Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Dashuria është më e fortë se vdekja

545
Sigal

 

Kur mbrëmja purpuron petalet e shpirtit tim ,
një dallëndyshe zbret mbi qerpikë ngadalë,
rrëmben biskun e lotit e ngrihet në fluturim,
rrëzon qiejve aurën e dhimbjes e pakëz mall.

S’vonon e kthehet sërish mbi qerpikë,
vesën e pragmuzgjeve derdh mbi sy,
thith currilën kristalore të lotit shëllirë,
këput lulekripurën,që mugullon aty.

Pa nis të fryjë një puhizë nanuritëse prilli,
dhimbjen e shpirtit,me fllade fashiti ,
zemrën përshkënditi,me petale trëndafili,
një degëz të lulëruar më la te gjiri.

Në agim,dallëndyshja solli lulëkuqe maji,
në kraharor fillojë të ulërijë malli :
Kam tri stinë që vështroj si lulëzon bari,
si ndizet e fiket në mes të zemrës zjarri.

Në një mijë burra, ti je më i miri,
ndaj shpirti im të kërkon pareshtur.
Eja në folenë parajsore,me muzgje agimi,
siç vije dikur bilbil gjyzar i qeshur.

Si i vogli i drenushës,eja kur të të marr etja ,
kridhu në shkumën e gjinjve,me dëshirë,
prehrit vajzëror të të vë në gjumë,me erëza,
teksa zemra gjethon lastarin e dëlirësisë.

Eja të më sjellësh pranverat e mërguara,
diellin e dashurisë,nga gurgullon jeta,
eja shëro plagët e mia e të shëroj të tuat,
se dashuria është më fortë se vdekja !