Meta: Respektimi i të drejtave dhe lirive të fëmijëve, prioritet

630
“Rastet e abuzimit, e keqtrajtimit dhe të keqrritjes së fëmijëve në familje, në shkollë dhe në shoqëri, shfaqja e formave të ndryshme të dhunës në familjet e tyre, mbeten ende sfida për t’u përballur. Zgjidhja e këtyre problematikave të rëndësishme duhet të kalojë nëpërmjet mbështetjes për familjet e tyre, por edhe nëpërmjet përkujdesjes së posaçme nga strukturat shtetërore dhe mbarë shoqëria për fëmijët vulnerabël, jetimët apo për fëmijët me aftësi të kufizuara”, – u shpreh z. Meta. 
Kryetari i Kuvendit theksoi se në përmbushje të këtij pikësynimi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri ku vlerësoi si të domosdoshëm kontributin e deputetëve të Shqipërisë për të përmirësuar dhe rritur efikasitetin e legjislacionit në mbrojtje të fëmijëve. 
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta
Jemi me fat që kemi kaq shumë aktivistë dhe aktiviste të shoqërisë civile, por edhe kolege deputete dhe kolegë deputetë që janë të angazhuar për këtë çështje mjaft sensitive të shoqërisë sonë, të familjeve shqiptare dhe njëkohësisht dua të falënderoj znj. Scolamiero, por dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të organizatave ndërkombëtare dhe të partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre. 
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën një detyrim të pazëvendësueshëm njerëzor, një detyrim kushtetues për shtetin dhe të gjithë institucionet që shprehet shumë qartë në nenin 54 të Kushtetutës. Ndaj dhe respektimi i këtyre të drejtave të individëve, promovimi dhe garantimi i tyre do të jenë gjithmonë një prioritet i legjislacionit, i politikave dhe i institucioneve, por edhe i diskutimeve dhe tryezave të organizuara nga shoqëria civile dhe nga vetë fëmijët lidhur me çështjet e tyre. 
Gjatë këtyre viteve, të drejtat dhe liritë e fëmijëve, formalizimi dhe përcaktimi i tyre në një kuadër ligjor të plotë ka njohur progres, por zbatimi dhe pranimi i vetëdijshëm i tyre, trajtimi dhe zhvillimi i fëmijëve si individ në shoqërinë shqiptare, ende hasin vështirësi.
Rastet e abuzimit, e keqtrajtimit dhe të keqrritjes së fëmijëve në familje, në shkollë dhe në shoqëri, shfaqja e formave të ndryshme të dhunës në familjet e tyre, mbeten ende sfida për t’u përballur. 
Zgjidhja e këtyre problematikave të rëndësishme duhet të kalojë nëpërmjet mbështetjes për familjet e tyre, por edhe nëpërmjet përkujdesjes së posaçme nga strukturat shtetërore dhe mbarë shoqëria për fëmijët vulnerabël, jetimët apo për fëmijët me aftësi të kufizuara. 
Në përmbushje të këtij pikësynimi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri ku vlerësoi si të domosdoshëm kontributin e deputetëve të Shqipërisë për të përmirësuar dhe rritur efikasitetin e legjislacionit në mbrojtje të fëmijëve. 
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi është i angazhuar që të ndërmarrë dhe të mbështesë nisma dhe veprime konkrete për përmirësimin e legjislacionit dhe të politikave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për zbatimin e tyre. 
Në këtë rezolutë, është vënë gjithashtu theksi edhe në ndërmarrjen e veprimeve aktive për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të familjes shqiptare, për rolin vendimtar që ajo luan në rritjen, përkujdesjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve. 
Me qëllim realizimin e këtyre angazhimeve, Kuvendi i Shqipërisë mbështeti nismën dhe kërkesën e shoqërisë civile për të krijuar grupin e deputetëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si një grup i posaçëm avokatie i parlamentarëve në mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të fëmijëve në vendin tonë. 
Me qëllim vijimin e angazhimeve të ndërmarra nga Kuvendi me Rezolutën e Dhjetorit të vitit 2013, ne sot do të diskutojmë objektivat strategjikë dhe planin e veprimit, që Grupi i Parlamentarëve “Miq të Fëmijëve”, do të ketë për një periudhe një vjeçare.
Si Kryetar i këtij grupi, do të shpreh angazhimin tim maksimal, për të nxitur bashkëpunimin dhe bashkërendimin e të gjithë partnerëve e shoqërisë civile, organizata dhe grupet e fëmijëve, ministritë dhe institucionet publike, për të analizuar situatën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, përfundimin e instrumenteve ligjorë dhe standardet e reja ndërkombëtare për arritjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga rezoluta, por dhe nga rekomandime dhe dokumente të tjerë të veçantë ndërkombëtarë.
Sigal