Hyqmet Zane: Hoxha Tahsini në këndveshtrimin e Mehdi Frashërit

129
Sigal

Hoxha Tahsini në këndveshtrimin e Mehdi Frashërit 7 prill 1811 – 3 korrik 1881)

I pakujtuari kryeakademiku shqiptar – doktori i parë i shkencave lauruar në Francë Ndjehem mirë dhe kënaqem kur kam rastin ta kujtoj dhe të shkruaj për ditët e shënuara dhe personalitetet e spikatur shqiptarë në kalendarin historik kombëtar kur vjen fjala për kryemësuesin, kryerektorin, kryeakademikun e Rilindjes Kombëtare (asaj të vërtetës, jo kësaj të shpifurës së Edi Ramës) – Hoxha Hasan Tahsinit nga Ninanti i Konispolit të Çamërisë i është vënë epiteti “Hoxha” që në përkthimin e saj quhet “mësues”, ndaj dhe meriton vëmendjen e merituar. Ky personalitet që njihet edhe si Babai i Rilindjes së vërtetë kush nuk e nderoi, kush nuk e vlerësoi, kush nuk shkroi për figurën e tij? Por kur për një figurë të tillë shkruan njeri nga pinjollët e Frashëllinjëve si Mehdi Frashëri, kjo bëhet më e besueshme dhe një përmendore, që do të doja të ishte në mes të kryeqytetit tonë shqiptar dhe që do të ishte nder për ne jo për atë, se nderimin atij ia kanë dhënë ata, që dinë të nderojnë figura personalitetesh si i pari Doktor Shkencash në historinë akademike shqiptare të shkencave të akorduar nga Franca, gjë që ose nuk dihet, ose nuk përmendet, ose më keq akoma nuk duan t’ia cilësojnë këtë vlerë. Duke qenë se gjyshja ime ishte mbesë e këtij personaliteti nga familja e Hoxhatëve të Ninatit, që pas 1912-ës jetoi e ndërroi jetë në Stamboll, veç të tjerave, e kam edhe detyrim moral të kujtoj këtë kryemësues në Ditën e mësuesit.

Ja se si e kujton Mehdi Frashëri dhe çfarë ka shkruar ai për Hoxha Hasan Tahsinin:

“Dy vjetë më parë isha emnuar kryetar i një komisioni për të gjetur emëra historike shqiptare, të cilët do té destinoheshin për gjithë sokakët e Tiranës, si mbas planit përkatës. Me këtë pretekst zgjodhëm 120 emëra historik midis të cilëvet u shënua dhe emëri i Hoxha Tahsinit. Por ky shënim vërtetonte një shënim të mëparshëm, që ishte vënë edhe në praktikë. Kur këto emêra u pëlqyen prej Qeverisë dhe u shkruan nëpër tabela dhe u ngjitën nëpër rrugë, shumica e madhe e këtyre emërave jo vetëm popullit, por dhe intelektualëve u dukeshin si emëra kinezë. Kjo gjë me të vërtetë është për të qarë, se tregon një pakujdesi të madhe në studimin e historisë kombëtare.

Hoxha Tahsini, si çdo të merret vesh nga hollësirat që vijnë më poshtë, si shënjë hoxhe ka pasur vetëm sarëkun dhe xhybenë, por nga diturija dhe mentaliteti ka qënë me gjithë kuptimin e fjalës një dijetar i vërtetë edhe një filosof i shekullit ku jetonte. Sidomos ndjenjat kombëtare të tij dhe marrja pjesë në lëvizjen kombtare që u çfaq piksëpari në Stamboll pas luftës Ruso-Turke (1877-1878), jetëshkrimit të tij i japin një rëndësi të posaçme për edukimin e brezit të ri. Përsa i përket jetëshkrimit kemi përpara disa vepra, të cilat janë këto:

