Prof. Dr. Alqi Naqellari: Rritja e normës së REPO-ve dhe mbrojtja e lekut të fortë nga BSH frenojnë rritjen e ekonomisë

234

“Rritja e normave të interesit të REPO-ve sjell pasoja të kundërta, rritjen e normave të interesit të depozitave dhe të normave të interesit të kredive në lekë. Kjo i bën kreditë më të shtrenjta për pasojë konsumatorët dhe biznesi do t’i largohen bankave dhe do gjejnë burime të tjera kreditimi. Nuk ka ndonjë ndikim direkt në uljen apo frenimin e inflacionit.”

Sigal

Sot në Shqipëri, me intensitet jo të zakonshëm nga Qeveria dhe Banka e Shqipërisë po aplikohen politika rrudhëse monetare dhe fiskale me synim që të mbajnë një ekonomi të qëndrueshme, të kontrollojnë normën e inflacionit për ta sjellë në objektiv në një periudhë afat mesme, për të ulur deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Po veçoj tre instrumente që po përdoren që për mendimin tim nuk kanë efekte pozitive, por përkundrazi kanë efekte negative në qëndrueshmërinë e ekonomisë, në normën e inflacionit dhe në treguesit e tjerë makroekonomikë.

E para, është rritur norma e REPO-ve ose Norma Bazë e Interesit, një prej instrumenteve kryesorë indirekt që përdor BSH në politikat e saj për stabilitetin e inflacionit.

Banka e Shqipërisë për aplikimin e politikave të saja monetare aplikon tri instrumente indirekte, një prej të cilëve dhe nga më të rëndësishmit është norma e REPO-ve, marrëveshjeve të riblerjes. Këto, zakonisht hartohen javore me Bankat e Nivelit të Dytë ose Bankat Tregtare ku BQ nëpërmjet normës së vendosur ndikon në produktet e tyre, në normën e interesit të depozitave, të kredive etj. Kjo ndodh kur kemi efekte trasmisioni normal. Kur BQ e ul normën e REPO-ve Bankat Tregtare ulin normat e interesit të depozitave, për pasojë ulin edhe normën e interesit të kredive apo huave. Kjo quhet politikë ekspansioniste, sepse stimulon daljen e parasë jashtë banke nëpërmjet rritjes së kredive.

Ulja e normës së kredive i bën ato më të pëlqyeshme, kështu që konsumatorët marrin kredi për apartamente dhe biznesi për zgjerimin e aktivitetit të tij, pra politika e uljes së normës së REPO-ve ndikon direkt në rritjen e ekonomisë nëpërmjet rritjes së bazës së kapitalit prodhues dhe kërkesës për investime fikse jo prodhuese siç janë banesat apo apartamentet. Ky veprim ndikon fare pak në nivelin e inflacionit, më së shumti ai është veprim pozitiv me pasoja stimulimin e rritjes së ekonomisë.

Rritja e normave të interesit të REPO-ve sjell pasoja të kundërta, rritjen e normave të interesit të depozitave dhe të normave të interesit të kredive në lekë. Kjo i bën kreditë më të shtrenjta për pasojë konsumatorët dhe biznesi do t’i largohen bankave dhe do gjejnë burime të tjera kreditimi. Ky veprim ndikon negativisht në rritjen e kapitalit dhe në përgjithësi të ekonomisë. Nuk ka ndonjë ndikim direkt në uljen apo frenimin e inflacionit.

Banka e Shqipërisë ka zgjedhur një veprim që nuk i shërben ekonomisë dhe siç do ta provojmë edhe me kurset e këmbimit  ka bërë të njëjtën gjë.

Në botë ka dy grupime që janë kundër dhe pro rritjes së normës së REPO-ve. Në grupin që janë kundër rritjes së normës së REPO-ve janë Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni. Makroni është një nga njohësit e rrallë të sistemit bankar sepse ai për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e këtij sistemi, për pasojë ai e di mirë se çfarë pasojash ka rritja e normës bazë të interesit.

