Flet për “Telegraf” Andrea Marko, këndvështrimi i tij për Konferencë Ligë e Superioren
Agron Kaja
“Në Europë, kampionatet kanë nisur në pjesën më të madhe të shteteve. Si kohë jemi brenda të mundshmes, sepse nuk duhet që skuadrat të përgjumen ende në përgatitjet e tyre”
Fillimjava nuk ka asnjë skuadër shqiptare në Europë, mos ndoshta u mësuam “keq”?
Me shqiptarët është situatë e njohur, e ngjashme me sezonet e kaluara. Mund të ishte Tirana në vazhdim, por me Beshiktashin shorti ishte kapriçioz. Vllaznia nuk e menaxhoi dot Linfildin, Egnatia ishte fantastike, por pa përvojën në Europë.
Skuadrat tona u limituan në Europë deri në turin e tretë, është ky tregues i dobët për futbollin shqiptar?
Refleksionet janë prezent. Nga 54 shtete në Europë ne jemi në 46-ët, dhe kjo e tregon qartë nivelin tonë. Mendoj se në përfaqësimin e klubeve, jemi shumë dobët në Europë. Përsa kohë mungojnë buxhetet e lojtarët cilësorë, kështu do vazhdohet.
Veç dënimit, që mund të vijë nga UEFA, si e lexoni dhunën në sfidën Tirana-Beshiktash?
Ajo situatë duhej normalizuar nga tifozët e Tiranës. Nuk duhet të udhëhiqen nga dhuna, por nga përkrahja e skuadrës. Huliganë në stadium nuk i pranon Tirana me historinë më të pasur në futbollin tonë. Imazhi i tyre ishte i dobët për Tiranën.
Partizani i ka nisur përgatitjet për turin e tretë në Konferencë Ligë, e mendoni të gjatë rrugëtimin e tij?
Duket i përkëdhelur nga shorti në Konferencë Ligë. Mendoj se Partizani nuk duhet të ketë ndjenja inferioriteti, sepse ishte turp eliminimi i tij nga BATE Borisov. Ka një kundërshtar të dobët në letër, por duhet kujdes në ndeshjen e parë.
Si e mendoni sfidën me Valmeiran në Letoni, të kalueshme apo të vështirë?
Mendoj se kalon Partizani, sepse e ka rritur nivelin e lojës së tij. Lojtarët kanë vetbesim, ndërkohë që Valmeria është nën nivelin e tij. Standarti i Partizanit duhet ta çojë më larg skuadrën, e mendoj të kualifikuar, madje shkon në Play-off.
Për paraqitjen e deritanishme të skuadrave të futbollit shqiptar në Europë, e keni një konkluzion teknik?
Tre skuadra të eliminuara dhe vetëm njëra vazhdon, do të thotë se 25 përqind e futbollit tonë po përfaqësohet në Europë. Skualifikimet tregojnë vlerësimet, që marrin skuadrat e eliminuara, dhe kështu që vlerësimi mbetet negativ në tërësi.
Në një këndvështrim të realitetit, si do ta imagjinoni luftën në Superiore për titullin kampion nëpërmjet skemës “Final 4”?
Nuk jam për këtë skemë, sepse hidhet poshtë mundi i kampionatit me 36 javët. Unë jam me mendimin që të ruhen pikët e kampionatit, pasi është i padrejtë zerimi i pikëve të kampionatit. Rritet numri i ndeshjeve dhe të ardhurat, por lufta e kampionatit bje në katër ndeshje të “Final 4”. Një dilemë që nuk duhet aplikuar.
KONFERENCË LIGË / SHORTI I PLAY-OFF
# Partizani-Valmeira / Astana-Ludogorets
# Ballkani-Linkoln / Sherif Tiraspol-BATE Borisov
# Struga-Hesperazh / Zrinjski-Bredablik
Anash/djathtas
KONFERENCË LIGË
SEZONI 2023-2024
Turi tretë eliminator
Datë 10 gusht 2023
Valmeira (Lat)-Partizani 19:00
Kthimi, datë 17 gusht 2023
Partizani-Valmeira (Lat) 20:00
PËRFAQËSIMI
Tre “moskëtierët” shqiptarë në Europë
Partizani nga futbolli shqiptar, Ballkani nga futbolli kosovar dhe Struga nga futbolli në Maqedoninë e Veriut, këto janë tre skuadrat shqiptare që kanë mbetur të luajnë në Europë, në Turin e Tretë të Konferencë Ligë. Në këtë tur, kampionët e Shqipërisë do të ndeshen me skuadrën e Valmieras, dhe takimi i parë do të luhet në Letoni në datën 10 gusht. Ndërkohë që Ballkani do të ketë si kundërshtar Linkoln Red Imps nga Gjilbraltari, ndeshja do të luhet në 10 gusht në Kosovë. Struga do të luajë me skuadrën nga Luksemburgu, Hesperanzh, dhe takimi i parë luhet më 10 gusht në Maqedoninë e Veriut. Këta janë tre “moskëtierët” shqiptarë në Europë.
Konferencë Ligë
Shorti në play-off, Partizani njeh rivalët
Dje në Nion të Zvicrës u hodh shorti për fazën Play-off në UEFA Konferencë Ligë. Nga Shqipëria në këtë short është Partizani, i cili dje ka njohur rivalin që do të ketë në “Play Off” të Ligës së Konferencës, nëse arrin të kualifikohet ndaj Valmieras të Letonisë. Kështu, shorti ka caktuar që, nëse kualifikohet ndaj Valmerias, Partizani do të përballet me humbësen e ndeshjes Astana-Ludogorets, ku të dy këto ekipe luajnë në turin e tretë të Ligës së Europës dhe humbësi do të zbresë në “Play Off” të Ligës së Konferencës, aty ku i pret Partizani ose Valmiera. Ky është shorti: Astana (Kaz)-Ludogorets (Bull) / Valmiera-Partizani.
ABISSNET SUPERIORE
Tirana-Beshiktash, priten ndëshkimet nga UEFA
Eliminimi i Tiranës në turin e dytë të Konferencë Ligë duket se do të sjellë një “eliminim” ekonomik e displinor. Sepse, Tirana dhe Beshiktashi do të duhet të paguajnë për incidentet e ndodhura në “AIR Albania”, të shkaktuara gjatë ndeshjes, që u luajt në Tiranë më 3 gusht. Edhe mediat turke e kanë përmendur këtë problem, madje ato shkruajnë se një ndëshkim i rëndë vjen për të dyja skuadrat, pse jo me gjoba të majme dhe dënim për tifozët. Kujtojmë se ndeshja Tirana-Beshiktash nisi 15 minuta vonesë për shkak të trazirave të tifozerisë turke.
Shtyhet Superiorja, s’ka të drejtë televizive!
Ka disa arsye që fillimi i kampionatit të Abissnet Superiore edhe mund të shtyhet disa ditë për fillimin e tij. Sipas vendimit të KE të FSHF-së, është përcaktuar data 19 gusht, është shpallur edhe kalendari e skuadrat janë bërë gati për nisjen. Burime në institucionin e futbollit konfirmojnë se shkak për këtë mosfillim është kryesisht e drejta televizive, që ende nuk është zgjidhur, sepse nuk është përcaktuar fituesi për sezonin e ri. Një shtyrje e detyruar kjo (do fillojë më 26 gusht), e cila do t’u japë skuadrave edhe një javë kohë më shumë në përgatitjet e tyre.