  1. Një artikull i Shemsedin Sami Beut, botuar 50 e ca vjet më parë në një të përkohshme të Stambollit, të quajtur «Haftallěk Risale».
  2. Një libër përmbledhës në gjuhë turqishte shkruar prej një dijetari turk, i quajtur Nadêri Fevzi shtypur në Stamboll në 1895 (1311), në Shtypëshkronjén Safa ve Enver.
  3. Një jetëshkrim i shkurtër rrjeshtuar në “Kamus-ul-Ala” të Sami Beut, nënë titullin “Hoxha Hassan Tahsin Efendis”.
  4. Një studim mbi veprën e Hoxha Tahsinit, shkruar tyrqisht prej dr. Riza Tevfikut botuar në librin “Mysaver Arnaut” të shtypur në Stamboll shqip-turqisht, më 1911. Gjatë këtij artikulli ndodhen dhe disa shënime biografike të mbledhura andej e këtej prej të ndjerit Dervish Hima.

Përveç këtyre dokumentave me shkrim, kur kam qenë student në Stamboll, kam marrë informata gojas prej të ndjerit Sh. Sami Frashërit mbi jetën e Hoxhës.

Për jetën e Hoxha Hasan Tahsinit

Si ç’merret vesh prej burimeve të përmendura Hoxha ka lindur me 1811 në katundin Ninat të ish-kazasë së Filatit, që aktualisht formon një nga katundet e Qarkut të Nën Prefekturës së Konispolit. Me rastin e caktimit të kufirit Shqiptaro-Grek, mě 1923-1924, shkova në këtë katund dhe për të mirë Kryeplaku i katundit për banesën t’ime kishte caktuar shtëpinë e një stërmbese të vëllajt të Hoxha Tahsinit. Me këtë rast Kryeplaku më tregoi dhe themelet e shtëpisë të Hoxhës sonë.

