Shkëlqimi dhe venitja e qytetit Memaliaj
- Si u ndërtua qyteti Memaliaj më 2 nëntor 1952
- Ajo nxirrte 28% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi.
- Kjo minierë furnizonte me qymyr 380 konsumatorë në gjithë Shqipërinë dhe mbante marrëdhënie kontraktore për furnizim me qymyr me 24 rrethe të vendit.
- -Gjithashtu ajo i ka dhënë ekonomisë një të ardhur neto prej mbi 500.000.000 lekësh, një prodhim prej 10.126.000 ton qymyr dhe rreth 380.000 m punime minerare.
- Gazeta Telegraf
Sot 60% e familjeve janë në emigracion dhe 252 familje marrin rregullisht ndihmën ekonomike
Memaliaj e filloi jetën dhe veprimtarinë e tij në 1947-48, me gjurmimet dhe kërkimet gjeologjike, e cila do binte një vit më vonë krijimin e një kantieri të madh dhe më pas do merrte formën e një qyteti punëtorësh të zhurmshëm dhe shumë nevralgjik në jetën e atdheut të sapo dalë nga lufta e dytë botërore. Shumë shpejt Memaliaj do zhvillohej e do ecte me furinë e Vjosës, e cila lag tre anë të këtij qyteti, me ujin e saj të pastër dhe të bollshëm.
Miniera e Memaliajt
Miniera e Memaliajt ishte më e rëndësishmja në vëndin tonë, me prodhim të një cilësie të mirë.
Vendburimi i qymyrit në Memaliaj është zbuluar gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjeologët Austro-Hungarezë, Italianë e Francezë. Në vitet 1914-1916 shohim relacionet e para dhe interesimin e flotës italiane për përdorimin e qymyrit për nevojat e veta, si dhe punimet e para në fushën e Vjosës në krahun juglindor me një pus 63m të thellë, prej nga u morën 7000-8000 ton qymyr. Në gjurmët e dokumentave arkivale gjatë viteve 1922-1924 shohim përpjekjet e një shoqërie anonime italiane dhe të një komisioneri durrsak për të bërë kërkime me qëllim zbulimi në zonën e Memaliajt. Në vitin 1924 një gjeolog austriak dha një përshkrim të shkurtër për karakterin industrial të shtresave të vendburimit. Aty ku më parë gjeologët ushtarakë kishin ngulur piketat e para, shoqëria italiane ACAI filloi punimet në vendin ku më vonë u hap sektori i parë i minierës, në krahun e djathtë të lumit Vjosë duke hapur një traverbang dhe dy galeri, ndërsa sondat e çpimit vazhdonin kërkimet deri në thellësinë 288 m. Punëtorët shqiptarë banonin në kasolle, punonin deri në 16 orë në ditë, ushqeheshin sa për të mbajtur gjallë dhe shpërbleheshin 25 herë më pak se italianët. Pas luftës, në pranverën e vitit 1946 filluan punimet e para për hapjen e minierës. Qymyri nxirrej nga oxhaqet, rrëzohej me sqep, rrallë herë me lëndë eksplozive, pa teknologji shfrytëzimi. Miniera e qymyrgurit në Memaliaj u krijua si ndërmarrje më vete me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.34 datë 15 korrik 1949, se deri atëherë ishte sektor në vartësi të minierës së Kërrabës. Këtu zë fill rritja e minierës. Atë vit më 1949 u nxorrën vetëm 3389 ton dhe një vit më vonë u nxorrën 12023 ton qymyr. Por rruga e zhvillimit të planifikuar filloi në 1951. Në vitet 1950-1951 teknikët dhe specialistët për herë të parë filluan eksperimentimin e shfrytëzimit me llavë, gjatë të cilit u zgjidhën një sërë problemesh e vështirësish teknike. Dhe në vitin 1953 u dyfishua kundrejt vitit 1952.
