Besmir Kodra: Gjobat qindra milionë euro të Arbitrazhit janë përgjegjësi penale e zyrtarëve të lartë!

589
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shteti shqiptar është karakterizuar gjithmonë nga një mungesë e plotë transparence në lidhje me proceset e arbitrazhit, duke përfituar dhe nga fakti që këto procese bazohen dhe në parimin e konfidencialitetit

Besmir Kodra, përmbarues, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se arsyet kryesore të humbjes nga shteti shqiptar të gjyqit Beketi në Arbitrazh (me sa jemi informuar nga media) ka qenë presioni dhe shantazhi i drejtpërdrejtë (mesazhet e bëra publike në media) i një nga ministrave të qeverisë Rama. Madje, zoti Kodra pohon se “Mungesa e transparencës e organeve publike në lidhje me shkaqet e humbjeve, mbrojtjes që ka bërë shteti shqiptar, mënyrën dhe kohën e pagesave të kryera, apo dhe dështimi i organeve të drejtësisë me mosveprim për të iniciuar qoftë dhe kryesisht hetime për të tilla procedura, janë disa arsye që të bëjnë të mendosh se një pjesë e çështjeve/rasteve janë të simuluara. Zoti Kodra fajëson edhe Avukaturën e Shtetit, sepse skandali më i rëndë është që, Avokatura e Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim, dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori?!

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

“Organet ligjzbatuese shqiptare duhet të ndërmarrin hetimet e duhura, se përse shteti shqiptar nuk i respekton kontratat, aq më tepër kur nga kontrata të tilla vijnë pasoja kolosale financiare, por dhe cënim imazhi në këndvështrimin e investitorëve të huaj”

– Zoti Kodra, përfundimisht, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit dënon Shqipërinë me gjobë 110 milionë euro për çështjen “Beketti”. Kohë më parë u dënua edhe për çështjen “Aktor” me 40 milionë euro. Priten gjyqe edhe me KURUM dhe të tjera. Sipas vendimit të Arbitrazhit, kush janë përgjegjësit dhe përgjegjësitë që taksapaguesit shqiptarë do paguajnë këto shuma qindra milionë euro?

Në fund të një procesi gjyqësor arbitrazhi patjetër që një nga palët do të humbasë, pavarësisht faktit se një nga palët mund të jetë shtet si në rastin tonë. Arsyet e humbjes duhet të analizohen dhe nëse ka përgjegjës konkret pa diskutim që duhet të mbajnë përgjegjësi penale dhe pse jo ta dëmshpërblejnë dëmin e shkaktuar. Organet ligjzbatuese shqiptare duhet të ndërmarrin hetimet e duhura, se përse shteti shqiptar nuk i respekton kontratat, aq më tepër kur nga kontrata të tilla vijnë pasoja kolosale financiare, por dhe cënim imazhi në këndvështrimin e investitorëve të huaj që patjetër që do të stepeshin për të investuar në një shtet që nuk garanton zbatimin e kontratave. Nëse do të qëndrojmë te rasti konkret midis shtetasit italian Francesco Becetti dhe shtetit shqiptar, si mund të presim përgjegjësi penale apo shpërblim dëmi, kur arsyet kryesore të humbjes se këtij gjyqi nga shteti shqiptar (me sa jemi informuar nga media) ka qenë presioni dhe shantazhi i drejtpërdrejtë (mesazhet e bëra publike në media) i një nga ministrave të qeverisë Rama, që sot është Kryetari i Bashkisë Tiranë?! Çdo ditë e kuptojmë që drejtësia nuk vepron për përfaqësuesit e këtij pushteti, ndaj pritshmëritë për pasoja ligjore për shkaktarët e vërtetë të kësaj humbje, janë të kota.

– Deri tani nga mospagimet e kësaj gjobe, vetëm kamatat shkojnë mbi 10 milionë euro. Ku duhet kërkuar kjo përgjegjësi, pse rëndohen financat e shtetit tonë?