Katundi Ninat ndodhet në faqen veriore të vargut të maleve që quhen Saraqinor me gjashtë copë fshatëra të tjera të banuara prej shqiptarëve. kohën e Sulltan Mexhitit kur ka qënë Vezir i math Reshit Pashaj, ky kish menduar që për të ngjallur një jetë kulturore evropiane midis Osmanllinjve, nuk kish rrugë tjetër veçse Qeverija të zgjithte një shumicë të madhe nxënës prej Medreseve, t’i dërgonte në Evropë dhe pasi të mësonin mirë ndonjë degë shkencore, të ktheheshin në Turqi, edhe nën drejtimin e këtyre të çelte shkolla të ndryshme në gjithë Perandorinë Otomane, dhe ky sistem të vazhdonte deri sa Turqia të bëhej e zonja për të pasur një kulturë më vetëhe. Mendimi i Reshit Pashës me të vërtet ishte tepër i lartë edhe sikur të qe realizuar mbase historia e Orientit do të kishte marrë një fazë tjetër. Por shokët e Reshit Pashës këtë ide nuk mund ta çmonin prandaj vendosnë që të dërgojnë në Paris vetëm tre studentë të zgjedhurë, midis të cilëve figuronte dhe Hasan Tahsini, Hoxha i ynë. Sipas të thënave të Sami Beut edhe të Ismail Qemalit, të dy shokët e Hoxhës u-kthyen si çvanê; s’kishin kuptuar kurrfarë gjëje. Që të treve u mungonte baza e kulturës moderne. Por Hasan Tahsini e kuptoi shpejt këtë të metë edhe filloi nga mësimet e ulēta edhe pasi plotësoi, përsa ish e mundur, një disiplinë intelektuale mesatare, filloi degën e shkencave fizike e naturale të Universitetit të Parisit. Hoxha për t’i arritur qëllimit bëri si bëri, fitoi simpathinë dhe mbrojtjen e Ambasadorit Otoman në Paris, i cili ndërmjetësoi për ta emëruar Imam në ambasadë. Hoxha me këtë titull ndenji 16 vjet në Paris dhe nat’ e ditë merrej me studime duke vazhduar në institute shkencore të nalta. Si u-kthye në Turqi Hoxha u-emërua Drejtor (Rektor) i Universitetit, që do të çelej për herën e parë në Stamboll, në godinën madhështore pranë Shën Sofisë, e cila më vonë u-adaptua për Ministrinë e Drejtësisë dhe u-dogj dy vjetë më parë. Inisiativa ishte për t’u-habit se gjer atëhere në Turqi nuk kishte ndonjë pregatitje serioze për shkollat e mesme, të cilat do të nxirnin nxënës për Universitet. Duket se Qeveria Turke kujtonte se mund të mbaronte qëllimi duke mbledhur në këtë godinë një grumbull talebë nga Medresetë e Stambollit, në të cilat thuhet se ndodheshin asaj kohe mëse 30.000 studentë. Ky ish një gabim kryesor që ngjan shpesh herë ndër vende ku drejtuesit, me gjithë që duan të marrin kulturën evropiane, nuk kanë një kuptim të qartë se ç’është kjo kulturë edhe si mund të shartohet në një vënd, i cili prej shekujsh ka mbetur larg asaj kulture. Me gjithë këtë Hoxha i ynë, me atë fizionominë impozante, dolli në tribunë kundrejt një ushtrije talebësh dhe filloi një fjalim, simbas të thënave të njerësve që u-ndodhën atje, të nxehtë me dijeni të gjërë dhe me një elokuencë të pashëmbëllt deri n’atë kohë në Stamboll. Objekti i fjalimit ishte se mungesa e kulturës moderne është shkaku i dekadencës së popujve myslimaně. Natyrisht Hoxha sado që u- përpoq që këtë të vërtetë të madhe ta stoliste deri diku me një etiketë oportuniteti të kohës, prap se prapë hoxhallarët e kuptuan se ku rrihte qëllimi dhe menjëherë u-revoltuan kundra Hoxhës, bënë një zhurmë të madhe sa që Qeveria e atëhershme mbylli Universitetin. Mbi këtë ngjarje Hoxha u-kthye në Shqipëri në katundin e tij, dhe, meqënëse katundarët e kishin marrë vesh se Hoxha i tyre dinte tepër astronomi, e pyesnin për diell e për hënë, për yje e për qiej, për perëndi dhe për imam. I shkreti Hoxhë sado që përpiqej t’ua thoshte në mënyrë të kuptuarshme sipas mentalitetit të tyre, por me shtytjen e hoxhallarëve të vendit, popull i atij qarku filloi të flasë e të thotë se Hoxha Tahsini po na qit një fe të re. Vesh pas veshi fjala vajti gjer te Valiu i Janinës, Mustafa Asim Pasha, i cili pruri Hoxhën në Janinë dhe pasi e pyeti gjërë e gjatë e dërgoi në Stamboll. Asaj kohe Ministër i Sigurimit Publik ka qënë Hysni Pasha, i cili me parë kishte qënë dhe Vali në Janinë. Eshtë e ditur se Hoxhën e burgosně në ndalimtoren e Ministrisë së Sigurimit. Me t’u-përhapur kjo ngjarje e dëgjuan shqiptarët e Stambollit, të cilët dëshëronin që të shpëtonin Hoxhën. Ismail Qemali, asi kohe ka qënë sekretar në Ministrinë e Jashtme dhe me të marrë vesh ngjarjen vrapoi pranë Hysni Pashës dhe iu-lut që të lironte Hoxhën. Hysni Pasha, njeri i zgjuar, kuptoi çështjen shpejt dhe vendosi ta lëshojë Hoxhën, duke marrë për dorzënës një ish-kajmekam shqiptar të quajtur Ibrahim Efendi, nga miqt’ e Ismail Qemalit. Hysni pasha thêret, pra, Hoxhën dhe i thotë këto fjalë: “Hoxhë efendi, kêtu jini dërguar si fajtor se kini krijuar një fe të re”. Hoxha Tahsini iu-përgjegj : “ Fetë që eksistojnë jo vetëm që mjaftojnë për njerëzit e ruzullimit, por janë dhe të tepërta”.

Epilog

Përpara kësaj tabloje dinjitoze për emrin e shqiptarit të madh, ata që quhen akademikë të këtyre kohëve moderne, në kohë dhe në hapësirë do të ishin të turpëruar para një shkrimi të tillë që ka një mesazh të madh të një latini i mençur në lashtësi : “O kombe, ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”.

Shënim – ky materil i Mehdi Frashërit është nxjerrë nga Gazeta “Minerva” e vitit 1934 dhe që ma përcolli për botim intelektuali elbasanas Fatos Bajraktari)