10.000 sahate  të dhuruar, për të zhvatur falas licencën e AMC-së,  me vlerë 30 milionë euro

515
Sigal

Skandali/ Qeveria mbyll afera me Deutsche Telecom

Para pak kohësh, kryeministri Edi Rama, duke zbardhur projektin e madh të qeverisë që do zbatohet në OSHEE, për të vendosur matës inteligjentë, që do të matin energjinë elektrike, tha se Deutsche Telecom, që ka në Shqipëri kompaninë celulare AMC, do t’i dhuronte Shqipërisë 10.000 matës inteligjentë të energjisë elektrike.

Kali i Trojës i  AMC (Deutsche Telecom)

Mirëpo, kjo dhuratë e Deutsche Telecom, për të na dhuruar 10.000 matës inteligjentë për të matur energjinë elektrike, si një projekt pilot, sikurse bëjnë me dije ekspertë në një të përditshme online, nuk është edhe kaq “dhuratë”, por në fakt, është Kali i Trojës i Deutsche Telecom, për të rinovuar licencën e AMC, që skadon së shpejti, duke bërë që pas kësaj dhurate të gjermanëve Deutsche Telecom, të fshihej një aferë e trashë korrupsioni. Kryeministri Rama e paraqiti atë si ndihmë bujare të Gjermanisë mike dhe falënderoi për këtë edhe kancelaren Merkel. 10 mijë matës me një çmim nga 350 deri në 600 euro për secilin, sipas përllogaritjeve të opozitës, janë një shumë e madhe parash. Së paku 3.5 deri në 6 milionë euro.

Pikëpyetjet e aferës korruptive të AMC-së

Pikëpyetje ngriti fillimisht fakti se matësit “dhuroheshin” nga një kompani si  AMC ose DT që nuk ka lidhje me sistemin e energjisë. Ky është një projekt pilot dhe kompania nuk dihet nëse do të jetë ajo që do të instalojë 1 milionë matësit që i nevojiten Shqipërisë. Po pse u gjend pikërisht Deutsche Telecom në këtë projekt? Si u kontaktua ajo kur dihet se nuk ofron shërbime në fushën e energjisë elektrike? Këto pikëpyetje ngrenë dyshime bashkë me faktin se Deutsche Telecom është njëkohësisht pronare e kompanisë së telefonisë celulare AMC. Fill pas “bujarisë” së Deutsche Telecom me 10 mijë matësit, AMC merr licencën që i kishte skaduar. Dhe e rinovon atë për 11 milionë euro, në një kohë kur sipas ekspertëve licenca kushton të paktën 30 milionë euro. Qeveria ishte në dijeni se DT ishte në pritje të marrjes së licencës në Shqipëri. Ky fakt ishte i mjaftueshëm për të mos i pranuar matësit “dhuratë”. Tani nuk ka më gjë të pakuptueshme në lëvizjen “inteligjente” të DT.  Zëra pranë qeverisë pohojnë për një të përditshme online,  se pas gjithë kësaj afere qëndron një nga deputetët socialistë me ndikimin më të madh në administratën shtetërore, të afërm të të cilit punojnë dhe kanë lidhje me kompaninë AMC. Gjithnjë, sipas këtyre zërave, veç përfitimit direkt nga ulja e çmimit të licencës së AMC në kurriz të konsumatorëve shqiptarë, nëse DT, pas projektit pilot, do të fitojë tenderin për instalimin e matësve në të gjithë vendin, i jepet mundësia për fitime të mëdha dhe pse jo për vendosjen e shërbimeve të internetit, telefonisë, iptv etj., (për të cilat është lider në tregun botëror) bashkë me matësit në afro 1 milionë klientë të tjerë, për një aferë diku rreth 500 milionë eurosh, sipas përllogaritjeve të opozitës.