Milionat që ka gllabëruar Amfiteatri i Durrësit, pse hesht prokuroria?

537
Sigal

Amfiteatri i Durrësit, mrekullia e arkeologjisë shqiptare, e cila deri sot duhej të ishte promovuar dhe nxjerrë në dritën e diellit ashtu siç ka qenë para 3 mijë vitesh, ka gllabëruar miliona lekë, pa ditur se ku kanë përfunduar. Mrekullia e arkeologjisë shqiptare, Amfiteatri i Durrësit, zbulimi më gjigand i babait të Arkeologjisë, qysh ne vitin 1963, Vangjel Toçi, ka marrë miliona lekë nga pothuajse të gjitha qeveritë në këto 24 vite, duke i justifikuar “për pastrimin e tij”, “ndriçimin e tij”, “për zbulimin e galerive të tij”, apo edhe për “mirëmbajtjen” e tij, kur dihet se pothuajse çdo ditë ai përmbytet, duke rrezikuar vlerat e çmuara. Duke shfletuar disa shkresa zyrtare që lidhen me paratë e dhëna për Amfiteatrin në vite, konstatojmë se  pothuajse në 10 raste, nga qeveritë, fondacionet,  apo shoqatat, janë miratuar dhe dhënë financime me vlerë mbi 150 milion lekë. Futen këtu edhe miliona lekë të dhëna “për Amfiteatrin” për spektaklet lokale, kombëtare dhe botërore. Tre vjet më parë, për ndoshta të pestën herë, përfundoi  “restaurimi” i disa galerive, u restaurua  sipërfaqja ballore, duke e sheshuar atë plotësisht, pjesa e shkallëve dhe pastrimi i galerive nëntokësore, të cilat kishin vite që ishin mbushur me ujëra të pista. Amfiteatri i Durrësit, i zbuluar nga i madhi Toçi në vitin 1963, (sipas hartave  të vjetra austriake) mbetet realisht sot më i vjetri në Ballkan, me një sipërfaqe sa të një stadiumi, me kapacitet 2700 deri 3000 vendesh, kurse thellësia e tij arrin në mbi 20 metra, duke i dhënë një pamje madhështore. Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar nga perandori romak Ariani, në shekullin e dytë, duke përdorur materiale të tilla, si gurë gjigandë, tulla të veçanta dhe llaç special. Vetëm për spektaklet me përmasa kombëtare dhe botërore, Amfiteatri ka thithur nga qeveria disa herë financime, asnjëherë me vlerë më të vogël se 400 milion lekë, duke i justifikuar për “teknikën, gardërobën, lyerje shkallësh, ndriçim,”, apo edhe më absurdja, një zë i shtuar në shkresat e  shpenzimeve, “gjelbërim”. Një prej arkeologëve durrsakë, i njohur si mik i ngushtë i të madhit Toçi, i tha gazetës  “Telegraf”, se “me milionat që ka thithur Amfiteatri, do të ishte nxjerrë nga nëntoka  gjithë Durrësi i vjetër, por ka pasur abuzime dhe nuk dihet fati i atyre parave, të cilat kanë bërë të pasur njerëz ,që edhe sot kanë pushtet politik”. Arkeologu i njohur thotë se “organet hetimore duhet të nisin hetimet e tyre, shkresat janë aty, edhe “investimet” aty janë, dhe të dalin personat që kanë abuzuar prej vitesh me lekët e shtetit dhe donatorëve të huaj, që edhe sot e kësaj dite propozojnë të nisin me paratë e tyre gërmime në Durrës, pasi janë dashamirës e pasionantë të vlerave tona të çmuara”.

BEN  DELIMETA