Mungesa e transparencës e organeve publike në lidhje me shkaqet e humbjeve, mbrojtjes që ka bërë shteti shqiptar, mënyrën dhe kohën e pagesave të kryera, apo dhe dështimi i organeve të drejtësisë me mosveprim për të iniciuar qoftë dhe kryesisht hetime për të tilla procedura, janë disa arsye që të bëjnë të mendosh se një pjesë e çështjeve/rasteve janë të simuluara. Nga Becheti dhe gjithë çështjet e tjera, çdo zyrtar duhet të mbajë përgjegjësi, nëse ka elemente të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit. Çështje të tilla, me fatura katastrofike për shtetin shqiptar, kurrsesi që nuk mund të jenë vetëm pasojë e interpretimeve ligjore në mënyra të ndryshme nga palë të ndryshme.

“Përveç dëmit të gjyqit në arbitrazh, paguajmë dhe tarifat e kripura të mbrojtjes së dështuar, siç paguajmë dhe pagat e avokatëve te shtetit”

“Skandali më i rëndë është që, Avokatura e Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim, dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori?!”

– Cili ka qenë roli i Avokatisë së Shtetit në këto gjyqe të humbura?

– Shteti shqiptar është karakterizuar gjithmonë nga një mungesë e plotë transparence në lidhje me proceset e arbitrazhit, duke përfituar dhe nga fakti që këto procese bazohen dhe në parimin e konfidencialitetit. Megjithatë, duke qenë se një nga palët është shtet, ka detyrimin që të bëjë transparencë sa i përket shkaqeve të humbjes së një procesi, vlerës së dëmit dhe mënyrës së ekzekutimit për aq kohë sa janë taksapaguesit shqiptarë që do i shlyejnë këto detyrime. Në të gjitha këto raste bëhet fjalë për interesa të mëdha, që shkaktojnë kosto të mëdha, jo vetëm sa i përket dëmit që vendos gjykata e që duhet ta paguajë shteti shqiptar, por ka dhe një kosto tjetër, që lidhet me tarifat që paguan Avokatura Shtetit për zyrat e avokatisë që përfaqësojnë shtetin shqiptar në këto procese. Avokatura e Shtetit vetë, edhe pse u bënë vite e duhet të kishte rekrutuar specialistët më të mirë, meqë ndryshoi dhe statusin e punonjësve të saj, për gjyqet e Arbitrazhit operon me zyra avokatie të huaja (por që gjithnjë, çuditërisht, kanë ndonjë ortak shqiptar). Ndër vite janë ngritur dyshime të qenësishme për bashkëpunim të natyrës korruptive me këto zyra, që marrin pagesa edhe nga 1-2 apo me shumë milionë euro. Pra, përveç dëmit të gjyqit në arbitrazh, paguajmë dhe tarifat e kripura të mbrojtjes së dështuar, siç paguajmë dhe pagat e avokatëve te shtetit. Nga ana tjetër, Avokatura Shtetit nën mbrojtjen qesharake që vendimet e Arbitrazhit kanë të dhëna sensitive, nuk bën publike vendimet, ku është penalizuar shteti shqiptar. Ne të gjithë duhet t’i lexojmë, të njihemi me to, të shohim pse është penalizuar shteti ynë, pra ne vetë që paguajmë taksat! Dhe skandali më i rëndë është që, Avokatura e Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim, dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori?! A ka,  më së pari në vetë institucionet përgjegjëse të identifikojnë shkaktarët e veprimeve që kanë çuar në ankimin e shoqërive në arbitrazh?! A ka kërkuar gjetjen e përgjegjësive civile dhe penale?! Jo, asnjëherë!

-Kryeministri Rama duke reaguar këto ditë ndaj këtij vendimi përfundimtar, e cilësoi biznesmenin Beketti “marifetxhi” dhe deklaroi se “do të marrë atë që nuk thuhet dhe që nuk hahet!”. Duhet të besojmë çfarë thotë kryeministri?