Në vitin 1951 u hodhën themelet e qytetit Memaliaj
Vendin e çadrave e të barakave buzë galerive e zunë godinat e para një e dy katëshe, fjetoret e punëtorëve dhe ofiçina e minierës, që kishte një torno të vjetër, një forxhe dhe një aparat saldimi. Këto ndërtime u kryen nga një kantjer i ngritur në Memaliaj nga Ndërmarrja e Ndërtimit të Vlorës. Në 2 nëntor 1952 Memaliaj përfitoi statusin e qytetit. Tashmë në këtë qytet kishte më shumë punëtorë se sa qyteti i Tepelenës. Ishte një vendim i Këshillit të Ministrave të asaj kohe që i dha statusin e veçantë. Në vitet 1951-1955 me përdorimin e sistemit të llavës u përdorën sharrat prerëse të qymyrit dhe filluan punimet në sektorin e dytë, ndërsa gjeologët zbulonin rezerva të reja duke çelur prespektivën. Gjatë viteve 1956-1960 u bënë hapa cilësore në drejtim të mekanizmit. Energjia e ajrit të komprimuar u zëvendësua nga energjia elektrike. Në vitet 1956-1957 filloi çpimi i birave me elektroturjelë. Në vitet 1957-1958 u vendosën elektrovozët e parë për transportin e qymyrit nëntokë dhe në vitin 1959 u vendosën ventilatorët e parë për ajrimin e fronteve të punës. Po në këtë vit vihet në shfrytëzim sektori i tretë dhe filluan punimet për hapjen e pusit nr.1, i pari pus i minierës me thellësi 185 m dhe me tre nivele, punimet e të cilit u lanë në mes nga specialistët polakë. Por vështirësitë u përballuan me guxim nga specialistët tanë dhe në vitin 1963 pusi nr.1 u vu në shfrytëzim. Gjatë 10 vjeçarit 1956-1965 prodhimi u tejkalua me 16.000 ton dhe në vitin 1965 miniera e tejkaloi 100.000 tonëshin. Në vitin 1964 u përgatit fusha e dytë e minierës, sektori i dytë i së cilës u vu në shfrytëzim në vitin 1965. Edhe vitet 1966-1970 u karakterizuan nga rritja e prodhimit me ritme të shpejta, rritja e shkallës së mekanizmit dhe rendimentit. U hapën dhe u vunë në shfrytëzim sektori i parë dhe i tretë i fushës së dytë. në minierë u futën elektovozet 3.5 dhe 7 tonësh, kurse në punimet minerare u vendosën lopatat vetëngarkuese elektrike. Këto bënë që prodhimi të dyfishohej kundrejt 5 vjetëve më parë.
Në vitin 1973 u vu në shfrytëzim pusi nr.2 i minierës
Në vitin 1980 u prodhua aq qymyr sa ishte prodhuar në vitet 1961-1965. Pikërisht, në vitet 1976-1980 u vu në punë fusha e tretë minerare me sektorët mbi nivel. Në 10 vjeçarin e fundit 1981-1990 miniera vazhdoi shfrytëzimin në thellësi të saj. Në vitin 1981 u vu në shfrytëzim pusi nr.3 me thellësi 360 m. Kurse në vitin 1986 u vu në shfrytëzim pusi nr.6 me thellësi 300 m. Këto bënë që në vitet 1981-1985 të nxirrej aq qymyr sa u prodhua në vitet 1946-1975. Në vitet 1986-1990 u vunë në shfrytëzim puset nr.4 dhe nr.5 në fushën e tretë dhe të dytë minerare. Në këtë mënyrë prodhimi në vitin 1990 u rrit 160 herë kundrejt vitit të parë të fillimit të punës në këtë minierë. Një rëndësi të veçantë në plotësimin më të mirë të nevojave të ekonomisë me qymyr dhe rritjes së efektivitetit të prodhimit ka dhënë venia në shfrytëzim në vitin 1971 e fabrikës së pasurimit të qymyrit. Në këtë mënyrë u krijuan mundësitë për përdorimin më racional të qymyrit nga ekonomia dhe gjatë 20 vjetëve ajo