Çfarë ka ndodhur në Shqipëri me normat e interesit të kredive dhe depozitave në këto muajt e fundit? A ka ndryshuar drejtimi i investimit të parave të shqiptarëve, janë depozitat apo i kanë kthyer paratë e tyre drejt instrumenteve të borxhit? Përgjigja është; i kanë kthyer në drejtim të instrumenteve të borxhit, sepse kanë interesa të larta duke shkaktuar fenomenin e “rrudhjes së investimeve private”. Në këtë rast është shkak deficiti, shteti që ka sjellë rënien e kërkesës për kredi, e për pasojë frenim të rritjes së ekonomisë.

Më poshtë po japim disa shifra për normat e interesit të depozitave, kredive dhe instrumenteve të borxhit.

Normat e interesit të depozitave 12 mujore në All në shumën maksimale kanë qenë: Më e larta në 1 bankë me 1.90% dhe 1.70%, në 3 banka nga 1%-1.15%, me minimume 0.6%, 0.75%, 0.8%.

Norma e kredive në lekë nga 1 deri në 5 vjet per korporatat jo financiare në 3 muajt e fundit korrik, gusht dhe shtator ka qenë 5.01%, 5.10% dhe 5,28%. Normat e depozitave në lekë për këto tre muaj për individët kanë qenë 0.67%, 0.73% dhe 0.79%.

Në 3 muajt e fundit Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interest (normën e REPO-ve) në 2.75%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në shtator kërceu në 1.45%, në rritje për të tretin muaj radhazi. Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është rritur me 0.75 pikë përqindje ose 107%.

Yield-i mesatar i bonove 12 mujore të thesarit (Bonot e Thesarit, Obligacionet etj quhen instrumente borxhi) në fillim të nëntorit ka arritur në 5.74%, niveli më i lartë që prej vitit 2013.  Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve për nëntë muajt e parë të këtij viti u rritën me 138% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Individët investuan një shumë rekord prej 30.2 miliardë lekësh ose rreth 258 milionë eurosh në borxhin e ri të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar(A.B) Në këtë mënyrë, rritja e yield-eve ka krijuar presion mbi bankat për të rishikuar edhe normat e interesit të depozitave.

Sipas Bankës së Shqipërisë norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë arriti në 7.07%, niveli më i lartë që prej shkurtit të vitit 2018.

“Sipas guvernatorit  inflacioni është rreziku kryesor për perspektivat e rritjes së ekonomisë së vendit dhe rritja e normave të interesit është e nevojshme për të kontrolluar rritjen e çmimeve… Koment. Është e vërtetë që inflacioni është rreziku kryesor për perspektivat e rritjes së ekonomisë. Theksoj këtu se kontrollin e inflacionit as BQ dhe as Bordi i famshëm i Transparencës nuk e kontrollojnë dot. Koha ka treguar se lidhja midis REPO-ve dhe Inflacionit ka qenë e pandjeshme ose e njëkahëshme.”

Si e argumenton Banka e Shqipërisë rritjen e REPO- ve në 2.75%.

Nuk po e analizoj gjithë materialin, por po përqendrohemi në disa paragrafe ku argumentohet rritja e REPO-ve.

 “Megjithatë, ritmi i rritjes së ekonomisë ka ardhur në ngadalësim pas tremujorit të parë. Ky ngadalësim pasqyron efektet negative, që burojnë nga nivelet e larta të inflacionit, në vend dhe në botë. Ndër të tjera, këto efekte shfaqen në formën e rritjes së pasigurisë së bizneseve, të shtrëngimit të detyruar të kushteve të financimit, të tkurrjes së fuqisë blerëse të familjeve, si dhe të shtrenjtimit të faturës së importit të ekonomisë shqiptare.  “Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rritja e inflacionit pasqyroi – në masën më të madhe – rritjen e çmimit të ushqimeve, të naftës dhe të kostove të transportit. Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 80% të inflacionit total në tremujorin e tretë”. Nëse në fjalën e tij ka një paragraf të vërtetë që pasqyron realitetin e ekonomisë shqipare është pikërisht ky që unë citova. Ka paragrafe të tjerë që bien ndesh me thëniet e mësipërme. Po analizoj disa prej tyre.

