiptare në këndvështrimin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka

Kombëtarja, kartvizita jonë ndërkombëtare

Agron Kaja

/Telegraf.al/ Fushata e suksesshme eliminatore dhe kualifikimi për në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” e ka bërë Kombëtaren shqiptare më tërheqëse në këndvështrimin komercial. President i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i analizon efektet e këtij suksesi dhe ndikimin pozitiv në të ardhurat për periudhën në vazhdim. “Ndikimi është në maksimumin pozitiv. Është një ligj i vjetër në marketingun sportiv, siç na ka mësuar më tej edhe përvoja e Europianit 2016. Kombëtarja u rrit dukshëm, në performancë dhe rezultate, ndeshje pas ndeshjeje dhe kualifikimi erdhi bindshëm, si një rezultat i ndërtuar me eksperiencë e duke punuar fort çdo ditë. Erdhi edhe falë vizionit që kemi pasur dhe objektivave strategjikë që kemi vendosur prej kohësh, të shoqëruara me investime të rëndësishme dhe infrastrukturë moderne. Ndërkohë që, përpos mangësive, edhe futbolli Superior dhe Kategoria e Parë, gjatë vitit 2023 treguan ndryshim cilësor në organizim e drejtim. Mbështetja nga tifozeritë, që në ndonjë rast u shoqërua edhe me probleme, e ka bërë atë edhe më tërheqës. Në këto kushte, është e natyrshme që njerëzit të duan të vijnë në stadium, dhe efektet e stadiumit të ri janë gati të pamatshme. Një stadium për një vend është një aset shumë i rëndësishëm kombëtar, është një lloj kartëvizite për çdo takim ndërkombëtar”. Ndërkohë që Duka ndalon këndvështrimin e tij edhe për vitin 2024, ku shpreh disa prioritete. “Fokusi vjetor për Federatën Shqiptare të Futbollit, duke filluar që nga prezantimi i projektit “100 Fushat”, ka qenë shtimi dhe ndërtimi i fushave të reja në të gjithë territorin e Shqipërisë, qofshin këto natyrale apo artificiale. Qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në vend, me fokus përmirësimin dhe zhvillimin e futbollit si sport, duke nisur që nga akademitë dhe klubet. Mund të përmendim këtu fushën e ndërtuar së fundmi në Ahmetaq, Vorë, Kamëz apo në kompleksin e Dinamos. Një klimë pozitive rreth futbollit dhe Kombëtares sjell rritjen e vëmendjes ndaj asaj që bëjmë. Këtu bën patjetër pjesë edhe futbolli vendas, kampionatet që organizojmë dhe Kupa e Shqipërisë. Por ajo që besojmë më shumë është futbolli i moshave të vogla, duke filluar nga shkollat”, ishte kjo rrezymeja e Armand Dukës për vitin 2023 dhe piketat për 2024-ën.

NOA

Trajneri

Silvinjo, arkitekti i Kombëtares në “Euro 2024”

Asnjëherë nuk kishte ndodhur që një trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit të kishte renditje të lartë botërore. Kjo është bërë realitet në vitin 2023 me Silvinjon, trajnerin e Kombëtares shqiptare. Ai shkëlqeu në drejtimin e kuqezinjve dhe është renditur trajneri i tetë më i mirë në botë për vitin 2023. Sipas IFFHS (Institutit Botëror të Statistikave Sportive), tekniku brazilian është vlerësuar mes 10 trajnerëve më të mirë në botë që drejtojnë ekipe përfaqësuese, duke u vlerësuar për kualifikimin në kampionatin Europian 2024, dhe vendi i parë në Grupin E. Para Silvinjos janë renditur, Lionel Skaloni, Didier Deshamps, Roberto Martinez, Luis De La Fuente, Marcelo Bielsa, Hajime Moriyasu dhe Gareth Southgate.

Dritëhijet e Superiores, “rekord” me largimin e trajnerëve

KLUBET E SUPERIORES

NË RENDITJEN E UEFA-s

R       Skuadrat    Pikë

211    Partizani      6,5 pikë

226    Laçi             6 pikë

255    Tirana         5,5 pikë

275    Teuta           4,5 pikë

306    Vllaznia       4 pikë

353    Kukësi         2,5 pikë

411    Egnatia        1 pikë

Në Abissnet Superiore gjatë pjesës së parë të sezonit 2023-2024, në dritëhijet e saj veç treguesve të tjerë spikati lëvizja e trajnerëve. Ndoshta më ndryshe nga sezonet e tjerë, këtë herë në 70% të skuadrave lëvizën trajnerët, madje në disa skuadra ndryshuan edhe tre trajnerë në katër muaj. “Kampione” është skuadra e Laçit që e nisi me Stavri Nicën, disa javë vazhdoi me Skerdi Bejzaden dhe më pas uli Mirel Josën në bankinë. Kukësi, Skënderbeu, Dinamo, Teuta, Tirana dhe Partizani ishin skuadrat me bankina të ndryshuara në këtë pjesë të parë të sezonit në vazhdim, por “Telenovele” e Orges Shehit vlen për tu veçuar. Pas largimit nga Tirana, Shehi qëndroi dy muaj pa bankinë, pas rrugës ligjore që ndoqi ndaj Tiranës.