përfitoi 120.000.000 lekë nga mënjanimi i transportit të sterilëve ose një volum transporti prej 536.000.000 ton/km. Bashkë me minierën u rrit edhe klasa punëtore e saj. Në vitin 1946 filluan punimet e para. Në minierë punonin 82 punëtorë, kurse në vitin 1949 kur u krijua ndërmarrja punonin 100 punëtorë dhe në fund të viteve ’80 numëroheshin mbi 2800 punonjës. Midis të cilëve 73 punonjës ishin me arsim të lartë dhe 42 ishin inxhinierë. Me arsim të mesëm ishin 612 punonjës dhe me shkollë të mesme e të lartë kualifikimi ishin 510 punëtorë. Vlen të theksohet një traditë e mirë që u krijua: kalimi i profesionit dorë me dorë nga babai tek i biri gjë që bëri të mundur krijimin e brezave të minatorëve. Miniera e Memaliajt mbante peshën më të madhe të prodhimit në rrethin e Tepelenës. Prodhimi industrial i saj zinte 64% të prodhimit industrial të rrethit. Në minierë punonin 31% e punëtorëve të rrethit. Miniera jepte 48% të të ardhurave të përgjithshme financiare të rrethit ndërkohë që shpenzimet zinin vetëm 31% të atyre në shkallë rrethi. Me gjithë fjetoret e shumta të punëtorëve shumica e tyre mbi 60% banonin në fshat duke kontribuar edhe në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të rrethit.
Miniera e Memaliajt u shndërrua në një qendër të rëndësishme industriale jo vetëm për rrethin e Tepelenës, por edhe për të gjithë vendin. Ajo nxirrte 28% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi. Kjo minierë furnizonte me qymyr 380 konsumatorë në gjithë Shqipërinë dhe mbante marrëdhënie kontraktore për furnizim me qymyr me 24 rrethe të vendit. Gjithashtu ajo i ka dhënë ekonomisë një të ardhur neto prej mbi 500.000.000 lekësh, një prodhim prej 10.126.000 ton qymyr dhe rreth 380.000 m punime minerare. Pas vitit 1990 me ndryshimin e sistemit shoqëror filloi të ulet gradualisht deri sa miniera u mbyll për arsye se dilte me humbje. Qymyri i kësaj miniere në krahasim me fushat qymyrgurore të Ballkanit ka pasur fuqi kalorifike relativisht të lartë, por me përmbajtje squfuri mbi normat ndërkombëtare, rreth 3% nga nën 1% e lejuar. Qymyri është tregëtuar në konsumatorë të shumëllojshëm ku përmendim: konsumatorë industriale, për prodhimin e materialeve të ndërtimit, komunale etj. Konsumatorët kryesorë kanë qenë: TEC dhe Kombinati Metalurgjik Elbasan. Kur kërkesat e këtyre konsumatorëve kanë qenë në rritje. Miniera e Memaliajt ka arritur prodhimin maksimal të qymyrit bruto 540 mijë tonë në vit. Shifër kjo që përfaqësonte 25-30% të prodhimit kombëtar të qymyrit. Sot konsumatorë të kësaj miniere janë fabrikat e tullave. Pas vitit 2000 janë privatizuar disa sektorë të kësaj miniere ku prodhohet 25 mijë ton qymyrguri, që u shitet fabrikave të tullave.
Problemi më i madh dhe shqetësues është papunësia.
Ky qytet me 7640 banorë, rreth 50-60% e këtij numuri sot ndodhen të larguar në emigracion. Shumica e këtyre janë të larguar familjarisht!
Po të bëjmë krahasimin me shifra dhe përqindje, atëherë i bije që 1/3 të jetë e pa strehë, 300 familje të deklaruar dhe 252 familje marrin rregullisht ndihmën ekonomike, sociale të akorduar nga shteti.























