Artan Hoxha: ‘1.2 milionë dollarë për xhepat e Sulltanit të FSHF’

126

“Për dy ndeshjet e Shqipërisë me Katarin dhe Arabinë, që u zhvilluan pa tifozë dhe kamera, drejtuesit e Federatës së Futbollit Shqiptar kanë përfituar plot 1.2 milionë dollarë plus të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të skuadrës dhe stafit te presidentit.”

Sigal

Gazetari Artan Hoxha ka akuzuar drejtuesit e FSHF-s, për dy ndeshjet e Shqipërisë me Katarin dhe Arabinë, që u zhvilluan pa tifozë dhe kamera. Sipas Hoxhës drejtuesit e Federatës së Futbollit Shqiptar kanë përfituar plot 1.2 milionë dollarë plus të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të skuadrës dhe stafit te presidentit Duka. Hoxha hedh akuza se kombëtarja B apo kombëtarja C, është thjesht një skuadër e sajuar. Ai e quan presidentin e FSHF-s, Armando Duka si ‘sulltani i FSHF-s’.

Faksimile e marrë nga faqja zyrtare e autorit

Reagimi:

Kombëtarja dhe simbolet KUQEZI, plaçkë tregu për të fryrë xhepat, sheiket e FSHF-së. Kur ke fat, ke fat…Nuk është me inat kjo punë. Sulltani ynë (që ju bëftë dita njëmijë), ua ka marrë dorën këtyre sheikëve nga Gadishulli Arabik.
Pas sheikëve saudite, më 26 tetor në Abu Dabu, tashmë e kanë radhën sheikët nga Katari, vendit organizator të kupës së botës, që nis pas 11 ditësh. Sot pasdite, në orën 18:30, një skuadër tjetër, e sajuar aty për aty, nën moton “kap ç’të’kapësh, se qar e kemi”, do të zbresë në stadiumin e Marbella në Spanjë, me simbolet kombëtare shqiptare.
Në fakt nuk është kombëtarja e Shqipërisë. Madje nuk është as kombëtarja B apo kombëtarja C. Ështe thjesht një skuadër e sajuar ashtu siç di të sajojë sulltani ynë, me lojtarë nga një prej kampionatëve më të dobëta të Europës. Në saj të “udhëheqjes së ndritur” për 6 mandate me radhë të FSHF-së nga Armando Duka, superliga e Shqipërisë, më në fund është renditur në vendin 49 nga 55 Kampionate Europiane. Tashme kemi mbrapa vetëm këto qytet-shtetet tip principatash, që kanë mbetur si relike, që nga koha e mesjetës, San Marino, Gjibraltari, Andorra, Lihtenshtejn. Brenda 15 ditësh, një skuadër e sajuar si Kombëtarja e Shqipërisë, me simbolet zyrtare kombëtare, do të zbresë në fushë në një ndeshje me dyer te mbyllura, e cila nuk transmetohet nga askush. Një ndeshje, e cila luhet jashtë çdo datë zyrtare të miratuar nga FIFA dhe UEFA, vetëm e vetëm, që Sheiku i FSHF-së të mbushë xhepat pa e vrarë mendjen, se po përdor simbolet shtetërore, flamurin KUQEZI dhe himnin kombëtar.
Kontratat e të dyja ndeshjeve me dyer të mbyllura, që nuk i sheh apo transmeton askush, me “kombëtaren e sajuar” të FSHF-së, e kanë joshur Dukën, të futet në një pazar me sheikët arabë. Për ndeshjen me Arabine Saudite, të luajtur më 26 tetor 2022, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, FSHF përfitoi plot 600 mijë dollarë, plus të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të skuadrës dhe stafit të presidentit Duka. Për ndeshjen me Katarin sot në mbrëmje, FSHF përfiton sërish 600 mijë dollarë të tjerë, plus pagimin e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit të skuadrës shqiptare. Gjatë muajit tetor, sheikët e Katarit, ja dolën të blinin lirë, kombëtaret e federatave të korruptuara të republikave të bananeve në Amerikën Qendrore, si Panama, Honduras, Guatemala dhe Nikaragua. Ndërsa në fillimin e nëntorit, sheikët e Katarit, blenë një tjetër federatë të korruptuar te një republikë bananesh, por këtë radhë në kontinentin Europian. Të dyja ndeshjet, me Arabinë Saudite dhe Katarin, të paraqitura si ndeshje të “kombëtares” së Shqipërisë, janë zhvilluar vetëm për të mbushur xhepat e Sulltanit të FSHF, me plot 1.2 milionë dollarë dhe për të argëtuar sejmenët e tij në resorte luksoze në Dubai apo Marbella të Spanjës. Në kësi rastesh nuk të mbetet gjë tjetër, vetëm të thuash:
“paç fatin e FSHF-së”…Ndërsa për drejtuesit e saj:“është turp të kenë turp”…