Shkodër, Panariti: Investime për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet

418
 Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, i shoqëruar nga një grup specialistësh të Bordit të Kullimit Shkodër, inspektoi të mërkurën paradite, punimet e kryera në argjinaturën e lumit Buna në zonën e Shirgjit, komuna Dajç të rrethit Shkodër, në veri të vendit, një investim që po kryhet me fonde të qeverisë shqiptare. Gjatë përmbytjeve të fundvitit 2010, lumi Buna arriti në kuota maksimale të vrojtuara, dhe mbas tërheqjes së ujit pati një riaktivizim të gërryerjes në zonën e Shirgjit. Zona e dëmtuar në këtë vend, kap një gjatësi prej rreth 200 m, dhe fondi për këtë investim, kap shifrën e 33 019 316 lekë. Nga ndërhyrja për rehabilitimin e zonës do të realizohet mbrojtja e tokave bujqësore nga gërryerjet. Gjithashtu, ministri Panariti, inspektoi dhe punimet e kryera në kanalin ujitës Grizhë Koplik, në Malësinë e Madhe, një investim ky me një fond prej 69 094 999 lekë. Kanali ujitës i Grizhë është vazhdimi i kanalit të Shtodrit që fillon nga rruga e Grizhës dhe vazhdon drejt Koplikut në një distancë prej 10 km, afërsisht deri në Culaj. Ky kanal fillon me një thellësi 4m3/sec dhe përfundon me rreth 2m3/sec. Nga ky investim, i rikthehet ujitja 1000 hektarëve tokë dhe përfitojnë mbi 600 fermerë të zonës. Aktualisht, në këtë kanal janë kryer punime për pastrimin e tij nga inerte dhe papastërti, si dhe janë restauruar veshjet ekzistuese, muret e prishura e porta metalike e tij.
Sigal