Pikërisht në këtë mbledhje ku norma bazë e interesit u vendos 2.75, Sejko nënvizoi edhe njëherë se tashmë inflacioni po përcillet gjithnjë e më shumë edhe në ato artikuj ku vlera e shtuar krijohet së shumti në vend. Sipas guvernatorit  inflacioni është rreziku kryesor për perspektivat e rritjes së ekonomisë së vendit dhe rritja e normave të interesit është e nevojshme për të kontrolluar rritjen e çmimeve…

Koment. Është e vërtetë që inflacioni është rreziku kryesor për perspektivat e rritjes së ekonomisë së vendit, sepse ekonomia shqiptare është ekonomi konsumi dhe importi e mbështetur në produkte të pa tregëtueshme, në shërbime e turizëm. Theksoj këtu se kontrollin e inflacionit as BQ dhe as Bordi i famshëm i Transparencës nuk e kontrollojnë dot. Koha ka treguar se lidhja midis REPO-ve dhe Inflacionit ka qenë e pandjeshme ose e njëkahëshme.

Në këndvështrimin makroekonomik, rritja e inflacionit pasqyron – në masën më të madhe – presionet e forta që vijnë nga ambienti i huaj, por dhe një kontribut në rritje nga ambienti i brendshëm. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, pozicion i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave. Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes.,”- tha Sejko.

Koment. Çfarë kupton me pozicion të mirë ciklik një ekonomi, që bazohet në fasoneri, në collcentera, në turizëm, në tregtinë me pakicë, pa kurfarë industrie nxjerrëse e përpunuese, me një bujqësi primitive? Si mund të ketë në Shqipëri kërkesë të qëndrueshme kur çmimet janë rritur më 50 apo 100%, të duket sikur shqiptarët po gëzojnë që u janë rritur çmimet. Kush quhet rritje e shpejtë e pagave, indeksimi i pensioneve me një shifër qesharake apo indeksimi i pagave.

Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes do të vijë në ngadalësim në afatin e shkurtër dhe do të përshpejtohet në afatin e mesëm.

Rritja ekonomike do të vijojë të ushqehet nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, nga zgjerimi i mëtejshëm i eksporteve shqiptare, si dhe nga ulja e pasigurisë në përgjigje të reduktimit të pritur të inflacionit. Po ashtu, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të përfitojë nga një ambient i qëndrueshëm monetar dhe financiar,”- tha Guvernatori.

Familjet shqiptare kanë balance të shëndosha kur çmimet janë dyfishuar? Mos e ngatëroni popullin shqiptar me një grusht njerëzish, me ata që shpesh i quajnë oligark? Unë nuk i quaj oligarkë se është fjalë fisnike unë disa prej tyre i quaj pjesë e borgjezisë kompradore që kërkon varfërimin, shpopullimin dhe zhdukjen e Shqipërisë.

Sikur megjithë mend të ishte ekonomia shqiptare kështu siç e percepton guvernatori do këputeshin gjermanët të vinin të jetonin në Shqipëri. Situata sot në Shqipëri është e rëndë, shumë e rëndë dhe duhet pranuar nga të gjithë.

E dyta, Banka e Shqipërisë po zbaton politikën e mbajtjes së një kurs këmbimi të fortë të lekut në raport me euron.  

Shqipëria është vend me ekonomi të vogël të hapur me kurse këmbimi fleksibile. Kjo do të thotë se Banka e Shqipërisë nuk e përcakton kursin e këmbimit të monedhave me kufij në plus- minus ashtu siç vepron me normën e inflacionit. Kurset e këmbimit përcaktohen në treg në procesin e këmbimit të monedhave midis shitësve dhe blerësve. Ajo duhet të mbajë për 4 muaj importe  rezerve valute. Ndërhyrja e saj në treg duhet të jetë e matur dhe shumë e kufizuar, sepse faktorët që përcaktojnë kurset janë faktorë objektiv të brendshëm dhe të huaj që nuk varen nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë nuk duhet të mbrojë monedhën vendase të fortë, përkundrazi ajo dhe qeveria me instrumentet e saj duhet të mbajnë një lek të zhvlerësuar, jo të fortë ndaj dy monedhave kryesore euro dhe dollar.

