“Dorëheqja e Bashës”/ Nishani: Akti i fundit i lojës mjerane për ta kthyer PD-në lodër në duart e Ramës

152
Sigal

Vendimin e sotëm për dorëheqje, ish-presidenti Bujar Nishani e ka quajtur aktin e fundit të lojës së Lulzim Bashës, si mjerane për ta kthyer Partinë Demokratike në fasadë-opozitë, lodër në duart e Edi Ramës.

Në postimin e tij në Facebook, Nishani thekson se ‘fatin e Partisë Demokratike e kanë marrë tashmë në dorë demokratët, anëtarët e asaj partie, ata që bëjnë të mundur ekzistencën e Partisë Demokratike’.

Postimi i plotë i Bujar Nishanit:

Lulzim Basha tentoi të luajë sot aktin e fundit të lojës së tij mjerane për ta kthyer Partinë Demokratike në fasadë-opozitë, lodër në duart e Edi Ramës.

Fatin e Partisë Demokratike e kanë marrë tashmë në dorë demokratët, anëtarët e asaj partie, ata që bëjnë të mundur ekzistencën e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha është shkarkuar nga detyra e kryetarit prej anëtarëve të Partisë Demokratike në Kuvendin historik Kombëtar të 11 dhjetorit 2021.

Ata të cilët vijojnë të injorojnë, shpërfillin dhe refuzojnë vullnetin dhe vendimet e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, Referendumin e 18 dhjetorit, votimet e 6 marsit, bëjnë të njëjtin gabim që kanë bërë deri sot në kurriz të demokratëve.

Sot është koha e bashkimit të të gjithë demokratëve në proçesin e ringritjes së Partisë Demokratike nisur më 11 dhjetor 2021, për ta bërë atë parti më të hapur, më të fortë, më të bashkuar !

Skenarët mjeranë të rregjimit për asgjesimin e PD, opozitës, pluralizmit, kanë marë fund.

Deputetët e zgjedhur nga elektorati i Partisë Demokratike, sot më shumë se më parë duhet të bëhen bartësit më kryesorë të vullnetit politik të demokratëve, shprehur që prej 11 dhjetorit deri më 6 mars.

Tashmë ka vetëm një proçes, një platformë bashkimi, një shtëpi të madhe të përbashkët, rindërtimi i së cilës ka në themelin e saj votën e lirë për gjithseicilin.

Cilido që do të vijojë ta minojë rithemelimin e Partisë Demokratike, do të ketë dështimin e rradhës.