Këto deklarata ose më mirë batuta, janë tipike për përdorim fushate elektorale, pasi vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm prej kohësh tashmë. Si Rama dhe kushdo tjetër, që ngre pretendime apo bën misteriozin në lidhje me këtë vendimmarrje të arbitrazhit ndërkombëtar dhe dëmshpërblim që duhet të shlyhet nga shteti shqiptar, thjesht do të fsheh premisat e këtij rezultati katastrofik për vendin tonë si në aspektin financiar, por dhe në atë të imazhit që pasqyrojmë për investitorët strategjikë. Janë pikërisht vendime të tilla që kanë larguar investitorët strategjikë nga Shqipëria. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se përse të gjithë investitorët e huaj vënë si kusht që zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kontratat me shtetin shqiptar, ta ndjekin në institucione ndërkombëtare të arbitrazhit. Kjo vjen si pasojë e mosbesimit që ata kanë te pushteti gjyqësor shqiptar, që dihet se nuk karakterizohet de facto nga pavarësia nga pushteti ekzekutiv. Por fatkeqësia, tjetër është që shtetit shqiptar edhe vendimmarrjet e arbitrazhit ndërkombëtar tenton t’i mohojë publikisht për qëllime elektorale dhe për të mos pranuar dështimin në zbatimin e kontratave, dështim që nuk vjen nga paaftësia, por kryesisht nga aferat korruptive në zbatimin e këtyre kontratave me partnerë ndërkombëtare. Nëse Bekettin do e cilësonim “marifetxhi”, patjetër që më “marifetxhinj” janë ata që fshihen pas aferave të tilla që i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë miliarda euro në vit.

“SPAK duhet të administrojë si prova vendimin e arbitrazhit dhe mbrojtjen që ka bërë shteti shqiptar në këtë procedurë”

– A duhet të veprojë SPAK dhe të hetojë përgjegjësinë individuale për prishjen e njëanshme e kontratave nga qeveria, për të cilat Shqipëria po dënohet nga Arbritrazhi me qindra milionë euro? Apo është përgjegjësi kolektive e qeverisë?

– Unë mendoj se SPAK është vonë dhe duhet të kishte nisur prej kohësh hetimin e kësaj çështjeje. SPAK duhet të administrojë si prova vendimin e arbitrazhit dhe mbrojtjen që ka bërë shteti shqiptar në këtë procedurë. Kjo është e vetmja mënyrë për të analizuar nëse ka përgjegjësi penale nga ata persona që kanë qenë të ngarkuar me zbatimin e kësaj kontrate si dhe me mbrojtjen e shtetit shqiptar në arbitrazh. Kjo është e vetmja mënyrë që të zbuluar përgjegjësit e kësaj “fature” marramendëse për taksapaguesit shqiptarë. Nëse një çështje e tillë nuk hetohet në mënyrën e duhur atëherë do të jetë e vështirë që çështje të kësaj natyre të parandalohen dhe në të ardhmen. Nuk është vetëm kjo dosje që duhet të hetohet nga SPAK, por janë një sërë vendimmarrjesh të gjykatave shqiptare dhe të atyre ndërkombëtare që kanë sjellë një detyrim prej miliarda eurosh për shqiptarët vetëm si pasojë e abuzimit me detyrën të përfaqësuesve të organeve publike. Në këto raste, në zbatim të ligjit nr. 8510, datë 15.7.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore” të ndryshuar, nëse vërtetohet se përfaqësuesit e administratës kanë vepruar me keqbesim, atëherë administrata shtetërore, pasi dëmshpërblen palën e dëmtuar, ka të drejtë të kërkojë nga përfaqësuesi përgjegjës kthimin e shpërblimit që ka paguar, duke kompensuar dëmin që ka pësuar buxheti i shtetit.

– Faleminderit!