Çfarë pasojash kanë pasur vendet që e kanë kursin e këmbimit fiks, të kontrolluar nga Banka Qendrore? Kurset e këmbimit fiks të kontrolluara nga BQ i ka Kina, Maqedonia dhe dhjetra vende të tjera. Ato kanë pasur vetëm pasoja pozitive për ekonominë e vendeve të tyre. Çfarë mund të themi për Kinën?

“Kina i ka kurse fikse të kontrolluara nga PBOC. Kurset e ulta të juanit kanë ndikuar fuqishëm në rritjen e ekonomisë kineze. Juani i ulët konkuron monedhat e tjera të forta. Ja një vështrim se si Kina kontrollon juanin, i njohur gjithashtu si renminbi. Një monedhë, dy kurse këmbimi. Ndryshe nga monedhat e tjera kryesore si dollari amerikan ose jeni japonez, të cilat kanë një kurs këmbimi të lirë të luhatshëm, Kina mban kontroll të rreptë të kursit të juanit në kontinent. Çdo mëngjes, Banka Popullore e Kinës (PBOC) vendos një të ashtuquajtur rregullim të mesit ditor, bazuar në nivelin e mbylljes së juanit ditën e mëparshme dhe kuotimet e marra nga tregtarët ndërbankar. Banka qendrore menaxhon gjithashtu politikën komplekse monetare të Kinës.

Monedha lejohet të tregtohet brenda një brezi të ngushtë prej 2% mbi ose nën normën e mesit të ditës. Nëse ai devijon shumë, sipas disa vëzhguesve të tregut, banka qendrore kineze ndërhyn për të blerë ose shitur juanin, duke vënë një kapak mbi paqëndrueshmërinë e tij të përditshme. Ky kurs këmbimi njihet si juani në tokë, ose CNY”.

Pse BSH duhet të ketë kujdes në ndërhyrjet e saj për të mbajtur një lek të fortë?

-Nuk ka aq valutë sa t’i mbijetojë tregut monetar të valutave për një kohë të gjatë.

-Nuk përcaktohet kursi i këmbimit në ekonominë shqiptare thjesht nga eksportet, IHD-të dhe remitancat. Ka faktorë të tjerë ndikues që decizojnë kurset e këmbimit. Është ekonomia informale, janë paratë e huaja që futen në Shqipëri në forma të ndryshme që diktojnë kursin e këmbimit.

-Ka pasoja negative në rritjen e ekonomisë.

“Si mund të ketë në Shqipëri kërkesë të qëndrueshme kur çmimet janë rritur me 50 apo 100%, të duket sikur shqiptarët po gëzojnë që u janë rritur çmimet. Kush quhet rritje e shpejtë e pagave, indeksimi i pensioneve me një shifër qesharake apo indeksimi i pagave.”

Pse leku nuk duhet të jetë i fortë?

Sepse ka dy pasoja, njëra është pozitive dhe e përkohëshme dhe tjetra negative dhe afat gjatë. Cilën nga pasojat duhet të zgjedhi Banka dhe Qevria?

Pasoja e parë pozitive dhe afatshkurtër është në importe, sa më shumë të zhvlerësohet valuta aq më shumë do rritet kërkesa për të. Në këtë mënyrë aq më shumë do të importohet, pra një lek i mbivlerësuar, ose i mbiçmuar ndikon pozitivish në rritjen e importeve dhe negativisht në rritjen e eksporteve. Kjo sjell për pasojë thellimin e Deficitit Tregëtar, rritjen e të eksporteve neto (NX). Kush përfiton këtu? Përfitojnë qytetarët shqiptarë, sepse kursi euros i ulët do thotë çmime të ulta për të mirat që importohen. Do përfitojnë edhe bizneset, sepse nuk importohen vetëm të mira dhe shërbime përfundimtare, por edhe faktorë ekonomikë që janë në shërbim të biznesit, pra do përfitojnë të gjitha subjektet ekonomike që blejnë mallra importi pavarësisht destinacionit të tyre.

Pasoja e dytë negative dhe afat gjatë. Kemi dy nën pasoja negative.

E para, do godasë eksportet, sepse euroja e siguruar nga eksportet do jetë e nënçmuar para lekut shqiptar, kjo bën që të bjeri interesi i firmave eksportuese të vendit.

E dyta, ulja e çmimeve të importit do konkurojë mallrat e vendit, të cilat duke marrë shkallën e zhvillimit të teknologjisë dhe shkallën e mekanizimit të bujqësisë janë me kosto më të lartë se shumë prej produkteve të importuara. Në këtë mënyrë një lek i butë do nxisi prodhimin vendas, ndërsa një lek i fortë do nxisi rritjen e importeve.

Banka e Shqipërisë ka zgjedhur ndikimin pozitiv të përkohshëm dhe ka anashkaluar ndikimin afatgjatë të rritjes së ekonomisë shqiptare. Kjo shihet edhe në ndërhyrjet e saj në treg. Në analizën e Politikave Monetare për tremujorin e dytë thuhet: “Mekanizmi i transmisionit përfshin edhe kanale të tjera nëpërmjet të cilave çmimet mund të ndryshojnë, si për shembull kanalin e kursit të këmbimit, atë të pritjeve inflacioniste, dhe atë të pasurive financiare.“Tregu valutor ka qenë përgjithësisht i qetë dhe është karakterizuar nga parametra normalë tregtimi gjatë tremujorit të parë të vitit, me përjashtim të një episodi jetëshkurtër pasigurie në fillim të muajit mars. (Momenti i nisjes së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës përkoi me një kërkesë të shtuar për blerje të euros në tregun e brendshëm, e cila, ndonëse e lidhur me aktivitetet normale të kompanive, nxiti pasiguri në treg dhe pozicionim të agjentëve të tregut. Për pasojë, spread-et e kuotimit u rritën, vëllimet e tregtimit ranë dhe leku u nënçmua shpejt dhe ndjeshëm. Banka e Shqipërisë ndërhyri në kohë në treg dhe nënçmimi u shua plotësisht brenda muajit mars, duke e rikthyer tregun valutor në normalitet. Episode të ngjashme të nënçmimit të monedhave përjetuan edhe vendet e rajonit me kurs të lirë këmbimi, në të cilat bankat qendrore reaguan në mënyrë të ngjashme)”.

E treta, është krijuar Bordit të Transparencës për të ruajtur stabilitetin e çmimeve.

Niveli i çmimeve përcaktohet në treg, aty ku përballen interesat e shitësve me interes të blerësve.

Çfarë po ndodh sot në Shqipëri? A kemi ekonomi ku çmimet e të mirave dhe shërbimeve të përcaktohen në treg? A kemi ekonomi ku kurset e këmbimit të përcaktohen lirshëm në treg dhe normat bazë të interesit të marrin në konsideratë kushte e zhvillimit të ekonomisë shqiptare? Përgjigja e këtyre pyetjeve Meriton një shkrim me vete, por shkurt do të them se Bordi Transparencës është një institucion i paligjshëm i miratuar me ligj. Nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës ku në një ekonomi tregu qeveria bashkë me biznesin të caktojnë çmimet e produkteve kryesore nga zyra. Diku andej nga India dhe Pakistani bëjnë veprime të tilla, por India ka system tjetër organizimi të bujqësisë. Vendet e tjera vendosin çmime tavan, por jo çmime permanente. Kjo formë e vendosjes së çmimeve nuk përdorej as në socializëm.

Përfundimisht, masat e marra nga Banka Qendrore dhe Qeveria do ndikojnë në frenimin e rritjes së ekonomisë shqiptare dhe jo në rritjen e saj.